Pas largimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm në detyrë kryeministri Edi Rama nxitoi të emëronte në vend të tij Olta Xhaçkën e cila mbante detyrën e ministres së Mbrojtjes. Por këto ndryshime sjellin një ngërç procedurash pasi detyrën e ministrit të Jashtëm zyrtarisht e mban vetë Rama.
Emri i Xhaçkës duhet të kalojë në zyrën e presidentit Ilir Meta për dekretim para se të marrë detyrën. Për ta bërë këtë Rama duhet të shkarkojë veten nga ministër i Jashtëm dhe të presë dekretin e shkarkimit nga Meta që t’i hapë rrugë kështu dekretimit të ministres së re.
Edhe burime nga Presidenca pohojnë të njëjtën gjë: “Dorëheqjen nga posti i ministrit të Europës dhe Punëve të Jashtme duhet ta japë Edi Rama dhe jo Gent Cakaj, i cili ka qenë ushtrues i detyrës“.
Kjo pasi, Cakaj nuk ka qenë asnjëherë i dekretuar nga ana e presidentit Meta në postin e ministrit të Jashtëm, dhe këtë detyrë deri më tani ligjërisht e mbante vetë kryeministri Edi Rama, i cili thjesht i ka kaluar ushtrimin e detyrës Gent Cakajt. Si rrjedhim, për të emëruar Xhaçkën tashmë në këtë pozicion, vetë Rama duhet të bëjë me dije dorëheqjen e tij.
Ngërçi në ministrinë e jashtme u krijua në vitin 2019 kur Rama shkarkoi ministrin e atëhershëm të jashtëm, Ditmir Bushati, dhe në vend të tij emëroi Cakajn, një emër krejtësisht i panjohur për politikën dhe publikun. Presidenti refuzoi ta dekretonte Cakajn, i cili mbante detyrën e zv/ministrit, me argumentin se ishte pa përvojë për një detyrë kaq të rëndësishme dhe kishte mbajtur qëndrime publike për ndryshimin e kufinjve të Kosovës, tezë kjo që konsiderohej e rrezikshme për interesat kombëtare nga Meta.
***
Gjatë mesditës së sotme, kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi se kishte pranuar dorëheqjen e Gent Cakajt, nga posti i ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, duke e zëvendësuar atë me Olta Xhaçkën.
Në vendin e kësaj të fundit në Ministrinë e Mbrojtjes do të emërohet Niko Peleshi, për të cilin ky post është një rikthim në qeveri pas disa vitesh, pasi në të kaluarën ka mbajtur detyrën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë.
Mbetet për t’u parë nëse Meta do t’i dekretojë shpejt këto ndryshime në qeveri, siç bëri në rastin e emërimit të Bledi Çuçit në postin e Ministrisë së Brendshme, dhe të Milva Ekonomit të Bujqësia, ndryshime këto pas largimit të Sandër Lleshajt në kulmin e protestave për Klodian Rashën.
LEXO EDHE:
Ndryshime në Qeveri – Rama largon Gent Cakajn, Olta Xhaçka ministre e Jashtme
Cakaj lë detyrën, nuk harron propagandën: Kemi hapur negociatat