Kryesore

Presioni i ndërkombëtarëve – Rama sot i përgjigjet opozitës për koalicionet





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:51 - 28/07/20 |
mapo.al

Christian Shmidt, reporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestag është shprehur se Rama po heq koalicionet për të favorizuar vetveten. Ambasadorja amerikane Youri Kim dhe ai i BE-së, Luigi Soreca, kanë takuar dje Ramën duke i kërkuar përfshirjen e propozimeve të opozitës në ndryshimet kushtetuese. Sot mblidhet Këshilli Politik, ku mazhoranca do të japë dhe përgjigjen përfundimtare dy ditë para votimit në parlament.


Kur kanë mbetur vetëm dy ditë nga 30 qershori që përkon dhe me votimin e ndryshimeve kushtetuese të ndërmarra nga mazhoranca, komuniteti ndërkombëtar ka shtuar trysninë ndaj qeverisë shqiptare.


Ndërkohë, përfaqësuesi i Ramës në këshillin politik Damian Gjiknuri, me anë të një letre dërguar opozitës, ka kërkuar një takim tjetër, ku sipas tij do marrë dhe përgjigje në lidhje me hapjen 100% të listave dhe lejimin e koalicioneve.


Mazhoranca, më shumë se një herë është paralajmëruar nga ndërkombëtarët që ndryshimet mos i bëjë pa përfshirjen e opozitës dhe mos dalë nga marrëveshja e miratuar në 5 qershor. Ndërkohë që kjo e fundit mori votën në parlament më 23 korrik, ndryshimet kushtetuese priten të votohen në datën 30 të këtij muaji.


Gjermania
Një nga figurat kryesore të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, si dhe raporter për Shqipërinë në Grupin Parlamentar të partisë së Merkel, Christian Schmidt, i ka tërhequr vëmendjen kryeministrit Edi Rama për të mos bërë veprime të njëanshme me ndryshimin e Kushtetutës dhe heqjen e të drejtës për koalicione parazgjedhore sipas vullnetit të partive.

“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten? Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to. Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!”, shkruan në rrjetet sociale raporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestag.

SHBA-BE
Në orët e para të paradites në zyrën e kryeministrit e vizituan ambasadorja amerikane në Tiranë Youri Kim, dhe ai i BE-së Luigi Soreca, ku kanë kërkuar që çdo ndryshim të bëhet në mirëbesim dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Ambasadorja amerikane Juri Kim duke përgëzuar për votimin e draftit të 5 qershorit shprehet: “Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare.

Kim e falënderoi kryeministrin për udhëheqësinë e tij në sigurimin e miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit dhe mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjella në Këshillin Politik në lidhje me masat shtesë. Ambasadorja theksoi rëndësinë që të gjitha palët të marrin pjesë në mirëbesim, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”. Deklarata u shpërnda nga zyra e shtypit të ambasadës. Ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se “Procesi që çon në ndryshime shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit”, tha Soreca.

Përgjigja
Ndërkohë, përfaqësuesi i PS në këshillin Politik, Damian Gjiknuri ditën e djeshme i ka dërguar një email përfaqësuesve të opozitës, ku i lajmëron se në takimin e sotëm, do të marrin dhe përgjigjen në lidhje me kërkesat e tyre për hapjen 100% të listave dhe lejimin e koalicioneve. Duke qenë se tanimë mbetet për t’u përmbyllur edhe paketa e tretë që ka të bëjë me ligjin e ri zgjedhor i cili do të hyjë në fuqi pas dy proceseve të ardhshme zgjedhore e që sanksionon edhe depolitizimin e administratës zgjedhore sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, propozoj:

Mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, me rend dite: Prezantim nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.

Kthimi i përgjigjeve nga ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet” thuhet në email-in e Gjiknurit.

Opozita nga ana e saj në përgjigjen e kthyer nga Oerd Bylykbashi, përfaqësues është treguar e gatshme të marrë pjesë në tryezën e sotme, por duke i kërkuar mazhorancës të reflektojë në lidhje me kërkesat e saj.

“Heqja nga Kushtetuta e koalicioneve parazgjedhore përbën ndryshim të njëanshëm të rregullave të garës, 8 muaj përpara zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, ju impononi edhe formulën e koalicioneve që do të detajojë ligji, sepse ligji nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo nënkupton që heqja e koalicioneve parazgjedhore si subjekt zgjedhor nga Kushtetuta, imponon më pas automatikisht edhe heqjen e tyre si subjekt zgjedhor nga Kodi Zgjedhor, duke zhbërë në këtë mënyrë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit. Është e qartë se ju kërkoni të ndryshoni në mënyrë të njëanshme Kushtetutën, duke ndryshuar elementet bazë të sistemit zgjedhor, që kanë impakt të drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve.

Ky akt i njëanshëm shkatërron konsensusin e arritur, sepse bie ndesh me Marrëveshjen e 14 Janarit, minon Marrëveshjen e 5 Qershorit, është në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit. Opozita e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë për dialog, ndaj ju ftojmë që edhe Partia Socialiste të heqë dorë nga refuzimi i dialogut i deklaruar nga Kryeministri Rama sot në Parlament, të hiqni dorë nga aktet e njëanshme dhe të jeni të hapur për dialog, që nesër në mbledhjen e radhës së Këshillit Politik”, thuhet në përgjigjen e Bylykbashit.

Diplomatët e huaj në Tiranë nuk kanë marrë pushimet për të mbajtur të ngritur presionin ndaj Edi Ramës, për të shmangur veprimet e njëanshme në lidhje me ndryshimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Sot Yuri Kim dhe Luigi Soreca kanë ndenjur sërish rreth një orë në zyrën e kryeministrit për të kërkuar që çdo ndryshim të bëhet “në mirëbesim dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse”.

Zyra e shtypit të selisë së rrugës së Elbasanit i ka shpërndarë mediave një njoftim ku thuhet se: “Kim e falënderoi kryeministrin për udhëheqësinë e tij në sigurimin e miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit dhe mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjella në Këshillin Politik në lidhje me masat shtesë. Ambasadorja theksoi rëndësinë që të gjitha palët të marrin pjesë në mirëbesim, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”.

Në fakt që pas votimit të marrëveshjes së 5 qershorit në parlament, diplomatët e huaj e përshëndetën këtë hap, por në qëndrimet e tyre pati diferenca të dukshme mes qëndrimit të europianëve dhe atij të SHBA, e cila qe më e “butë” me kryeministrin.
Europianët qenë më të drejtpërdrejtë se ndryshimet e reja “nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit”, e cila duhet të bëhet me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, dhe ajo që u arrit nuk duhet shmangur.

Po të njëjtin mesazh se “Diskutimi i mëtejshëm i reformave duhet të jetë vërtet përfshirës me pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve”, përsëriti dhe ambasadori britanik Duncan Norman.
Takimi i sotëm i ambasadorëve me Ramën u bë para ftesës që socialistët i kanë bërë Këshillit Politik për t’u mbledhur ditën e martë (28 Korrik), ku pritet të diskutohet për paketën e tretë të amendimeve.

Pjesë e tryezës së diskutimeve pritet të jenë edhe përgjigjet që kanë dhënë ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet. Edhe njëherë Kim dhe Soreca kanë ushtruar trysni mbi Ramën që ato mos bëhen në mënyrë të njëanshme. Por pas takimit me ta kryeministri nuk tregoi shenja tërheqjeje.

Ai deklaroi në parlament se në 30 qershor ndryshimet e njëanshme do të votohen. “Ne jemi zgjedhur të udhëheqim dhe jo të merremi me të tjerët, dhe ja pse ne në 30 korrik duan apo s’duan ata ne do i votojmë ndryshimet që kemi folur. Asgjë s’kanë për të fituar ata jashtë në këtë rrugë që kanë nisur.

Ata që thonë se 30 korriku cenon 5 qershorin nuk dinë ca flasin. Marrëveshja e 5 qershorit ka thelb etj. etj., dhe ato nuk preken, ato do zbatohen siç kanë rënë dakord, e përsëris apeli për PD dhe ata të tjerët jashtë të mos lodhen duke e kundërshtuar. Është kry po ju them , mos u lodhni!” deklaroi Rama.

“30 korriku u kry”/ Ja mesazhi që kishte Rama kundër SHBA dhe BE
Edi Rama po vazhdon me kokëfortësi kursin e përplasjes me SHBA dhe BE për çështjet e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe heqjen e koalicioneve. Kryeministri, i cili akoma nuk ka pranuar propozimin e kompromisit të opozitës për hapjen 100% të listave, u vendos sot përsëri në barrikadë të kundërt me partnerët ndërkombëtarë. Vetëm pak minuta pasi përfaqësuesit e BE dhe SHBA i kishin kërkuar që të mos ndërmerrte nisma të njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës, por në konsensus me opozitën jashtë parlamentit.

“Përsëris apelin për PD dhe gjithë grupin jashtë parlamentit, të mos lodhen duke kundërshtuar 30 korrikun. 30 korriku u kry. Është e mbyllur. Është vullneti i këtij parlamenti. Në 30 Korrik ne do të votojmë ndryshimet, duan apo s’duan ata që nga jashtë parlamentit mendojnë se, sa më shumë të shantazhojnë, aq më shumë do të fitojnë”- u shpreh Rama në parlament. Opozita nuk ka asnjë mjet shantazhi në dorë, prandaj mesazhi i Ramës nuk është për PD, por për ambasadorët dhe vendet që ata përfaqësojnë.

Ishin kundërvënie ndaj BE, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, e deklaruar hapur kundër ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës.

Heqja e koalicioneve nga Kushtetuta vlerësohet si heqje e të drejtës së partive për t’u paraqitur së bashku në zgjedhje me kandidatët e vetë, heqje e të drejtës së qytetarëve për të votuar partinë e tyre të preferuar, llogari e Ramës që të marrë mandate nga votat kundër për partitë e vogla opozitare, që nuk i lejon të futen në koalicion me kandidatët e tyre.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas