Primaret brenda partisë apo elektoratit dhe më pas në kandidaturat për kryeministrin do ishin një shpëtim për PD në situatën e krijuar, por mund të favorizonin jo pak edhe kreun aktual Lulzim Basha.
Ëndrra e tij për postin e kryeministrit duke qenë në krye të partisë po venitet dita ditës dhe po bëhet më e largët, jo vetëm se mbart një seri humbjesh radhazi, por dhe për shkak se mbajtja me çdo kush e postit të kryetarit po e bën forcën politike që ai drejton “lesh e li”.
Vetë Basha mund të jetë një menaxher i mirë administrativ por kjo gjë s’mund të thuhet dhe për lidershipin e tij. Pra mund të jetë një zbatues i mirë i direktivave, ashtu siç bënte kur ishte ministër i Transporteve në ndërtimin e “Rrugës së Kombit”, apo si Ministër i Jashtëm kur u anëtarësuam në NATO, apo dhe në rolin e Ministrit të Brendshëm kur u liberalizuan vizat.
Gjithashtu ka në karrierë disa fitore elektorale në zgjedhje si në 2005-ën, rezulati i Elbasanit në 2009-ën, apo dhe fitorja e Bashkisë së Tiranës në 2011-ën.
Të gjitha këto i arriti nën lidershipin e Berishës.
Personalizimi që ai i bëri arritjeve të qeverises 2005-2013 si autori i “Rrugës së Kombit”, i anëtarësimit në NATO, apo i liberalizmit të vizave tingëllonte e pabesueshme në publik pikërisht se në vetvete mbartte gjysëm të vërteta.
Të gjithë e dinë se Basha ishte një nga menaxherët por ideologu ishte tjetër kush.
Provë se ai është i ndërgjegjshëm për këtë fakt është tërheqja nga kandidimi në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Nuk kërkoi një mandat të dytë si Kryetar Bashkie, por nxori Halim Kosovën megjithëse përballë nuk kishte Edi Ramën, por një çunak si Erjon Veliaj. E njëjta gjë nuk ndodhi vitin 2007 ku në të njëjtat pozita si Basha, Rama fitoi Bashkinë e Tiranës përballë Sokol Olldashit.
Tërheqja Bashës duhet të ishte një kambanë për atë që do vinte më pas.
Në kushtet që është PD zhvillimi i zgjedhjeve të pakontestuara dhe mes shumë alternativave do ishte shpëtimi i vetëm. Të gjithë e dinë se ato që u zhvilluan në korrik nuk mund të quheshin shprehje e vullnetit të lirë. Mbajtja e partisë me idenë e vulës, po çon në një erozion të pandalshëm bazën e demokratëve. Ata kryetarë degësh që raportojnë të kundërtën thjeshtë gënjejnë duke shtyrë në gabime të tjera fatale kryesinë dhe kryetarin. Të vesh “festën mbi sy” me mendimin se kemi amerikën mbrapa në këtë proçes është vetëvrasje politike. SHBA-së nuk i duhen komandatë pa ushtri, të pashpresë së mund të bëjnë rotacion.
Në një sistem demokratik edhe më analfabeti politik e di se nëse synon karrigen kryeministrit më parë duhet të fitosh. Që të arrish këtë objektiv, pra fitimin e zgjedhjeve ke vetëm dy rrugë. E para është fryma që duhet të përcillet mes njerëzve dhe e dyta llogaritë matematikore elektorale. Në zgjedhjet e fundit Rama mund të mundej edhe vetëm me këtë të fundit, ndërsa në rast se do ishte edhe fryma atëherë fitorja e opozitës do ishte dërrmuese.
Por për frymë nuk bëhej fjalë. Strategjia e ndjekur në diskursin e kreut të opozitës ishte skandaloze. Nuk tha asgjë konkrete, duke u përqëndruar në një fushatë të squllët, që mbështetësit e tij u justifikuan me pozitivizmin që kërkoi të përcjellë.
Fjalimet nga lart poshtë, hipur në karrocerinë e makinave, duke treguar dhe një lloj distance me njerzit nuk zgjuan entuziazëm. Mungesa e ekipit me të cilin do qeveriste ishte jo pak penalizuese. Nuk foli se çfarë do bëhej me abuzimet e këtyre tetë vjetëve, ku do shkonin përgjegjësit e tyre. Fushata përgjithësisht u perceptua si një vazhdimësi e korrupsionit aktual duke tulatur jo pak nga votuesit e pavendosur. U lanë pas dore pronarë, të përndjekurit apo të tjera kategori të cilat përbëjnë shtyllat e së djathtës. U harruan skandalet, apo karshillëqet qeveritare “alla “Nusret” me varfërinë.
Në matematikën e elektorale llogaritë u bënë po ashtu gabim. U lanë pas dore aleatët, veshën petkun e kandidatitati individë që zor se i votonte familja e tyre dhe lanë jashtë të tjerë që kishin jo pak mbështetje në publik.
Kryetarët e degëve u trajtuan ca të nënës e ca të njerkës. Për disa vlente udhëzimi për të dhënë dorëhqjen nga posti në rast se do donin të kandidoheshin, dhe për disa të tjerë ky udhëzim u bë nul. E njëjta situatë, të njëjtat veprime si në vitin 2017, vetëm se në zgjedhjet e 2021 marrja e 59 deputetëve së bashku me aletatët nga ana e PD e ndihmoi jo pak zullumi 8-vjeçar i Ramës.
E vetmja zgjidhje për të bërë realitet ëndrrën kryeministrore të Bashës duket se janë ndryshimi i statutit dhe lejimi i primareve. Pra le të hyjë në garën për kryeministër, duke mos qenë kryetar partie. Të ketë pas vetes një kryetar tjetër që di të bëjë lidershipin dhe di të kanalizojë energjinë drejt fitores, qoftë ky Berisha apo dikush tjetër çrëndësi ka. Duhet një kryetar që nuk mbyllet brenda mureve të zyrës sa herë vijnë zgjedhjet për të hartuar lista preferenciale dhe që i rri larg kulisave apo marrëveshjeve që dëmtojnë dhe zhgënjejnë elektoratin.
Me katër humbje në kurriz, Basha s’ka çfarë jep më si lider partie. I ka ardhur koha e përballjes dhe e testimit. Ashtu siç bëjnë republikanët francezë, konservatorët anglezë, të djathtët polakë, italianë dhe amerikanë.
Ndoshta Basha mund të ketë kohë dhe mundësi të presë që pushteti t’i vijë vetë kur Ramës t’i mbushet mendja ta lëshojë, por demokratët nuk e kanë këtë luks.