Një reagim i menjëhershëm vjen nga zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, se marrëveshja PD-LSI fsheh nga pas synimet e tij dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha për të shkatërruar reformën në drejtësi.
Në një postim në “Facebook”, Tedi Blushi shkruan se Meta i qëndron besnik reformës në drejtësi, dhe se kryeministri Rama – “gruaja e Bilalit” – e ka kapur drejtësinë e re me ligje anti-kushtetuese.
Rama më kot harxhon para me lobistë për deklarata, certifikata dhe sondazhe të rreme, thotë Blushi, pasi më 25 prill do të dëbohet nga vota e popullit.
“Mos e provoko popullin e 2 Marsit se është shumëfishuar në një vit falë zullumeve të shtuara edhe në kohë pandemie!” – i drejtohet Blushi Ramës, teksa i rikujton tubimin e mijëra shqiptarëve vitin e shkuar nën flamujt kuqezi.
Postim i Tedi Blushit në “Facebook”:
Drejtësinë koreanoveriore të “gruas” së Bilalit, shqiptarët e kanë provuar për 50 vite, ndaj çdo certifikatë të “zonjës Bilali”, do ta hedhin në koshin e plehrave.
Ilir Meta i qëndron besnikërisht Reformës në Drejtësi të bërë me 140 vota në Kuvend, falë këmbënguljes së Tij kur ishte Kryetar i Kuvendit dhe këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët.
Drejtësinë e re, që se kapi dot me Kushtetutë, “gruaja” e Bilalit e kapi me ligje antikushtetuese, që vazhdon t’i miratojë dhe sot.
Të mos ketë merak se më 25 prill do ta marrë vlerësimin e merituar nga mbarë populli i Shqipërisë.
Drejtësia e pavarur do vijë vetëm nga vota e lirë dhe e shenjtë.
Kush prek votën e lirë do t’i pritet dora bashkë me thonjtë, që kanë kapur për fyti shtetin dhe drejtësinë.
“Gruaja” e Bilalit më kot harxhon para me lobistë për deklarata, certifikata dhe sondazhe të rreme.
Bën mirë, që lekët e vjedhura t’i kursejë për të paguar avokatët mbrojtës, kur të japë llogari para drejtësisë.
Mos e provoko popullin e 2 Marsit se është shumëfishuar në një vit falë zullumeve të shtuara edhe në kohë pandemie!
LEXO EDHE:
Marrëveshja PD-LSI/ Rama: Plan për të shkatërruar Reformën në Drejtësi