Malësi e Madhe– Prindërit e njërit prej djemve që mendohet se është zhdukur dhe vrarë në fshatin Vrith, dyshojnë se autori i krimit është i afërmi i tyre, Danjel Pepaj, i cili rezulton po ashtu i zhdukur.
I ati i Klement Pepajt u shpreh për mediat se Danjel Pepaj është parë me armë në fshat, dhe se dyshimet më të mëdha për humbjen dhe vrasjen e të birit i ka për të.
Nush Pepaj gjithashtu tha se nuk ka qenë në dijeni për konflikte mes palëve. “Këta në Malësi të Madhe më kanë thënë se ka pasur konflikt”, u shpreh ai duke iu referuar dëshmive të banorëve të zonës.
I ati i Klement Pepajt tregoi se u vendos në dijeni për zhdukjen e Danjel Pepajt nga i ati i tij, “djali i axhës”.
“Kam pas kontakte me djalin e axhës në Malësi të Madhe. Ai tha se për dy javë djalin nuk e ka pa. Ai e ka ditë se djalin e ka në Shqipëri. Dyshimet më të mëdha tek Danjeli i kam. Ndoshta gaboj”, tha Nush Pepaj teksa i kërkoi publikisht ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, të vendosë në dispozicion çdo mjet, qoftë për t’ia sjellë trupin e të birit në shtëpi, nëse ky i fundit mund të jetë vrarë.
E ëma e Klementit u shpreh se momenti i fundit kur e kanë parë të birin, ishte kur u komunikoi se do të dilte për një kafe me Vilson Çutajn, të zhdukurin e tretë.
“Tha se po dilte të pinte një kafe me Vilsonin dhe se do të vinte. Nuk kemi ditë gjë, vetëm kur ka ardhur policia në 3 të natës. Atë natë nuk kishim drita dhe u ulëm me fjet. Kur këqyrëm, nuk ishte djali aty. Shkuam në komisariat. I kallëzuam çfarë ditëm. Ne nuk dinim kurrgjë”, tha ajo.
LEXO EDHE:
Zhduken 3 persona, 2 prej tyre mund të jenë vrarë. Çfarë dyshojnë familjarët dhe Policia
Etiketa: Klement Pepaj, malesi e madhe, Nush Pepaj, Video, zhdukje