Një emigrant shqiptar, i cili i tha policisë se ishte futur ilegalisht në Britaninë e Madhe nga trafikantë të qenieve njerëzore, u dënua me burg nga një gjykatë, pasi u kap duke punuar në një fabrikë kanabisi.
H.Lala do të deportohet drejt Shqipërisë pasi të përfundojë dënimin me burg. Ai u shpall fajtor për prodhim kanabisi në një shtëpi në Newport. Trupa e gjyqësore e Cardiff u njoh me faktin se policia kishte marrë informacion se në këtë banesë shfrytëzoheshin njerëz për të punuar si skllevër.
Oficerët e rrethuan ndërtesën më 7 Shtator dhe e kapën shqiptarin Lala, teksa po përpiqej që të arratisej nga dritarja. Autoritetet gjetën rreth 250 bimë kanabis, të kultivuara nëpër dhoma të ndryshme. 46-vjeçari Lala, i cili gjatë procesit gjyqësor u asistua nga një përkthyes, i tha hetuesve se kishte hyrë në Britani ilegalisht, rreth 1 muaj e gjysmë përpara se të kapej.
Ai tregoi se kishte paguar rreth 10 mijë paund për t’u futur në këtë shtet nga Belgjika, në pjesën e pasme të një kamioni, me qëllimin që të punonte si murator. Kur mbërriti në Britani, Lala qëndroi për dy ditë në një hotel, ndërsa trafikantët i morën pasaportë, për të mos ia kthyer më.
I pandehuri i tha policisë se pas kësaj e kishin çuar në ndërtesën në rrugën Chepstow dhe u urdhërua që të qëndronte aty derisa të paguante borxhin prej 10 mijë paund, që u detyrohej trafikantëve. Në përfundim të gjyqit ndaj tij, Lala u dënua me 6 muaj burg./tvklan.al