fbpx

Aktualitet

Presidenti çek: Diskutime për tërheqjen e njohjes së Kosovës





               Publikuar në : 19:02 - 11/09/19 |
mapo.alm

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman, tha të mërkurën në Beograd se do të diskutojë me ekspertët kushtetues të vendit të tij, mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, një veprim që nuk përkon me postin kryesisht ceremonial të tij.


Presidenti çek i cili po viziton Serbinë, tha një ditë më parë se nuk i pëlqen Kosova, pavarësia e së cilës është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë edhe 23 vende anëtare të Bashkimit Europian. Çekia e ka njohur Kosovën në maj të vitit 2008.



“Nuk jam diktator, por ajo që mund të bëj është se pas një muaji mblidhet këshilli kushtetues dhe unë do të shtroj çështjen nëse është e mundur të tërhiqet njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha presidenti çek gjatë një konference me gazetarë bashkë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.


Autoritetet në Kosovë nuk komentuan deklaratat e presidentit 74-vjeçar, që është i njohur për qëndrime kundërthënëse, por ato nxitën reagime në Çeki.

Presidenti i senatit çek, Jaroslav Kubera, u tha mediave në Çeki se presidenti Zeman bëri deklarata të tilla vetëm për t’u bërë qejfin serbëve, por ideja e tij është joreale. “Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë”, cituan mediet çeke presidentin e senatit.

Shefi i diplomacisë çeke Tomáš Petříček, tha se nuk sheh asnjë arsye për një debat të tillë dhe se kjo nuk do të ishte në interes të Republikës Çeke.

Përfaqësues të opozitës në Çeki i dënuan deklaratat e presidentit Zeman duke theksuar se nuk është punë e tij të përzihet në vendimet e qeverisë.

Presidenti çek ishte kryeministër në vitin 1999 kur NATO-ja bombardoi Serbinë për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia ka marrëdhënie të mira me NATO-n.

“Do të përpiqemi gjithmonë të kemi marrëdhënie të tilla në të ardhmen në mënyrë që viti 1999 të mos ndodhë më. Plagët e popullit serb nga vitit 1999 ende nuk janë shëruar dhe sot është vështirë të gjesh dikë që ta kuptojë atë që NATO-ja ka bërë në vitin 1999”, tha presidenti serb.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës gati dy-vjeçare. Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës, por aspiratat e të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Europian janë të kushtëzuara me një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh ndërmjet tyre./VOA


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas