Ka vijuar me diskutime dhe debate mbledhja e sotme e grupit parlamentar të PD-së, i thirrur nga kryetari Enkelejd Alibeaj.
Kryetari në detyrë i PD-së pohoi para kolegëve të tij demokratë se qëndrimi mbi çështjen e Presidentit duhet të merret nga të gjithë deputetët.
Alibeaj tha gjithashtu se ka një tentativë për të përçarë edhe Grupin Parlamentar, duke shtuar se gjatë këtij muaji kanë bërë përpjekje serioze për të bashkuar grupin.
“Sot nuk kemi për të marrë asnjë vendim, sepse mbledhja është me natyrë informale për informimin tuaj për ecurinë e deri tanishme dhe shkëmbimin e mendimeve. Me disa prej kolegëve kam diskutuar edhe personalisht dhe i di mendimet e tyre, me intereson që vendimin për procesin ta marrim të gjithë bashkë, në një moment tjetër, pasi të kemi ezauruar fazën e marrjes së mendimit të secilit”, tha Alibeaj.
Sakaq, mësohet se në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar demokrat, deputeti Gazment Bardhi është shprehur se duhet të propozohen kriteret dhe procedurat, për zgjedhjen e presidentit të ri.
Bardhi ka shtuar se askush nuk duhet të ketë komplekse për shkak se ka sulme nga një grup i Berishës.
” Të propozojmë kriteret dhe procedurat. Ne duhet të vazhdojmë me opozitën. Dhe mos te kompleksohemi se një grup i Berishës na sulmon. Ne nuk ju përgjigjemi me të njëjtën gjuhe për të ruajtur PD. Ne jemi ruajtur mos ta përçajmë PD”.
“Na sulmojnë sot që mos të marrim pjesë te presidenti ata që deri dje thonin përse bojkotoni. Pra, kuptohet kush ka qenë pas bojkotit deri dje. Presidentin e zgjedh parlamenti dhe vendos grupi parlamentar. Nuk vendos Jozefina, Rudina dhe Murrizi, në Këshill Kombëtar. Ata që deri dje sulmonin PD”, ka thënë Bardhi.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Ferdinand Xhaferraj është shprehur se lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, duhet të negociohet edhe me faktorin ndërkombëtar.
“Të marrim pjesë, por mos të përdoremi nga procesi e zgjedhjes së presidentit të ri.. Të negociojmë me faktorin ndërkombëtar për procesin”, është shprehur ai.