Leksioni i demokracisë që kryeministri shqiptar mundohej të mbante përpara 57 ministrave të Jashtëm, nuk mund të fshehë praktikat e errëta të qeverisjes së tij në ligjzbatim.
Ky njeri, gjysmëperëndi në të tijën projeksion, flet sot për bashkëpunim mes vendesh. Paradoks i madh, kur njihet veçse për shkelje marrëveshjesh, si ithtar e promovues korrupsioni, si dhe cënues i sigurisë së tyre, duke eksportuar në një pako të mbështjellë bukur drogë e krim të organizuar.
Në këtë vit të vështirë pandemik, presidenca e Ramës nuk solli asnjë vlerë të shtuar për OSBE-në. Përkundrazi! Gjithë çka dha ish një imazh qesharak, fërngjisur. Propozimet për emërime nepotike sikundër ishte rasti i Ditmir Bushatit, skicuan një panoramë më të qartë të mendësisë provinciale dhe autoritare të drejtimit, që Rama kërkoi ta shtrinte dhe në një institucion si OSBE-ja.
Kurrkush nga themeluesit e këtij organizmi (1975) nuk mund ta parashikonte se në vitin 2020, kryesimi do të merrej nga një pushtetar i një vendi të vogël, qeverisja e së cilit ka kult autoritarizmin ndaj popullit, si dhe urrejtjen pa fre kundrejt mediave dhe demokracisë.
Mëngjesin e së martës, kryeministri nën pelerinën e ministrit të Jashtëm foli për krizën e bashkëpunimit mes vendeve. Si të mos ish ai që në qershorin e vitit 2019 zhvilloi zgjedhje njëpartiake të ngjashme me ato të frontit demokratik në kohën e qoftë largut. E jo vetëm kaq! Në kurriz të tij rëndon e rrokulliset denoncimi i revistës gjermane “Bild”. Në një tjetër look, larg pelerinës dhe nën kostumin e një dirigjenti, i bindur se muzika më e mirë për shpirtin lakmitar është një melodi e njohur: manipulimi i zgjedhjeve.
Dosja 184 e Dibrës dhe 339 e Shijakut janë akuza që trokasin për shpagim. Asnjë pendesë, asnjë presidencë, qoftë kjo dhe e OSBE-së, s’mund ta eklipsojë shkeljen e primeve demokratike dhe një prej nëpërkëmbjet më të mëdha të të drejtave të njeriut që është bërë në këto 30 vite.
Për shumë më pak se kaq, nuk kanë qenë të paktë ata presidentë apo kryeministra që kanë dhënë dorëheqjen ose i janë nënshtruar hetimeve. Në vitin 1999 për kancelarin historik të Gjermanisë Helmut Kohl – një prej mendjeve më të ndritura të politikës fundshekullin e kaluar (autori i shembjes së Murit të Berlinit) – u ngrit një komision hetimor për donacionet partiake që ai kish marrë nga një tregtar armësh.
Akuzat iu bënë pikërisht nga njeriu që ai futi lançoi në politikë si të zgjedhurën e tij, Angela Merkel. Kaq mjafton për një rrugëtim imagjinar, ku mbërritja finalizohet me leksione demokracie, dhënë nga shefi i Taulantëve dhe Elisave. I njëjti njeri që ngre Komisione Hetimore për interesa thellësisht politike njëherazi banale, sa shkaktojnë gurgullima fëmijësh. Dhe i njëjti që ka më shumë se 3 vjet që ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, që harton njëanshëm rregulla zgjedhjesh falë çdo idioti aksidental në politikë.
Ka shumë për të folur për profilin kontradiktor që ka Rama me një organizëm si OSBE. Në thelb, presidenca e tij nuk u mor asnjëherë seriozisht. Kjo u pa në rastin e Bjellorusisë, kur një i ngjashëm nuk denjoi as t’i kthejë përgjigje. Dhe ofiqi që mori aksidentalisht në 1 janar 2020 s’ndihmoi aspak në hapje negociatash, veçse i shtoi më shumë arrogancën në raport me të tijin popull.
Ajo detyrë s’mundi t’ia kurojë imazhin apo ta nxirrte nga bataku ku ai ra si pasojë jo vetëm e paaftësisë, por e një strategjie të mirëmenduar që në 2013-n.
Korrupsion! Vjedhje! Shkelje!
Tjetër imazh mund të kishte një vend i vogël si i joni. Por kjo nuk vlen kur bëhet fjalë për shtetarë të tipit Rama. Në dorë të tij apo dhe shëmbëlltyrave, marrja e presidencës së OSBE-së është thjesht një mundësi e çuar dëm.