Bota

PRESIDENCIALET 2020/ “Pew Research”: Republikanët e Demokratët të ndarë edhe për maskat








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 31/10/20 |
mapo.al

Të dhënat u bënë publike nga “Pew research” pas një sondazhi të kryer në fund të muajit gusht dhe në fillim të muajit shtator. 14% e të rriturve në SHBA përmendën fjalën “maskë” kur u pyetën se në ç’mënyrë pandemia e ka bërë jetën e tyre të vështirë ose sfiduese.


Arsen Hoxha, Uashington*


COVID-19 ka krijuar shumë polarizim shoqëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka nxjerrë në pah përçarjet në rritje midis mbështetësve të dy partive kryesore politike. Kur amerikanëve u kërkohet të përshkruajnë pasojat negative të pandemisë, asnjë temë tjetër nuk i ndan Demokratët dhe Republikanët më shumë sesa ajo e maskave. Të dhënat u bënë publike nga “Pew research” pas një sondazhi të kryer në fund të muajit gusht dhe në fillim të muajit shtator.



14% e të rriturve në SHBA përmendën fjalën “maskë” kur u pyetën se në ç’mënyrë pandemia e ka bërë jetën e tyre të vështirë ose sfiduese. Kjo e bëri fjalën “maskë” termin e katërt më të zakonshëm në këto përgjigje, pas fjalës “familje” dhe “punë”—që u përmendën nga 19% e publikut—dhe fjalës “mik”, e përmendur nga 14% e të anketuarve.


Megjithatë termi “maskë”, ishte më i përdoruri midis republikanëve dhe atyre të pavarur me prirje republikane, të cilët kishin dy herë më shumë gjasë—se demokratët dhe të pavarurit me prirje demokrate—për ta përmendur fjalën maskë në kontekstin e efekteve negative të pandemisë (respektivisht 19% kundrejt 10%). Për të gjeneruar të dhëna më të hollësishme në lidhje me këto ndryshime, studiuesit shqyrtuan secilën prej gati 1000 përgjigjeve që përmendën termin “maskë”.


Shpeshherë amerikanët përmendnin maskat në përgjigjet e tyre thjesht për t’u ankuar në një kuptim të përgjithshëm ose si shembull për të ilustruar sesi gjërat kanë ndryshuar që nga fillimi i pandemisë. Por një e treta e atyre që përmendën maskat ofruan detaje më të hollësishme mbi mbulimin e fytyrës dhe masat paraprake të sigurisë në përgjithësi. Këto opinione flasin për një ndarje të qartë midis atyre që janë skeptikë ndaj maskave dhe atyre që shqetësohen nëse njerëzit e tjerë nuk pranojnë t’i mbajnë ato.
Midis amerikanëve që përmendën maskat në përgjigjet e tyre, 15% shprehën zhgënjimin me ata njerëz që nuk i mbajnë ato ose që refuzojnë zbatimin e masave mbrojtëse. Ata ankohen për përdorimin e masave anticovid si pjesë e lojës politike dhe shprehin shqetësimin se disa njerëz nuk po e merrnin seriozisht pandeminë. Këto shqetësime shfaqen kryesisht në mesin e demokratëve.

Rreth 31% e demokratëve që përmendën maskat, e bënë këtë për t’u ankuar ose shprehur shqetësim për njerëzit e tjerë që nuk i mbanin ato. Një gjykim ky që ndahet nga vetëm 5% e republikanëve që përmendën maskat gjatë studimit. Thënë ndryshe, demokratët përbënin rreth tre të katërtat (76%) të atyre që shprehën shqetësimin se të tjerët që nuk përdorin maska.

Nga ana tjetër, gati një në pesë të anketuar që përmendën fjalën “maskë” (18%) në mënyrë specifike i quajtën ato si të panevojshme, joefektive, shtypëse ose të padrejta. Ata deklaruan se nuk pranonin të mbanin maska dhe shprehën skepticizëm në lidhje me pandeminë COVID-19 në përgjithësi. Po kështu, kjo kategori gjykon se pandemia po përdoret për të manipuluar amerikanët për përfitime politike.
Këto përgjigje vijnë kryesisht nga republikanët. Këto pikëpamje u shprehën në 27% të rasteve kur republikanët përmendën fjalën maskë, krahasuar me vetëm 3% midis demokratëve. Parë në një këndvështrim tjetër, republikanët përbënin 92% të atyre që shprehnin skepticizëm ose kundërshtim të maskave.

Lexo edhe :  Zgjedhjet në SHBA - Ja pse Putin nuk e ka uruar ende Biden

Meqenëse përgjigjet për pyetjet e sondazhit përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh, çdo fjalë kyçe ose temë specifike zakonisht shfaqet vetëm në një numër të vogël përgjigjesh. Në përgjithësi, vetëm 5% e republikanëve shprehën skepticizëm ndaj maskave dhe vetëm 3% e demokratëve ngritën shqetësime për të tjerët që nuk i mbanin ato.

Prapëseprapë, qindra përgjigjet e republikanëve dhe demokratëve që shprehën këto pikëpamje vënë në pah një ndarje në rritje mes amerikanëve me bindje të ndryshme politike, sa u takon kufizimeve dhe masave mbrojtëse që lidhen me koronavirusin. Në muajin qershor, 77% e demokratëve—krahasuar me 45% e republikanëve—thanë se ishin shumë ose disi të shqetësuar se mund të shpërndanin COVID-19 te të tjerët. Dhe gati dy të tretat e demokratëve (64%) ishin shumë ose disi të shqetësuar se do të infektoheshin me COVID-19 dhe do të kërkonin shtrimin në spital. Vetëm 35% e republikanëve shprehën të njëjtin shqetësim.

Në të njëjtin sondazh, demokratët kishin rreth dy herë më shumë gjasa se republikanët të thoshin se njerëzit në komunitetin e tyre gjithmonë duhet të mbajnë maskë (63% kundrejt 29%). Po kështu Qendra kërkimore “Pew” ka zbuluar se shumica e të intervistuarve në të dy palët thonë se po përdorin rregullisht maskat, edhe nëse disa mund të jenë skeptikë për efektivitetin e tyre. Në muajin gusht, 92% e demokratëve dhe 76% e republikanëve thanë se mbanin maskë në fytyrë kur bënin pazar ose kryenin aktivitete të tjera në vende publike.

Arsen Hoxha

GRUPET SOCIALE/ Veteranët të prirur të votojnë Presidentin Trump; por ka dhe të zhgënjyer

Veteranët e ushtrisë amerikane kanë prirjen të votojnë për republikanët në zgjedhjet presidenciale dhe një shumicë e tyre ka të ngjarë ta bëjë këtë përsëri këtë vit. Por disa veteranë po rishikojnë prirjet e tyre politike dhe po votojnë për çështjet që kanë më shumë rëndësi për ta.

Një sondazh i fundit i portalit “Military Times” tregon se 52% e veteranëve planifikojnë të mbështesin Presidentin Donald Trump në këto zgjedhje. “Unë mendoj se shumë njerëz po e shikojnë Presidentin Trump dhe thonë, ‘Unë mund të votoj për të për faktin e thjeshtë se ka mbajtur premtimet e bëra’,” thotë zoti Jordan.

Nga familje me veteranë lufte prej pesë brezash, Jeff Jordan, i cili shërbeu në Irak dhe Afganistan, përshëndet zvogëlimin e forcave në Afganistan dhe negociatat e paqes me Talibanët. “Unë mendoj se në këtë pikë, gjëja e duhur për të bërë është të tërhiqemi, sepse kemi qenë në Afganistan gati 20 vjet. Çfarë nxorëm nga kjo?”, thotë zoti Jordan. Por, rreth 42% e veteranëve të anketuar thanë se do të votonin për sfiduesin demokrat, ish-nënpresidentin Joe Biden. “Unë kurrë nuk kam votuar demokratët”, thotë njëri prej tyre. Ndër ta është edhe veterani i hershëm republikan Jim Naylor, i cili votoi për Presidentin Trump në vitin 2016. “Ishte vërtet për të ardhur keq. Pas kësaj u ndjeva jo mirë”, thotë ai.

Gati dy të tretat e veteraneve femra të anketuara nga portali “The Military Times” nuk e miratojnë presidencën Trump. Si ish-drejtuese anijesh, veterania e Marinës, Lauren Symmes, e krahason menaxhimin e pandemisë së koronavirusit nga Presidenti Trump me drejtimin e një anijeje përmes një stuhie. Ashtu si votuesit e pavendosur në popullatën e përgjithshme, një përqindje e vogël e veteranëve të anketuar janë të ndarë midis kandidatëve të palëve të treta ose po i ndjekin zgjedhjet në mënyrë pasive.

*Shkrim për gazetën Mapo


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas