Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama.
Në letrën e publikuar nga Rama, Trump e fton kryeministrin Rama t’i bashkohet SHBA-ve me zhvendosjen e ambasadës shqiptare në Jeruzalem. Ndërkohë, ambasada përfaqësuese ndodhet aktualisht në Tel Aviv.
Trump gjithashtu e falenderon për mbështetjen e Shqipërisë kundrejt rrjeteve të sigurta të telekomunikacionit, duke e cilësuar shembull të fortë në rajon.
Ai ndan shpresën që SHBA-të dhe Shqipëria të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, një marrëveshje që i hap rrugën vendeve të tjera në Ballkan.
Në letrën drejtuar Ramës, Trump thekson rëndësinë dhe rolin e Shqipërisë në mbështetjen e normalizimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës.
Letra e Presidentit amerikan Donald Trump, drejtuar kryeministrit Edi Rama:
I dashur Z. Kryeministër:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit.
Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë.
Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni.
Unë dua t’ju falënderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë.
Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem.
Etiketa: Donald Trump, Edi Rama, Marreveshja Kosove-Serbi, Rrjeti '5g'