Partia Socialiste ngre një grup të posaçëm pune për të përzgjedhur kandidaturën që do t’i propozojë Kuvendit për President të Republikës. Një fakt të tillë e ka konfirmuar deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, e cila ka deklaruar dje për mediat se pavarësisht dëshirës së mazhorancës për të pranuar që të ngrenë së bashku një proces përzgjedhës, Partia Socialiste nga ana e saj do të propozojë një kandidaturë konsensuale. Ndërkohë që deputeti tjetër socialist, Damian Gjiknuri, duke folur për procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, ka shprehur bindjen jo vetëm të tijën por të forcës që ai përfaqëson, se për të nisur votimi për kreun e ri të shtetit, në sallë duhet të jenë minimalisht 84 deputetë, çka sipas tij e bën të domosdoshëm një konsensus paraprak mes dy forcave kryesore për kandidaturën që do të hidhet për votim.
Kandidati
Opozita do të ketë një kandidat të sajin në zgjedhjen e ardhshme të kreut të ri të shtetit. Për këtë qëllim socialistët do të nisin një proces përzgjedhjeje të një emri konsensual, i cili natyrisht duhet të plotësojë kriteret ligjore që përcakton Kushtetuta dhe të përfaqësojë mbi të gjitha unitetin e kombit. “Partia Socialiste ka ngritur një grup pune dhe përzgjedhja e paraqitja e një kandidature presidenti konsensual përputhen në fakt me vizionin që Partia Socialiste ka për përzgjedhjen e një figure, e cila do të mishërojë unitetin kombëtar, do të ketë një profil sipas Kushtetutës, por përputhet edhe me interesat kombëtare që Partia Socialiste ka pjesë të vizionit të saj dhe me aspiratën e integrimit europian që ne kërkojmë të bëhemi pjesë”, – tha Gjermeni. Sipas deputetes Eglantina Gjermeni, e cila drejtoi edhe procesin e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, do të synohet që edhe zgjedhja e kandidatit për president do të jetë transparente. “Për këtë do të keni informacione në vazhdimësi, por ajo që dua t’ju garantoj është sërish një proces transparent, i cili do të vazhdojë për përzgjedhjen e një kandidature me një profil sipas Kushtetutës së Shqipërisë, duke mos përjashtuar askënd, por duke i dhënë mundësi gjithkujt të jetë pjesë e këtij procesi dhe përzgjedhjen më pas të një figure, e cila do të jetë figura që Partia Socialiste ofron ose propozon për institucionin e Presidentit”, – tha Gjermeni.
Kuorumi
Ndërkohë që një tjetër deputet socialist, Damian Gjiknuri, duke analizuar çështjen e kuorumit të nevojshëm që duhet në sallën e Kuvendit për të nisur procesi i votimit, ka bërë të ditur se vetë fakti që Kushtetuta përcakton 3 raunde me 84 vota, e bën të domosdoshme që kaq të jetë dhe kuorumi. “Po të interpretosh Kushtetutën, ka vend për të diskutuar, në veçanti për figurat e shtetit. Fakti që parashikohen 3 raunde me shumicë të cilësuar, tregon se Kushtetuta e ka pasur parasysh konsensusin. Ndryshe nuk kishte përse këto tri raunde të qëndronin”, – u shpreh Gjiknuri. Ndaj ai edhe një herë ka bërë të qartë qëndrimin e PS-së se mbetet për të gjetur paraprakisht një kandidaturë konsensuale dhe gjithëpërfaqësuese. “PS është shprehur se është për një dialog për të zgjedhur një figurë konsensuale. Nuk duam të bëjmë një luftë votimi në parlament pa gjetur më parë një figurë të tillë. Për ne, dërgimi i çështjes në gjykatë është një debat i parakohshëm. Tani e rëndësishme është që të ulemi e të dialogojmë pa paragjykuar asnjë emër. Çështja për t’i kërkuar mendim gjykatës është diçka që duhet parë, por në kohën e vetë”, – thekson Gjiknuri.