Seancat terapeutike, duhet të ndiqen me rigorozitet këshillat dhe programet e logopedistit, me qëllim arritjen e rezultateve optimale. Ndryshimi i shpeshtë i terapistëve të të folurit, apo programeve terapeutike, si dhe lënia përgjysmë e terapisë pengojnë në ecuri dhe si rrjedhojë kemi mungesë të rezultateve
Një defekt në të folur sjell vështirësi në aspektin mësimor, në rezultate dhe në atë social. Ajo ka pasoja veçanërisht në rezultatet e lëndëve mësimore, te të cilat, gjuha dhe të kuptuarit e saj është me rëndësi. Logopedja, logopedi me një sqarim mund t’i diagnostikojë defektet në të folur dhe bën sipas nevojës terapi individuale ose në grup. Këshillimi i prindërve dhe i mësuesve është një komponent i rëndësishëm kryesor i logopedisë. Logopediste Antigoni Bullari në një intervistë për MAPO shpjegon se si terapia e logopedisë i përkrah fëmijët dhe të rinjtë me të meta në të folur, në zhvillimin e tyre gojor dhe në shkrim, si i mbështet aftësitë komunikuese dhe se si ajo e forcon vetëbesimin dhe zhvillim e tyre personal. Po kështu logopedja Bullari sqaron veçanërisht prindërit, të cilët duhet të jenë mjaft të kujdesshëm në vitet e para të jetës së fëmijës dhe duhet t’i drejtohen logopedistit në rastet kur fëmija nuk flet apo belbëzon, apo kur ka probleme me gëlltitjen; sidomos në momentin që hyjnë në parashkollor apo ciklin e ulët fillor, duhet të jenë vigjilentë nëse kanë performancë të ulur në klasë, pra kur kanë vështirësi në të shkruar, në lexim apo në të kuptuar, si dhe nëse janë hiperaktivë e të papërqendruar. Sa më e hershme të jetë ndërhyrja logopedike, aq më të dukshme janë rezultatet e rehabilitimit.
Kush ka nevojë për logopedi dhe cilat probleme merr përsipër të trajtojë ajo?
Logopedia është dega e mjekësisë që merret me parandalimin, edukimin dhe trajtimin e çrregullimeve të lidhura me gjuhën verbale dhe joverbale, komunikimin te fëmijët dhe të rriturit. Problematikat me të cilat merret logopedisti janë:
Çrregullime të të folurit – kur një person ka vështirësi prodhimin e fjalëve, tingujve saktë ose të rrjedhshëm (p.sh. belbëzimi ) ose ka probleme me zërin (disfoni, afoni) dhe kanë nevojë për rehabilitimin e kordave.
Çrregullime të sjelljes – kur një person ka probleme me përdorimin social të komunikimit verbal dhe joverbal. Të gjithë individët me çrregullim të spektrit të autizmit kanë probleme të ndërveprimit social.
Çrregullime kognitive (të trurit) – kur ka probleme për të organizuar mendimet, në përqendrim, në memorie, në zgjidhjen e problemeve. Këto çrregullime mund të jenë të shkaktuara nga goditje të ndryshme, dëmtime gjatë lindjes ose keqformime të lindura.
Çrregullime të gëlltitjes (disfagia) – kur ushqehen dhe gëlltiten me vështirësi, të cilat mund të ndjekin një sëmundje, kirurgji, goditje ose lëndime.
Çrregullime të gjuhës verbale tek individët të cilët nuk dëgjojnë ose kanë vështirësi në dëgjim.
Çrregullime të rënda ekspresive dhe / ose gjuhë të kuptuarit, të tilla si çrregullim të spektrit të autizmit ose çrregullime progresive neurologjike.
Si mund ta kuptojnë prindërit që fëmijët e tyre kanë nevojë për logoped?
Prindërit duhet të jenë mjaft të kujdesshëm në vitet e para të jetës së fëmijës dhe duhet t’i drejtohen logopedistit në rastet kur fëmija nuk flet apo belbëzon, apo kur ka probleme me gëlltitjen. Në momentin që hyjnë në parashkollor apo ciklin e ulët fillor, duhet të jenë vigjilentë nëse kanë performancë të ulur në klasë, pra kur kanë vështirësi në të shkruar, në lexim apo në të kuptuar, si dhe nëse janë hiperaktivë e të papërqendruar. Sa më e hershme të jete ndërhyrja logopedike, aq më të dukshme janë rezultatet e rehabilitimit.
Përveç terapive me logopedi, çfarë trajtimesh paralele bëhen?
Kjo është në varësi të problematikës që shfaq pacienti. Nëse është një fëmijë që shfaq çrregullim të spektrit të autizmit shoqërohet gjithnjë me terapi sjelljeje, nëse shfaq ADHD (Çrregullim i vëmendjes i shoqëruar me hiperaktivitet) shoqërohet me psikomotricitet dhe terapi medikamentoze. Në rastet e Afazive tek adultët, si pasojë e aksidenteve vaskulo-cerebrale AVC, terapia e të folurit shoqërohet me fizioterapi.
Çfarë mund të prishë apo pengojë trajtimin, lënia përgjysmë, presioni, mungesa e rezultateve…?
Shumë i rëndësishëm është bashkëpunimi prind-logopedist-fëmijë dhe logopedist-pacient (në rastin e adultit), ku përtej seancave terapeutike, duhet të ndiqen me rigorozitet këshillat dhe programet e logopedistit, me qëllim arritjen e rezultateve optimale. Ndryshimi i shpeshtë i terapistëve të të folurit, apo programeve terapeutike, si dhe lënia përgjysmë e terapisë pengojnë në ecuri dhe si rrjedhojë kemi mungesë të rezultateve.
Ku ofrohet ky shërbim; ofrojnë institucionet publike ne vend?
Aktualisht kjo është një nga sfidat e kësaj dege. Logopedisti punon në studio e klinika private, në shkolla speciale (si p.sh. Shkolla speciale Luigj Gurakuqi në Tiranë), në fondacione (si p.sh. Shoqata e Logopedistëve Shqiptarë, Fondacioni Fëmijët Shqiptarë, Down Syndrome Albania etj.) dhe në disa prej spitaleve private si pjesë e ekipit rehabilitues. Një institucion shtetëror në varësi direkte të Ministrisë së Shëndetësisë ku punon Logopedisti është Qendra Kombëtare e Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve (QKMZHRF) në Tiranë.
Megjithatë, mungon si figurë mjekësore në spitalet shtetërore, përkatësisht në Pediatri, Neurologji, ORL dhe Repartin Rehabilitues, por besoj se gradualisht do te bëhet pjesë e ekipit multidisiplinar, duke qenë se kërkesat janë te larta. Gjithashtu duhet të jetë si specialist i shëndetësisë edhe ne kopshte dhe ciklin e ulët shkollor .Aktualisht kemi 1 fëmijë me sindromin Down në 1000 lindje gjallë dhe rreth 4-5 shtrime në ditë për AVC në Spitalin Neurologjik. Dhe të mos harrojmë Çrregullimet e Spektrit të Autizmit të cilat kanë një prevalencë në rritje (p.sh. 1 në 68 fëmijë në SHBA, 1 në 160 fëmijë në botë), por edhe në vendin tonë.
Këshilla
Duke qenë se nevoja për logopedistë është në disa profile, duhet të ofrohen më shumë trajnime për profilizimin e tyre.
Lind e nevojshme identifikimi nëpërmjet hartimit të Urdhrit të Logopedistit, e ndarja prej Urdhrit të Infermierit, duke qenë se janë dy profile të ndryshme.
Dhe sigurisht vendosja si figurë mjekësore në institucionet e lartpërmendura.