Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ka shkelur rregullat e kufizimit që ka vendosur qeveria, duke qendruar në restorantin e njohur shqiptar në Vjenë, pas orës 23.00. Kjo është bërë debat publik. Pronari shqiptar mund të gjobitet deri në 30 mijë euro. Por kreu i shtetit austriak, e ka marrë përsipër penalitetin dhe ka thënë se do ta shlyejë ai gjobën.
Austria ka lejuar hapjen e restoranteve deri në orën 23.00 të mbrëmjes, por presidenti Van der Bellen dhe bashkëshortja e tij, Doris Schmidaue, janë parë nga policia austriake teksa pinin deri pas mesnatës në restorantin “Sole” të pronarit shqiptar, Aki Nuredini, raporton portal, Albinfo-Austria.
Sipas mediave austriake, restoranti në atë kohë ishte i mbyllur, por ata kanë vazhduar edhe për më shumë se një orë të qëndrojnë në tarracën e restorantit.
“E humbëm kohën duke biseduar dhe fatkeqësisht e kaluam orarin e lejuar”, ka shkruar kreu i shtetit, në një postim në rrjetet sociale. “Më vjen keq, ishte një gabim”, shpreh keqardhjen, presidenti Van der Bellen.
Sipas rregullores, në Austri, nëse ndonjë restorant gjendet i hapur pas orës 23.00, gjoba do të jetë afër 30 mijë euro. Për këtë, presidenti austriak ka theksuar se nëse pronarit të restorantit do t’i vihet ndonjë gjobë, është i gatshëm të gjitha t’ i marrë përsipër.
“Nëse restoranti do të marrë ndonjë gjobë, unë do të qëndroj prapa kësaj dhe do të marr përgjegjësitë e mia”, ka shkruar presidenti Van der Bellen.
Restoranti “Sole” është pronë e gastronomit të njohur shqiptar Aki Nuredini, i cili këtë restorant e ka të hapur që nga viti 1983 dhe gjendet në një nga rrugët më të frekuentuara të Vjenës.