Shkëlqimi i HEC-ve me koncesion, aty ku paratë “rrjedhin” nga uji
Nga Adi Darsi, REVISTA MAPO
Një flamur turk vizatuar në kodrat e Mirditës, u prit me protesta të banorëve. Atë që osmanët nuk e kishin bërë me shpatë, e realizuan pasardhës të tyre… por me një investim. Pati ekstremistë që shkuan të fshinin flamurin me gjysmëhënë që rrinte përkrah atij shqiptar, ndërkohë që ndoshta të afërm të tyre po prisnin fundin e muajit, të merrnin pagën e radhës. Kishte lindur kështu përmes vështirësive një nga investimet e mëdha private në prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Në mars 2018, kompania turke “Ayen Energy” përfundoi së ndërtuari dhe futi në prodhim në kapacitet të plotë HEC Fangu, me kapacitet 74,6 MWh. Fjala ishte për HEC-in me kapacitetin më të madh të prodhimit, i vënë në punë nga një kompani private, duke tejkaluar edhe kapacitetin e HEC-ve të Banjës dhe Ashtës. HEC-i i Fangut, me fuqinë e instaluar që kishte, u rendit menjëherë i katërti për nga kapaciteti i prodhimit, pas HEC-ve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Por rekordi i tij si HEC-i më i madh privat në vend, nuk do të qëndrojë për shumë kohë. Kompania norvegjeze “Stakraft” përfundon HEC-in e Moglicës në Devoll, i cili ka kapacitet të instaluar prej 172 MWh dhe një prodhim mesatar vjetor prej 475 GWh, që thyen një tjetër rekord për një prodhues të madh në sektorin privat, ndërkohë që e njëjta kompani ka në prodhim edhe HEC-in e Banjës me kapacitet vetëm 70 MWh. Në vitin 2018 numri i hidrocentraleve që prodhonin energji arriti në 152, nga 146 që ishin më 2017 dhe prej tyre vetëm katër më të mëdhenjtë janë pronë shtetërore e KESH, ndërsa të gjithë të tjerët menaxhohen nga sektori privat.
Ndërtimi vijon
Në një raport të Agjencisë së Burimeve Natyrore të publikuar në muajt e parë të vitit 2018 thuhej se, që nga viti 2002 deri më 2018 ishin firmosur 183 kontrata koncesionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve, me kapacitet 2165 MWh. Sipas të njëjtit raport 117 hidrocentrale nga këto, tashmë janë futur në prodhim, 43 janë në proces ndërtimi, ndërsa për 364 të tjerë ndërtimi ende nuk ka filluar. Ndërkohë në regjistrat e Entit Rregullator të Energjisë për 2016 rezultonte të kishte 139 hidrocentrale private. Këtu futen ato të reja dhe ato të ndërtuara para viteve ‘90, që janë privatizuar apo dhënë me koncesion. Por shifrat janë dinamike dhe ndryshojnë pothuajse për çdo muaj. Subjektet private ndërtojnë dhe vënë në prodhim hidrocentrale të madhësive të ndryshme, duke e shtuar listën e tyre vazhdimisht. Kështu në vitin 2018 numrit të hidrocentraleve të përfunduar dhe në prodhim iu shtuan edhe njëmbëdhjetë prodhues të tjerë të madhësive të ndryshme. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në rrjetin e transmetimit janë lidhur shtatë hidrocentrale, të cilët u përkasin katër subjekteve. Ndërkohë pjesa tjetër janë hidrocentrale të reja, që janë lidhur për herë të parë në rrjetin e shpërndarjes.
Çmimet
Ndërtimi masiv i hidrocentraleve private nisi gjatë mandatit të parë të qeverisë Berisha dhe nuk mungoi shumë që rezultatet të dukeshin. Pas një krize të madhe energjetike, nxitja për të investuar në sektorin e energjisë pati një stimul të fuqishëm edhe rregullimin e çmimeve. Kështu pasi hynë në funksion prodhuesit e parë private, u vendos që çmimi me të cilin do të blihej energjia prej tyre nga KESH, të ishte 9.3 lekë për kilovat. Tregu i garantuar, çmimi i caktuar dhe prodhuesve nuk u ngelej tjetër, vetëm të hidhnin energji në treg dhe të ndiqnin rrjedhën e parave. Por, politika do të ofronte surprizat e veta. Pas ndryshimit të qeverive më 2014-n, Enti Rregullator i Energjisë mori një vendim të pazakontë, duke rishikuar me ulje çmimin e energjisë elektrike që KESH jepte ndaj HEC-ve të vogla deri në 15 megavat/orë. Nga 9.3 lekë për kilovat/orë që ishte çmimi për periudhën rregullatore 2012-2014, ajo u bë 7.95 lekë për kilovat/orë, që do të thoshte një ulje rreth 14% e fitimeve për këto subjekte prodhuese të energjisë. Ndërkohë më pas me ndryshimin e modelit të tregut, energjia e të vegjëlve nuk do të blihej më nga KESH por nga OSHEE. Në 2018-n, ndër vendimet e tjera të ERE-s ishte edhe rritja e çmimit me të cilin do të blinte OSHEE, duke e bërë nga 7,9 lekë në 8,5 lekë për kilovat/orë. Me një tarifë rreth 15% më të shtrenjtë se vitet e mëparshme, subjektet kanë marrë një frymëmarrje të re.
Paratë
Rritja e prodhimit është direkt rritje e fluksit të parasë për këto subjekte. Ndonëse me luhatjet e çmimeve progresi i prodhimit nuk ka qenë paralel me rritjen e të ardhurave, përsëri sektori privat i energjisë elektrike është aq fitimprurës sa askush nuk dyshon, që ia vlen të investosh. Me vetëm 342 milionë lekë të fituara në vitin 2006, në 2013 privatët gjeneruan 20 herë më shumë, plot 6.6 miliardë lekë. Falë çmimit, rritja e të ardhurave e tejkaloi ndjeshëm rritjen e prodhimit. Ndërkohë sipas tabelës së ERE-s, kulmi i të ardhurave të sektorit privat të energjisë, që shet në tregun e brendshëm është arritur në 2016, kur këto subjekte kanë arkëtuar 10.6 miliardë lekë. Pas një rënie në 2017, shifrat optimiste rikthehen edhe në 2018. OSHEE për 2018 nga këto hidrocentrale ka blerë 1/3 e energjisë që ka hedhur në treg, me vlerë përsëri mbi 10 miliardë lekë. Duke marrë në konsideratë edhe sasitë e mëdha të prodhuara nga subjektet e tjera private, që nuk shesin në tregun vendas, çmimi për të cilat është çmimi i tregut rajonal, tashmë prej më shumë se 5 vitesh prodhuesit privatë të energjisë, e kanë tejkaluar nivelin e të ardhurave prej 100 milionë euro në vit. Një fluks parash që rrjedh nga uji.
Moooos, harruam mjedisin!
Është një zhvillim spektakolar në aspektin e ndërtimit, po kaq rezultativ edhe sa i takon fluksit të parave dhe të energjisë së gjeneruar. Por është një zhvillim vërtet i egër nëse e masim me kriteret mjedisore. Prej vitesh ashtu si në rastin e Mirditës me kompaninë turke, ndërtimet e hidrocentraleve të reja janë shoqëruar me protesta të banorëve. Që në nisje të koncesioneve në këtë sektor, shteti dhe rregullatorët u shfaqën të dobët duke e lënë gjithçka në dorë të privatëve, të cilët përcaktonin se ku mund të ndërtohej një HEC, mjafton që të kalonte një rrëke uji. Në fakt studimet e plota të bëra për të gjithë lumenjtë e vendit, përgjatë kohës së sistemit socialist, kur edhe kanë nisur investimet e mëdha në energji, ose më e pakta nuk njiheshin, ose u fshehën qëllimisht. Koncesionet u zhvilluan me gjithë ashpërsinë e tyre në dëm të mjedisit. Aktualisht koncesionet po nxisin që Vjosa, ndër të paktët lumenj të pandërprerë me diga në Europë, të mos jetë më i tillë. Ndërtimi nuk ka kursyer as zonat e mbrojtura dhe ndërhyrja në lumin e Valbonës ka qenë ndoshta me flagrantja. Por zëri i protestave vazhdimisht ka shkuar në vesh të shurdhër. Institucionet rregullatore e kanë humbur plotësisht funksionin e tyre përballë flukseve të mëdha të parave, që jo rrallë kanë korruptuar. Politika e ka parë ndërtimin e HEC-ve, më shumë si një mundësi për të bërë para, sa herë janë ndërruar ministrat kontratat kanë kaluar “në sitë” dhe pas saj puna ka vijuar përsëri, pa u shqetësuar shumë për mjedisin. Nuk i ka shpëtuar këtij trendi as ministrja aktuale e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila me marrjen e detyrës shpalli nisjen e një procesi skanimi, për të gjitha kontratat koncesionare të HEC-ve. Ndërkohë në Mirditë, Gramsh e Gjirokastër protestat e banorëve në mbrojtje të mjedisit janë në vazhdim.