Dante Maffia shkruan për “Një sagë e vogël burgu”: Besnik Mustafaj vihet dukshëm mes atyre që më pëlqen t’i quaj klasikët e rinj, ata të modernitetit…
Nga Arta Marku
Quhet Bardhyl Huta. Shkurt e kanë thirrur gjithnjë Luli. Historia e tij është ngacmuese, e mbyllur në një dhomë të pazakontë burgu, ndryshe nga të gjitha dhomat e tjera dingas me të burgosur. Një dhomë e shkretë, një dhomë e heshtur, po aq me një prani torturuese. Paradoksalisht një dhomë dashurie. Një histori e çuditshme.
E çuditshme dhe e papritur historia e të atit të Bardhyl Hutës, i shenjuar nga burgu edhe ai. Nga një histori fëmijërie ama nga ato që e përcaktojnë përjetësisht burrin e ardhshëm. Nga ato që e damkosin si me hekur të skuqur. Emrin ia thoshin Omer dhe ishte i biri i Oso Hutës. S’e kish njohur kurrë t’anë, por një çast ndjeu se mungesa e tij në shtëpi e bënte të ndryshëm nga moshatarët e vet. Një dallim që sa vinte dhe i bëhej therës. Pse ishte ndryshe? Pse nuk e kishte babanë? Pse nuk vinte ai mbrëmjeve në shtëpi? Cili ishte i ati? Por dalëngadalë gjërat do të qartësoheshin: babai ishte në burg, paskësh vrarë të parin e xhandarëve të krahinës.
– E vrau, – i tha nëna – i dha një plumb në lule të ballit e ia bëri kraharorin shoshë me pesë plumba të tjerë, në mes të fshatit.
– Nuk pati frikë?
– Babai yt nuk e njeh frikën.
Qysh prej asaj dite, Omer Hutës, babai nuk i përhihej si njeri i vërtetë… kishte zemër dragoi.
Deri këtu një pjesëz (sa një pikë uji në det) e librit “Një sagë e vogël” të Besnik Mustafajt që së fundmi është botuar edhe në gjuhën italiane me titullin “Piccola saga carceraria”. Një libër i ndarë në tre libërtha që i bën bashkë, veç të tjerash, e mbi të gjitha, burgu me fuqinë e tij dërrmuese.
Omer Huta është protagonist i pjesës së parë. Ai e njeh burgun në një mënyrë krejt të papritur. Nuk e di se si është burgu, çfarë është ai. As që e ka idenë se ç’do të thotë burg, pse ekziston, çfarë kuptimi ka. Di veç se atje është i ati të cilin gjithashtu nuk e njeh… Por do ta njohë, pikërisht nëpërmjet shndërrimit që burgu i ka bërë…
Historia vazhdon, burgjeve. Nëse në librin e parë jemi në një burg të kohës së Zogut, te i dyti, ku hyn e bëhet protagonist Bardhyli, jemi në një burg diktature, të shenjuar nga makthi i pashmangshëm i saj. I burgosur tashmë nuk është i ati i Omer Hutës, por i biri, pikërisht Bardhyli që rreket t’i vërë përballë izolimit, dashurinë, të gjithën të përmbledhur në një natë… Sigurisht, në një natë dashurie, ku padyshim, i treti është i tepërt. I treti e shkatërron dashurinë. Por cili është i treti, në një një dhomë të akullt dashurie ku fizikisht janë vetëm dy, Luli dhe Linda?
Dhe pastaj, sërish burgu. Shihet ndryshe në pjesën e tretë, në një këndvështrim tjetër. Edhe koha është tjetër. Është kohë lufte, Italia fashiste sapo ka kapitulluar dhe pritet të mbërrijë gjermani. Veç vendi s’ka ndryshuar: mbetemi në burg duke u përqendruar këmbëngulshëm te deformimi që ai pjell, te shkatërrimi… Në ketë pjesë të tretë, libri bën një kthesë retrospektive dhe sakaq, burgu, shihet nga një pikë tjetër. Jo më nga i burgosuri apo për të burgosurin. Flitet për një rojtar të burgosurish. Por, ç’ndryshim ka, në pikëpamjen e deformimit të pashmangshëm që i bën ekzistencës, mes njerëzve që i përbashkon burgu? Çfarë pjell burgu? Si i shndërron ai qeniet prej mishi e gjaku në gur?
“Një sagë e vogël” me historitë e veta zhvillohet e tëra në thellësi të njeriut.
***
Libri, siç thashë, së fundmi është botuar në Itali. Titullit i është shtuar një fjalë si për të dëshmuar qysh në kopertinë thelbin, burgun. “Piccola saga carceraria” ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe të lexuesve. Në të vërtetë, kur të huajt lexojnë librin e shkrimtarit shqiptar, çfarë i intrigon më shumë është burgu i diktaturës. Merret me mend, nëse të huajt nuk i kanë çuar jetët e tyre në vende a kohë diktaturash. Por kjo, ndoshta edhe pse “Burgjet vetëm me hajdutë duhet të jenë shumë të ndyra, të neveritshme. Kurse ato vetëm me kriminelë duhet të jenë llahtarë. Prestigjin burgut ia japin të burgosurit politikë”, siç shkruan Besnik Mustafaj duke përdorur gojën e një personazhi të çuditshëm.
Mes lexuesve të librit të shkrimtarit shqiptar, edhe vetë njerëzit e letrave, padyshim. Dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe: copëza Shqipërie për t’u njohur, psikologji për t’u zbuluar, këndvështrime ku ia vlen të ndalesh, një shkrimtar për t’u “takuar”… Për të gjitha këto arsye, një ndër poetët e njohur bashkëkohorë italianë, Dante Maffia e ka gjetur te Saga e Mustafajt, leximin që nuk duhet lënë mënjanë.
Si e ka parë ai librin e shkrimtarit shqiptar? Titulli i artikullit të botuar prej tij në mediat italiane, lidh leximin me reflektimin dhe interpretimin.
Ja çfarë shkruan poeti italian:
***
“Piccola saga carceraria”, e Besnik Mustafajt, e lexuar nga Dante Maffìa
“Para së gjithash përgëzime për Caterina Zuccaro-n që e ka përkthyer në mënyrë të patëmetë këtë libër jo të thjeshtë (Piccola saga carceraria, Castelvecchi, 2018, pp. 204, Euro 18.50), dhe ka ditur të respektojë atmosferën, dritëhijet dhe mënyrën e karakterizimit të protagonistëve, pa i shtrembëruar synimet zanafillore, pa i shtuar apo hequr kuptim morisë së detajeve që ndjekin njëri-tjetrin me ritëm të shqetësuar. Pikërisht prej këtij ritmi arrijmë të hyjmë në botën të cilën Besnik Mustafaj kërkon që ta vizitojmë por jo prej së jashtmi, jo si dikush që bën një shëtitje, por si dikush që kupton se dramat dhe tragjeditë janë një zinxhir i pafundmë kur i frymëzon politika, sëmundja infektive e pushtetit i cili, duke u verbuar, të ngul dhëmbët dhe të cungon pa e vrarë mendjen.
Romane mbi burgjet tashmë ekzistojnë pafund: regjimet autoritare gjithnjë i kanë nxitur narratorët që të përpiqen të depërtojnë në arsyet absurde të ligësisë që i bëjnë xhelatët të jenë të pamëshirshëm. Në këtë rast, besoj, Besnik Mustafaj e ka huazuar frymëzimin e tij nga klasikët, nuk e di, nga Dostojevski, Solzhenicini, Samuel Agnoni, Manuel Scorza. E them këtë sepse kumtet nuk kanë të bëjnë dhe nuk ngulmojnë së tepërmi te periudha historike të cilës ai i referohet, por e kapërcejnë atë epokë dhe bëhen simbole të një kondicioni human, përmasë dhe emblemë e një mënyre të ligë të konceptimit të jetës dhe fshirjes së tjetrit, të zerimit të jetës që varet nga humori i shefit. E theksoj nënvizimin e këtij aspekti në mënyrë që të mos e përziej në havanin e memorialistikës së burgut tout court këtë roman që di të lëvizë në plane të ndryshme dhe arrin të bëhet një afresk joshës dhe interesant sidomos i shpirtit njerëzor. Në të vërtetë, çdo ngjarje, e vogël ose e madhe, që ka të bëjë me protagonistët, përshkruhet me një pasuri interpretimesh, dmth: veprimet nuk janë vetëm reflekse të kushtëzuara nga përditshmëria, por esencë e një përshkimi psikologjik që autori di ta përimtojë dhe ta kompozojë në mënyrë shembullore.
Le të marrim skenën më befasuese, më të jashtëzakonshme të të gjithë romanit: nata e dashurisë që Luli dhe Linda duhet të kalojnë bashkë në burg. Nuk është rrëfyer si një pjesë që duhet t’i japë kuptimin romanit, por si një detaj lumturie fatkeqe që duhet të ndodhë për ta përqeshur strukturën. Mustafaj nuk bie në ngasjen për të dalë nga shtrati dhe për t’i ndezur faqet me kënaqësi vezulluese erotike, por ndjek, hap pas hapi, trazimet e shpirtit aq sa thotë: “këtu s’ka dashuri… ky nuk është vend për dashuri”.
Duhet të them se sensi i masës është udhërrëfyesi që thur fillin e ngjarjeve, që shpërbën dhe rikompozon lidhjet familjare, fotografon së thelli shpirtrat e gjithsecilit me një aftësi prej psikologu të përkryer që, edhe në këtë rast, nuk shpërdorohet. Jo, Mustafaj i rri besnik nevojave të rrëfimit, nuk sheh vëngër, nuk denoncon haptas, por bën të flasin ngjarjet, ndjenjat, rastet, për ta bërë edhe më dërrmues. Pak a shumë sikurse ndodh edhe te romani shumë i bukur i Kadaresë ku janë ëndrrat pasqyra e tmerrshme dhe e ankthshme e fëlliqësisë së pushtetit.
Libri është kompleks dhe pavarësisht titullit, nuk është tamam një “sagë e vogël burgu”, por një sagë që identifikon një vend të tërë, një qytetërim të tërë. I gjithi me një penë të mprehur, me një elegancë që i bën të besueshme fjalët, idetë dhe veprimet, vihet dukshëm mes atyre që më pëlqen t’i quaj klasikët e rinj, ata të modernitetit, që di të hetojë përtej angazhimit të marrë për t’u distancuar nga ngjarjet. Një fjalë duhet thënë edhe për poezinë që i paraprin leximit të romanit: është poezi politike në kuptimin e mënyrës lorkiane, pa tone fjalimesh, pa thirrje zhurmëmëdha.
Pra, përshëndes me gëzim një shkrimtar që me një teknikë kompozimi të përkryer di të bashkojë frymëzimin, ndjenjën e ndezur në shpirt, në një përzierje me një efikasitet të rrallë narrativ në gjendje për ta bindur lexuesin që të besojë, siç ka ndodhur me Ivan Denisovic-in, se “burri burrë mbetet, ka s’ka qeveri atje lart”, sikurse përsërit Hyqmeti, për ta bërë të besojë vendosmërisht se nga një natë e turbullt seksi mund të lindë me të vërtetë një krijesë prej guri, ose siç do të thoshte Kobo Abe, prej rëre.”, shkruan Dante Maffia, për librin “Një sagë e vogël burgu” të Besnik Mustafajt…
***
Kush është Dante Maffìa…
Dante Maffia, konsiderohet sot si një ndër poetët më të mëdhenj italianë, me të cilin Italia krenohet, i njohur edhe përtej kufijve të vendit (Europë dhe Amerikë) për shkak të përkthimeve të veprës së tij.
Qysh në krye të herës, kur u shfaq si poet, nuk i munguan vlerësimet. Sidomos e kanë vlerësuar poezinë e tij emra të tillë mes të cilëve Leonardo Sciascia, Mario Luzi, Claudio Magris, Alberto Moravia, Alberto Bevilacqua… të cilët kanë shkruar parathëniet e librave e Maffia-s.
Narrator dhe eseist gjithashtu, Maffia ka themeluar dhe drejtuar revista të rëndësishme. Ndërsa librat, autor i të cilëve është, kanë merituar një pafundësi titujsh e çmimesh sikurse Viareggio, Pino d’Oro, Premio Librex Montale etj.
***
Ndërsa takimi aktual i lexuesit italian me Mustafajn është nëpërmjet “Piccola saga carceraria”, ai i lexuesit shqiptar me të është nëpërmjet dy librave të sapodalë nga shtypi, romanit “Gjinkallat e vapës” dhe intervistës “Letrat e mia kredenciale”.