Universiteti Europian i Tiranës me anë të një ekspozite me punimet artistike të studentëve të tij, ka prezantuar Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale. Ka qenë një punë prej dy vitesh e këtij universiteti për të bërë të mundur themelimin e një fakulteti që iu përket tërësisht shkencave humane, ku sipas Dekanit të këtij fakulteti prof. asoc. dr. Dritan Egro, shkencat humane sot kanë misionin e tyre kryesor, atë të krijimit të inxhinierëve të shoqërisë.
E pranishme ishte edhe shkrimtarja e njohur, Mimoza Ahmeti.
“Jam shumë e gëzuar që marr pjesë në këtë event, i cili thyen rutinën e deritanishme të vazhdimësisë së fakulteteve që ka patur UET, falenderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ata që arritën këtë ngjarje. Henri, që si gjithmonë i ka hapat e shpejta. Nuk e pengon dot as burokracia as barrierat e tjera. Unë jap sociologji, jap psikologji, jap menaxhim biznesi.. pasi e kam bërë cross-knowledge. Dhe besoj se e di çfarë është vlera e një Fakulteti të Humaniteteve. Po mendoja përpara disa ditësh për një profesor fizike që inistonte që unë të merresha me fizikën e relativitetit, pasi kisha mundësi të merrja pjesë në shumë vende dhe ngjarje pa qenë fare aty. Pse nuk u bë jeta ime me fizikën apo me një shkencë tjetër? Nuk u bë sepse në përgjithësi shkencat e kanë objektin jashtë. Po si mund të diskutojmë për një hapësirë fizike pa marrë parasysh subjektin që percepton ose mendon për të. Po ja që kështu është bërë, që subjekti jo vetëm nulifikohet, por edhe kur e ka bërë gjetjen, ai do të dalë në një aksiomë apo sintezë të përgjithësuar dhe duhet zhdukur fare autori. Dy-tre autorë të fizikës njohim… Çfarë ndodh me letërsinë, artin, humanitetin?
Objekti është brenda, të qenit e objektit brenda, nxjerrja e tij jashtë shton botë në botë. Ul dhunën e të menduarit, ul dhunën në keqkuptim, ul intrigat… A ka gjë më të bukur se sa një profesor i humaniteteve, i cili fillon të flasë dhe harron nga paranteza se cili ishte objekti. Kjo ka qenë për mua një nga lumturitë më të mëdha të jetës sime. E kam provuar p.sh me Alfred Uçin, me Fatri Sinanin apo edhe profesorë të tjerë në atë kohë kur sistemi punonte shumë për semantikat, qoftë edhe në atë mënyrë të ngurtë, edhe të kristalizuar njëherë e përgjithmonë. Çfarë perspektivash kemi përpara me këtë fakultet? Ky fakultet ka shumë detyra. Le të marrrim Departamentin e Historisë. Gjithë historia shqiptare është plot prerje, tjetërsim, kamuflazh, harrim, pluhur, përbaltje, egoizëm, intriga, dhe palë të cilat në nje farë mënyre kanë absorbuar palët në një mënyrë të padrejtë. Le të marrim letërsinë. Sa e sa shkrimtarë i kemi të gjigandët, që i kemi bërë mezor të vegjël dhe i kemi futur në kutiçka të padukshme dhe i mbajmë aty si antika dhe mundësisht mezi presim që të bëhet një lëvizje dhe ato të mund të mos ishin. Ky është absurditeti më i madh dhe më fatkeq që kam ndeshur në të ashtuquajturit kolegë të mi, sepse në art besoj që ka një egoizëm aq të fuqishëm sa s’ka kolegë. Dhe kjo e bën artin art, e bën diçka shumë të bukur. Nga një anë kemi humanitet, nga një anë kemi tërheqjen e jashtëzakonshme nga historia, nga tradita, nga më e mira, por nga ana tjetër kemi dhe sfidën e madhe për të kuptuar tjetrin, për t’i lënë hapësirë tjetrit, për të dorëzuar diçka nga gjithë armët, përkrenaret, historicizmin, të cilin e kemi në muzetë e shpirtrave tanë.
Duam apo s’duam ne, jemi përpara një paradoksi shumë të fuqishëm, bota moderne mendon që s’ka më humanitet, por nga ana tjetër ne nuk kemi të drejtë t’i heqim iluzionin e humanitetit atij që e ka, sepse humanitet ka. Një nënë sublimohet për fëmijën, një grua mund të vdesë nga kanceri vetëm që burri i saj të ketë mundësinë e pafundme, pra sakrifica dhe identifikimi ekziston. Por nga ana tjetër kemi të madhërishmen Nënë Tereza, e cila e ka përplasur erashkën me një sfidë shumë të madhe
përpara të gjithë humanitetit njerëzor duke thënë, kjo është legacia juaj, kjo është shoqëria?
Pra ky fakultet sjell një informacion shumë të madh të shoqërisë përballë pasqyrës së saj që të transformohet, të zbutet dhe të bëjë vend për të gjithë. Atëherë me shumë të drejtë, duke iu bashkuar opinionit të pararendësve, dekonstruktivizimi që sot është edhe më i fuqishëmi se kurrë pretendon që subjekti do krijojë botën, punën, institucionin, punën e tij. Por në këtë mes është dhe loja e ligjeve, pushteti, dhe këtu variablat nga linearë dhe kazualë, bëhen kompleksë, të tmerrshëm, por aty është edhe gjithë bukuria që të ndeshesh me to,” tha ajo.
Kurse publicisti Preç Zogaj tha se kjo është një ditë e rëndësishme.
“Me të vërtetë mendoj se është një ditë e rëndësishmë jo vetëm për Universitetin Europian të Tiranës, por për letërsinë në përgjithësi, lind një fakultet i Gjuhë-Letërsisë në një universitet privat në Shqipëri. Është fakulteti i parë i një universiteti privat në historinë e Shqipërisë. Unë kam disa arsye që për të qenë i lumtur dhe për këtë arsye dhe jam ftuar të përshëndes, sepse kam patur ëndrrën më të madhe të jetës që të studioj për gjuhë-letërsi dhe kam fjetur edhe në tokë për këtë ëndërr, në moshën e rinisë.
Diçka kam arritur, por nuk ia dola që të studioja në auditore në fakt, por më vonë kam menduar që nuk kam qenë vetëm i pafat që nuk shkova në shkollë në auditor si moshatarët e mi, por kam qenë dhe me fat sepse kjo më krijoi mundësinë që të mos kem shumë kontakte me programe shabllone të universitetit shtetëror, me shijet e vjetruara shpesh herë me standardet e ngurta të mësimdhënies. Por të zhvilloj një lloj universiteti timin si të thuash dhe mund të vetëpromovohem sot jo si paraardhësi i universitetit tuaj, si themelues i një universiteti privat për veten time, duke lexuar studiuar duke konsultuar tekste libra që nuk ishin pjesë e programit shkollor dhe e përmend këtë sepse i jap rëndësi shumë të madhe mësimit alternativ dhe mendoj se ka një universitet ku shkon ajo që quhet alter-teksti është letërsia, dhe këto të tjerat, por sidomos letërsia që është shumë e pasur, shumë e gjerë, dhe mendoj se UET ka shansin t’i mësojë të rinjtë me letërsi të mirë, me letërsi moderne me shije të mirë, kjo është një sfidë e madhe. Unë sot nuk do bëj gjykime, por do bëj një si tip parabole. Është një kritik amerikan që thotë unë nuk e di se kush është poezia, por mund ta gjej atë nëse e kontrolloj mes 100 vjershave apo bejteve, ose skarciteteve, mediokriteteve. Unë konstatoj që në vendin tonë janë pak ata që e gjejnë këtë poezi mes 99 skarciteteve dhe janë shumë ata që gjejnë 99 skarcitetet dhe nuk gjejnë dot atë njëshin që është poezia. Prandaj jam optimist, jam shpresë-plotë se Universiteti Europian i Tiranës do të shënojë një sukses në këtë sfidë. Unë uroj rrugë të gjatë dhe fat të mbarë,” tha Zogaj.