Gjykata ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Arbër Kotin, i cili akuzohet se vrau me thikë Idajet Dullën, 4 ditë më parë në qytetin bregdetar. Burime për Mapo, bëjnë me dije se Arbër Koti nuk është pranuar të vuajë dënimin në burgun e qytetit bregdetar. Koti është djali i ish-drejtorit të burgut të Durrësit, Astrit Koti. Për këtë arsye, mësohet se ai është transferuar në burgun e Fushë-Krujës.
I njëjti vendim, pohojnë burime për Mapo, është marrë edhe për Sergio Tatasin, i cili akuzohet se bashkëpunoi në vrasjen e 39-vjeçarit Armando Baboçi dhe plagosjen e Erald Gjinit, një javë më parë në Durrës. Ai nuk është mbajtur në burgun e Durrësit, pasi nëna e tij është punësuar si guzhiniere në këtë burg dhe është dërguar në atë të Fushë-Krujës. Tatasi akuzohet për ‘vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje’.
Si ndodhën dy ngjarjet kriminale
Më 19 shtator 2020, Idajet Dulla, baba i dy fëmijëve, është konflitkuar me Arbër Kotin për një rrugë. Situata ka agravuar, dhe ky i fundit, e ka qëlluar me thikë në zemër Dullën, duke e lënë të vdekur në vend. Trupi i viktimës, u gjet nga bashkëshortja dhe disa familjarë pranë shinave të trenit në zonën e Plepave në Durrës.
***
Më datë 28 shtator, Armando Baboçi dhe djali i tij Erald Gjini, pas një konflikti çasti me disa persona, mbetën të plagosur me armë zjarri në Durrës.
Pak minuta më pas, Baboçi ndërroi jetë në duart e mjekëve, pasi nuk mundi ti mbijetojë plagëve të rënda, teksa po kryhej ndërhyrja kirurgjikale.