Një nigerian me pasaportë amerikane për sulmin. Kirian Nuabueze ishte goditja e parë e Laçit në merkaton e verës dhe pas më shumë se dy javësh stërvitjeje me grupin, në klubin kurbinas janë gati të vënë “bast” për shpërthimin e 26-vjeçarit, duke filluar nga ndeshjet e Ligës së Europës kundër Hapoel Ber Shevës.
Në prag të takimit të parë që do të luhet në Laç, më 11 korrik ora 17:30, forma e mirë që po kalon sulmuesi Nuabueze u ka dhënë edhe më shumë shpresë kurbinasve për të tentuar kualifikimin. Pas përfundimit të sezonit nga Laçi u larguan të dy lojtarët e repartit sulmues, fillimisht senegalezi Malik Mane dhe më pas nigeriani Antoni Okpotu. Aktualisht klubi kurbinas ka zyrtarizuar si afrime, përveç Kirian Nuabuezes, edhe qendërmbrojtësin serb Aleksandar Ignjatoviç, mesfushorin lezhjan Rudolf Turkaj, si dhe shqiptarët që vijnë nga futbolli grek: fantazisti Aleksandros Zaimi dhe sulmuesi Renato Spahiu.
Pas disa ditësh në provë u konfirmua edhe braziliani Teldiano Guimaraes (Teko), ndërsa nga Kastrioti erdhi mesfushori Juljan Shehu. Në stërvitje me Laçin janë prej ditësh edhe mbrojtësi Adolf Selmani dhe sulmuesi Santiago Selmani, dy vëllezërit e kapitenit Gentian Selmani. Me këtë të fundit, të konfirmuar prej vitesh, Adolfi dhe Santiago premtojnë shumë për të ardhmen.
Trajneri Starova po mundohet që gjatë kësaj jave të provojë formacionin e mundshëm, teksa dilemat më të mëdha duken në qendër të mesfushës, aty ku mungesa e kroatit Nikola Eller, për shkak dëmtimi, ia ka prishur jo pak planet. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të përshtatet me grupin Shehu, i cili luan pikërisht në një pozicion me Ellerin.