Ditët e fundit është kthyer në një çështje të rëndësishme të betejës politike, një pagesë në një zyrë lobimi në Washington, nga Partia Demokratike. Aq e rëndësishme u bë kjo temë, sa që zuri një pjesë të kohës së diskutimeve në Parlament për buxhetin 2018, a thua se ishte gjëja më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, ndërkohë që, të tjera do të duhet të ishin debatet politike në atë seancë.
Por, duke qenë se politika ka armën e saj më të fortë në betejën e saj garën e moralistit, nuk mund ta linte të shpëtonte një rast i tillë.
Mazhoranca, duket se e kapi në shkelje morale Partinë Demokratike, duke qenë se aksioni politik i Partisë Demokratike në kohët e fundit është bazuar në denoncimet për korrupsion, implikim të saj në krim etj. Në këtë kuptim, për mazhorancën, opozita, nuk ka asnjë të drejtë morale të kritikojë atë për moralitet.
Ky debat politik, si shumë të tjerë, është një nga problemet me fiktive që politika konsumon çdo ditë, duke qëndruar në këtë mënyrë, larg problemeve të vërteta të qytetarëve shqiptarë. Ky problem është një problem fiktiv për shumë arsye.
Në radhë të parë, çështja e lobimit të partive politike shqiptare, tashmë është kthyer në një praktikë normale, dhe këtu s’ka asnjë gjë për t’u shqetësuar. Një pjesë e madhe e buxhetit të tyre shkon në favor të kompanive të komunikimit dhe zyrave të lobimit në Washington. Tanimë që politika, nuk është asgjë tjetër përveçse komunikim apo lobim, as partitë politike shqiptare nuk mund të përjashtohen nga ky fenomen. Aq më tepër kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lobimi është legjitim. Ndoshta ka ardhur koha ta mendojmë seriozisht çështjen e lobimit ligjor edhe në vendin tonë. Me siguri do të shmangte shumë nga problemet që kemi tani. Mirëpo, hipokrizia e një shoqërie moraliste, nuk do ta lejojë kurrë këtë.
Në radhë të dytë, nga dokumentet, thuhet se një pagesë e tillë është bërë përpara kohës së fushatës zgjedhore. Kështu që, nuk ekziston asnjë detyrim ligjor që kjo pagesë të regjistrohet përpara se kjo parti të mbyllë bilancin e saj vjetor. Partitë politikë deklarojnë vetëm shpenzimet e fushatës zgjedhore në Komisionin Qendror Zgjedhor përgjatë saj. Të gjitha shpenzimet e tjera deklarohen në bilancin e fundvitit, që nuk është mbyllur ende.
Në radhë të tretë, pagesa e lobimit apo jo, nuk zgjidh çështjen e korruptimit të partive politike. Çështja kryesore e saj është mungesa e një ligji siç duhet të financimit të partive politike. Një ligj i cili të disiplinojë mekanizmat kontrollues të këtyre financimeve. Mirëpo, asnjë nga palët politike nuk ka vullnet të aprovojë një ligj të tillë. Kështu që, debate të tilla janë të gjitha për konsumim politik të ditës, dhe nuk zgjidhin aspak thelbin e kësaj çështjeje.
Thënë këto, Partia Demokratike, ka për detyrë të bëjë transparencën e asaj pagese. Duhet të presim të lexojmë bilancin e saj vjetor. Sepse të bësh aksionin politik opozitar duke u bazuar te moraliteti, kërkon gjithashtu që ky aksion të jetë i tillë. Në të kundërt, gjendja e politikës shqiptare nuk do të ndryshojë. Ideja zakonisht te qytetarët shqiptarë, se të gjithë janë njësoj, do të vazhdojë të jetojë edhe për shumë kohë, në dëm të interesit publik.