“Kam parë me qindra dhe mijëra herë videon e vrasjes së djalit tim. Personi që e qëlloi është Dejvi Bitraj”.
Kështu deklaroi sot nga salla e gjyqit babai i Marvi Mihalit, i riu që humbi jetën pas sherri për një karikues telefoni.
Sot në Gjykatën Tiranës kanë dëshmuar prindërit e tij, të cilat janë shprehur se e kanë marrë vesh lajmin kur kanë qenë në Sarandë me pushime.
Pavllo Mihali u shpreh se nga videoja duket qarte qe Dejvi Bitraj ka qenë personi që ka qëlluar me thike Marvin teksa po përpiqej të shuante konfliktin. Fillimisht është qëlluar, sipas tij nga Eugen Bitraj dhe me pas nga Dejvi Bitraj. Pavllo Mihali, ish-rekordmeni i kercimit me shkop tha ne gjykate se katër te akuzuarit janë kontingjent kriminal dhe ishin nisur për të vrare natën e sherrit duke qenë të gjithë të armatosur.
Ndërsa nëna e Marvi Mihalit ka thënë se djali i saj u godit dhe u tërhoq zvarre edhe pasi u qëllua me thikë nga Dejvi Bitraj. Sipas saj ai është rrahur deri sa ka dhëne shpirt nga katër të pandehurit. Ajo bëri apel që të katër të akuzuarit të dënoheshin për vrasje me paramendim.
Marvi Mihali u vra më 31 korrik të vitit 2017 në zonën e stadiumit “Dinamo”. Miku i tij, Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Dejvi Bitrajt, por nuk i kishte dhënë karikuesin. Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar tek Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë këtë të fundit.
Sapo ka mbërritur Mihali, Haxhiu ka goditur me grusht një prej të dyshuarve, ndërsa Marvi ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe aty është goditur me thikë nga Dejvi Bitraj.