Aktualitet

“Preva gishtat që mos të këndoja për Enverin”





               Publikuar në : 16:20 - 12/12/19 |
mapo.al

Çfarë s’mund të jepte një i burgosur që e kishte pasion kitarën, të luante një herë me të! Këtë e dinte edhe komanda e burgut, që nuk i mjaftonin mundimet fizike të të burgosurve, por donin edhe t’i poshtëronin dhe torturonin psikologjikisht, ndaj ia lanë në dorë kitarën Tomi Kondakciut duke i kërkuar të këndonte për Enver Hoxhën. Atëherë, Tomi preu mollëzat e gishtërinjve vetëm që të mos e plotësonte atë kërkesë. Dhe nuk ishte ky i vetmi rast kur sakrifikoi për të mbrojtur dinjitetin. Tomi Kondakci tregon për kujto.al vuajtjet e viteve të tij të burgut që zgjodhi t’i përballonte pa bërë kompromise


Intervistoi: Najada Pendavinji



Tomi Kondakci është një nga të persekutuarit e regjimit komunist për të cilin portat e burgjeve komuniste do të hapeshin që në moshën 19-vjeçare duke iu ndërprerë në mes ëndrra për të ndërtuar të ardhmen larg Shqipërisë së diktaturës komuniste e cila nuk i jepte mundësinë për të zhvilluar artin e tij: muzikën. Ai ka lindur në vitin 1959 në qytetin e Korçës. Kalvari i vuajtjeve dhe persekutimit të tij fillon pikërisht ditën e arrestimit, 21 prill 1980 duke u dënuar me akuzën e tentativës për arratisje dhe agjitacion/propagandë. Tomi Kondakci dënimin e tij e vuajti fillimisht në burgun e Spaçit dhe më pas në kamp burgun e Qafë-Barit, duke u bërë edhe një nga dëshmitarët okularë të revoltës së Qafë-Barit  për të cilën përpos të tjerave thotë që mendohet se ishte e programuar nga vetë Ministria e Brendshme për të bërë eliminimet e radhës të cilat do të ishin të pamëshirshme. Tabloja e dhunës dhe sfidës për të mbijetuar nga burgjet komuniste e dëshmuar nga ai është aq tragjike saqë kalon çdo përfytyrim. Sot ai është 60 vjeç dhe vazhdon aktivitetin e tij muzikor në qytetin e Korçës duke jetuar atë që regjimi komunist pavarësisht dënimit, nuk e zbehu dot: pasionin për kitarën dhe këngën.


Tomi Kondakci dhe grupi muzikor i atyre viteve

Z. Kondakci, cila është arsyeja e arrestimit tuaj?

Arsyeja… regjimi komunist ishte një regjim politik i cili dhunën dhe terrorin e kishte si qëllim në vetvete që nuk e ushtronte vetëm mbi personat që ishin pontencialisht të rrezikshëm për sistemin, por edhe kundrejt atyre individëve që thjesht mendonin ndryshe. E njëjta gjë më ndodhi dhe mua. Isha 19 vjeç kur u përfshiva në vorbullën e hakmarrjes komuniste e cila shërbente për të mbajtur gjallë vrullin e terrorit. Kështu jam dënuar për herë të parë në 1980, për tradhtinë ndaj atdheut, në formën e arratisjes jashtë vendit, mbetur në fazën e tentativës dhe agjitacion/propagandë. Ishin vitet ’79-’80 dhe shoqëria shqiptare ishte e survejuar, jo e lirë në mendime dhe veprime. E vetmja mënyrë për të qenë i lirë ishte arratisja nëpërmjet kufirit. E dija që nuk do kisha të ardhme në Shqipërinë komuniste për vetë pasionin që unë kisha: këngën dhe kitarën. Kisha kohë që e mendoja një gjë të tillë, të cilën nuk e kisha biseduar as me prindërit. Destinacioni do të ishte sigurisht Amerika. Nuk u nisa i vetëm, erdhën edhe dy nga shokët e mi, njëri prej të cilëve ishte Vat Kola djali i Marash Kolës, kryetar Dege, të cilët e shprehën që kishin të njëjtën dëshirë. Kështu që nuk na mbetej gjë tjetër veçse të realizonim atë që kishim në mendje. Itinerari do të ishte Korçë–Pogradec–Tushemisht–Ohër–Jugosllavi. Kemi ecur në këmbë deri në momentin kur kam kuptuar se shokët nuk i kisha më mbrapa meje, më kanë lënë te Bunkeri i Pogradecit. Ata më kishin spiunuar te Sigurimi i Shtetit. E vetmja gjë që mendova në ato çaste ishte të vazhdoja rrugën që nuk e dija as vetë ku do më çonte. Vazhdova me not dhe pas 3 km që kisha bërë u kapa në flagrancë për të kaluar kufirin.

Tomi Kondakci ne moshen 19 vjecare

Çfarë ndodhi në hetuesi?

Hetuesia e kohës ishte vendi ku njeriu mund të pësonte një transformim të personalitetit të tij si pasojë e torturave, rrahjeve, poshtërimit moral, përbuzjes, presionit psikologjik që ushtrohej mbi të, për të pranuar krime të cilat nuk i ka bërë kurrë. Menjëherë pas arrestimit më çuan në Degën e Brendshme këtu në Korçë. Birucat e Korçës ishin të tmerrshme. Për mua nuk ishin të panjohura për arsye se ato ndodheshin përballë shtëpisë sime. Na ndante vetëm një mur ku dëgjoheshin fare mirë britmat dhe ulërimat e secilit prej të dënuarve që ndodheshin brenda birucave. Hetuesit e çështjes sime ishin Petrit Lila nga Vlora dhe Arqile Dine. Hetuesia ka vazhduar gati 8 muaj. Pyetjet ishin nga më të ndryshmet të cilat kishin një synim të vetëm: të pranoja se kisha bërë krime kundër shtetit. Në fakt unë e pranova se qëllimi im ishte të arratisesha nga vendi për një jetë më të mirë në vendin e largët, Amerikë. Sigurisht që këtu u acarua situata pasi ata nuk mund ta pranonin se ne ishim të pakënaqur nga sistemi komunist dhe nuk pajtoheshim me të. Pyetjet shoqëroheshin me rrahje dhe goditje derisa ata thoshin: “mjaft!”.

Si u zhvillua gjyqi? Cili ishte prokurori dhe gjykatësi që vendosi dënimin tuaj?

Pas përfundimit të hetuesisë, u zhvillua gjyqi. Gjyqi u bë shembullor dhe u quajt gjyq me dyer të hapura. Ai u realizua në ambjentet e Gjykatës së Korçës ku merrnin pjesë e gjithë shoqëria ime dhe shumë njerëz të tjerë të cilët nuk i njihja por ata më njihnin pasi unë e kam ushtruar aktivitetin tim muzikor deri në një periudhë. Sigurisht që pati edhe paragjykime dhe ofendime nga ana e tyre, por për këtë arsye shërben gjyqi me dyer të hapura: në poshtërimin përpara njerëzve dhe më kryesorja në frikësimin e pjestarëve të tjerë të shoqërisë duke i treguar se çfarë i priste nëse vepronin si unë. Gjykatësi dhe prokurori i çështjes ishin Vera Halili dhe Vaskë Pano. Vendimi që mori Gjykata e Korçës ishte dënimi për“tradhëti ndaj atdheut në formën e arratisjes së mbetur në tentativë”dhe për “agjitacion/propagandë” me 12 vjet burg.

Ku e vuajtët dënimin, në çfarë burgu apo kampi?

Dënimin e kam vuajtur në dy prej burgjeve dhe kampeve më të egër të asaj kohe, Spaçi dhe burgu i Qafë-Barit. Fillimisht më çuan në burgun e Spaçit. Ne ishim të rinj dhe të aftë për punë, kështu që m’u desh të provoja punën e vështirë në galeri ku të rrezikohej jeta nga çasti në çast. Ishin të tmerrshme kushtet e punës dhe mbijetesës në minierën e Spaçit. Përsa i përket ushqimit ishte i “bollshëm” pasi duhej energji për të përballuar punën me turne, e cila nuk paguhej aq sa ne meritonim sepse grabitej shpërblimi. Nuk kam qëndruar shumë, gati  2 vite e gjysmë, por nëse do të donit t’jua përshkruaja situatën që mbizotëronte në Spaç, mund t’ju them me plot bindje se në këtë kamp pasqyrohej më së miri politika kriminale e komunistëve të cilët ishin “hiena” që nuk ngopeshin kurrë me jetë njerëzish. Në këtë kamp ashtu siç mund të këtë ndodhur edhe në kampet e tjera komuniste, ishin të shumta aksidentet gjatë punës në galeri për të cilat jo vetëm që nuk merrej asnjë masë sigurie, por shërbenin edhe si një hakmarrje ndaj të dënuarve. Por përpos të tjerave ishte edhe jeta kolektive e cila të ndihmonte ta ndaje sado pak dhimbjen dhe rrjedhën e jetës që vazhdonte pavarësisht gjithçkaje. Prandaj unë dua të përmend bashkëvuajtësit e mi si: Muhamet Pojani, Petrit Bazelli, Sherif Merdani, Vasil Jano, Fevzi Alizoti, Visar Zhiti etj… me të cilët kam ndarë jo vetëm burgun por e kemi ruajtur atë miqësi edhe pas tij.

Si e kujtoni burgun e Qafë-Barit?

Menjëherë mbasi u mbyll burgu i Ballshit, edhe një pjesë e të burgosurve të Spaçit shpërngulen për në një tjetër kamp që ishte kampi i Qafë-Barit. Nga një ferr në një ferr tjetër. Pjesë e këtyre të burgosurve do isha edhe unë. Ditën që e mora vesh se do shkonim në Qafë–Bari kisha takim me familjarët e mi, ishte rrugë e largët dhe për këtë arsye kishte erdhur vetëm babai. Ata e përjetuan shumë keq dënimin tim, por lavdi Zotit nuk u prekën nga sistemi si pasojë e persekutimit tim pasi dihet se përndjekja e regjimit komunist nuk mbaronte me burgosjen e atij që kishte bërë “fajin”, por vazhdonte edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes. Sigurisht që unë babait nuk ia përmenda pjesën e transferimit sepse do ndiheshin shumë keq dhe nuk doja që të mundoheshin të vinin deri në Qafë-Bari pasi ishte jo vetëm mundim nga ana e tyre  por edhe shpenzim i tepërt. Qafë-Bari ishte një vend i vendosur mes maleve nga të cilat vinte një acar i tmerrshëm. Në këtë kamp mund të them se ishim rreth 900 të burgosur ku shfrytëzoheshim për të nxjerrë mineralet nga shkëmbinjtë, por me mjete primitive. Pra të burgosurit mbanin peshën më të madhe në nxjerrjen e mineraleve, duke realizuar planin vjetor që kishte vetë Dega e Brendshme. Në Qafë-Bari ndodheshin katër biruca njëra prej të cilave quhej “biruca e akullit”, të cilën e kam provuar edhe unë për 30 ditë. Motivi ishte tepër banal: “mosrregullimi i krevatit”. Në këtë birucë futeshe vetëm me rrobat e trupit dhe gjatë natës bëje ecejake pasi i ftohti ishte i tmerrshëm. Përsa i përket revoltës unë isha pjesëmarrës në të si gjithë të tjerët dhe mund të them me plot bindje se vërtet të burgosurit kishin një mijë arsye për të shpërthyer në revoltë, por iniciatorët e saj të vërtetë ishin vetë personat e Ministrisë së Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, të cilët mendonin se kishte erdhur momenti për të asgjësuar mizorisht “disidentët” që sipas tyre rrezikonin pushtetin komunist…

Ka pasur tentativa për të të bërë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit?

Po, ka pasur. “Portat” e Sigurimit të Shtetit ishin të hapura për këdo që do të godiste kundërshtarët e regjimit. Sigurisht që në këmbim të kësaj kishe përfitime të ndryshme. Mua më ka ndodhur që gjatë kohës që vuaja dënimin në burgun e Spaçit më thërrasin në organet e Sigurimit të Shtetit për t’u bërë spiuni i tyre, por jo vetëm kaq: ata kërkonin nga unë të dilja dëshmitar në gjyq kundër shokut tim, Kiço Mihallarit. Sigurisht që unë nuk pranova pavarësisht presioneve që ata bënë ndaj meje. Mund t’ju duket e pabesueshme pasi në gjendjen që ishim ne, një vijë e hollë na ndante për të pranuar në këmbim, ndoshta edhe të lirisë… por ndërgjegjja dhe humaniteti nuk mund të zbehej për asnjë lloj përfitimi që mund të vinte nga ai regjim i cili tentonte të ngurtësonte edhe gjënë më të shenjtë, ndjenjën njerëzore. Si pasojë e mospranimit tim për t’u futur në vorbullën e spiunimit, jam ridënuar me dy vite burg, ku, nga 12 vjet që ishte vendimi i gjykatës, u bënë 14 vjet burg. Unë isha i lumtur pavarësisht ridënimit pasi nuk humba miqësinë me shokun tim dhe më kryesorja dinjitetin tim.

Keni ndonjë ngjarje të veçantë që ju ka mbetur në mendje?

Ngjarje ka plot pasi nuk ishin ditë që kaluam në burgjet komuniste, por ishin vite. Por unë do të të përmend një situatë e cila jo vetëm që më ka ngelur në mendje, por është  edhe pjesë e trupit tim. Kur isha në burgun e Spaçit duke qëndruar nëpër kapanone me bashkëvuajtësit e mi, na vijnë personat e komandës të cilët kishin me vete vegla muzikore: e para ishte kitarë dhe tjetra firzamonikë. Afrohen duke ma dhënë mua kitarën dhe firzamonikën një tjetri. Ata e dinin shumë mirë që unë dija t’i bija kitarës dhe na kërkojnë që të këndojmë një këngë për Enver Hoxhën. Ky ishte poshtërim. Pavarësisht sa më kishte munguar kënga dhe kitara unë jo vetëm që nuk do t’i bija, por edhe sikur të më jepnin dënimin më të madh nuk do këndoja për atë njeri. Dhe ashtu bëra: i kërkova shokut tim Feim Salianjit që ndodhej atje, të m’i priste mollëzat e gishtërinjve me sqepar. Ai e kishte shumë të vështirë ta bënte një gjë të tillë, por e detyrova pasi nuk kishte mundësi tjetër si të veproja. Edhe sot më kanë ngelur shenjë e së kaluarës që sa herë i shikoj ndihem krenar që e bëra atë gjë. Kështu që kënga për atë njeri nuk u realizua dhe nuk do realizohej kurrë nga ana ime. Kishte edhe të tilla ndodhi nëpër burgjet komuniste, por që duhet të dije të mbijetoje me nder.

Si vazhdoi jeta juaj pasi u liruat?

Jam liruar në vitin 1987 me dekret të Kuvendit duke bërë vetëm 7 vjet e 8 muaj burg nga 14 vjet që u dënova pasi përfitova nga puna që unë bëja, por edhe nga amnistitë që po realizoheshin në atë kohë. Ky lajm më ka rënë si “rrufe nga qielli”, pasi nuk e prisja një gjë të tillë. Kthimi në shtëpi është një ndjesi e veçantë, atje ku të presin nëna, babai, familjarët, por edhe miqtë e vjetër. Përballja me jetën e pasburgut ishte edhe më e vështirë sesa e mendoja pasi njolla e biografisë do të ngelej një kallo e madhe që duhej kohë për ta pastruar. I tillë ishte ngritur regjimi komunist që edhe pas rënies së tij të linte gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive të vetë shoqërisë shqiptare ku shtresa e të persekutuarve do të shihej gjithnjë si “armiqtë e popullit”…


Etiketa: ,

Pas