Mediat islandeze kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me vrasjen e shqiptarit 40 vjeçar mesnatën e së shtunës në Reykjavík. Shqiptari sapo kishte parkuar makinën dhe po futej në shtëpi në orën 23:57 kur u qëllua me armë zjarri.
Autori i kishte bërë pritë në prag të shtëpisë. Shqiptari la pas gruan shtatzënë dhe një fëmijë të vogël. Gruaja dhe fëmija i tij ishin në shtëpi kur u qëllua për vdekje jashtë banesës.
Pavarësisht dërgimit me shpejtësi në spital, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. 40-vjeçari identiteti i të cilit nuk publikohet u qëllua në shpinë dhe qafë me armë zjarri.
Fqinjët e familjes shqiptare që jetonte prej disa vitesh në Reykjavík u shprehën se nuk i kishin dëgjuar krismat. Deri tani janë arrestuar 3 persona, ndërsa një i katërt që dyshohet se ka lidhje me vrasjen ndodhet në paraburgim.
Pista e parë ku po hetohet lidhet me prishjen e pazareve të drogës, pasi sipas medieve ishte i lidhur me botën e krimit në Islandë.
LEXO EDHE:
Ekzekutohet shqiptari në Islandë, lë pas një fëmijë dhe gruan shtatzënë