Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në reagimin e tij, pas deklaratave të Enkelejd Alibeajt se maxhoranca shkeli marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit konsensual, pretendoi se kandidatët e propozuar nga PD ishin me shkelje ligjore.
Balla tha se askush nuk mund të shkelë Kushtetutën.
Sipas tij kandidatët e propozuar nga opozita duhet të vinin edhe me firmat e nevojshme të deputeteve të opozitës që i propozonin, siç e parashikon kushtetuta.
“Ju ishit prezent një ditë më parë. Unë mendoj se duhet të jetë shumë e qartë se PS, ne kemi thënë se në këtë pjesë të procesit jemi të gatshëm të negociojmë për emrat”.
“Por unë e kam thënë disa herë që procesi të ruajë integritetin e tij, që kandidati që propozon opozita të mbështetet me firma vetëm nga opozita, unë mendoj se çdokush na mirëkupton”.
“Ne kemi bërë dhe kalkulimet se sa kandidatë mund të propozohen nga opozita, dhe Alibeaj e konfirmoi se ata i kanë mundësitë të propozojnë dy kandidatë”.
“Deri të dielën kanë mundësinë të propozojnë dy kandidatura. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë mundësinë e votimit nëse vendosim t’i mbështesim. Kushtetuta është mbi çdo lloj marrëveshjeje”, tha Balla në reagimin e tij.
Kreu i grupit parlamentar socialist e ftoi sërish opozitën në bisedime. “Kemi ende kohë për të mos humbur raundin e dytë”, tha Balla. Ai shtoi se opozita nëse refuzon, në raundin e katërt PS do ta zgjedhë e vetme Presidentin, me votat e saj. Para se të shkojë për votim në Kuvend, Presidenti sipas kushtetutës duhej të propozohet minimalisht nga 20 deputetë para se të shkojë për votim. Në rastin konkret, kjo është një procedurë formale, pasi do të mjaftonte që palët të binin dakord për një emër konsensual. PS dhe PD-ja e kryesuar nga Alibeaj kanë mbi 100 deputetë në Kuvend,
Kushtetuta parashikon që zgjedhja e Presidentit të zhvillohet 7 ditë nga zhvillimi i raundit të parë. Kështu, më 23 maj dhe më 30 maj janë parashikuar të zhvillohen raundi i dytë dhe i tretë. Për aq kohë sa deri në raundin e tretë kërkohen 84 vota për të zgjedhur pasuesin e Ilir Metës, konsensusi mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës është kusht. /Liberale.al/