Kodi që përdorej për kutitë e votimit ishte ‘dhia’ ose ‘delja’. Në një nga audio-regjistrimet e përgjuara dhe publikuara nga mediat perëndimore, dëgjohet një zë teksa kërkon që ‘delet të dërgohen në mal dhe të vijnë poshtë të mbushura’. Nga ana tjetër e receptorit, pasi misioni u krye, vjen përgjigjia: “Çmimi i deleve dhe dhive ishte rritur ndjeshëm këto kohë”.
Ndoshta po mendoni se personat e përgjuar janë Edi Rama, Pjerin Ndreu, Damian Gjiknuri apo Xhemal Qefalia. Gaboheni. I pari që flet është një nga njerëzit më të afërt të Ashraf Ganit, presidentit të diskredituar të Afganistanit që braktisi vendin e tij. I dyti është një zyrtar zgjedhor. Ky është vetëm një nga episodet me zgjedhjet skandaloze që mbaheshin në Afganistan. Në një rast tjetër, gazetari i Nju Jork Tajms udhëtoi në zonën që kontrollohej nga Tarakeli i Çmendur (çdo ngjashmëri me Avdylajt apo me Ymer Lalërat është rastësi). Kutitë e votimit ishin mbushur plot që në momentet e para, kurse Tarakeli i Çmendur u krenua se njerëzit kishin votuar masivisht, edhe pse gazetari nuk pa asnjë njeri vërdallë për një kohë të mirë.
Teksa bota po dëshmon rënien e Afganistanit në duart e talebanëve, ka plot analiza se përse ka ardhur ky dështim kaq i rëndë. 2 trilion dollarë të shkuar dëm dhe mijëra jetë të humbura u zeruan brenda pak ditëve. Të flasësh për situatën në Afganistan është sport i vështirë dhe i komplikuar, por ekspertët bien dakord për disa gjëra.
E para, demokracia nuk imponohet me luftë. E dyta, stabilokracia është shumë më e brishtë nga sa mendohet. E treta, sado miliarda të hedhësh për të ndërtuar institucionet, për të forcuar ushtrinë e policinë, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat, ato treten në ujë plotësisht nëse një vend ka qeveri antidemokratike. Pikërisht për këtë arsye, po shtohen gjithmonë e më shumë zërat e arsyeshëm në mbarë botën që theksojnë nevojën për ta nisur gjithçka nga e para, duke kërkuar dhe imponuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si baza e një shoqërie demokratike. Pa hedhur themelet me zgjedhje të lira dhe të ndershme, çdo gjë është e shkuar dëm.
Kjo nuk e zbeh aspak faktin se qëllimet e Perëndimit dhe të SHBA janë të mira. As faktin që SHBA dhe pjesa tjetër e botës perëndimore mbeten motori më i fuqishëm për demokratizimin e planetit. Kontributi i SHBA dhe Perëndimit për lirinë dhe të drejtat e njeriut në botë ka qenë, është dhe do jetë i pazëvendësueshëm. Por siç thotë autori i njohur Brian Klaas, ndonjëherë Perëndimi me politikat e tij po bëhet bashkëpunëtori kryesor i despotëve në botë dhe autor i rrënimit të demokracisë.
*
Mëngjesin e së dielës, kryeministri Edi Rama e nisi ditën më keq se jerm. Me një gjuhë të zezë plot mllef, sulmoi qytetarët e vendit të tij me epitete nga më të rëndat, duke i quajtur llum dhe talebanë të gjithë ata që kishin rezerva për mbërritjen e afganëve në vend. Një ditë më parë, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau kishte lajmëruar në FB mbërritjen e mijëra afganëve. Një ‘shitstorm’ me komente kundër Trudeau kishte mbushur llogarinë e tij online. Megjithatë nuk mund të presësh kurrë që Trudeau të ngrihet në mëngjes dhe të vjellë vrer ndaj qytetarëve të tij.
Demokracia është sport i vështirë për arsyen e thjeshtë se duhet të ndash hapësirën publike edhe me ata që nuk mendojnë si ti. Pse duhet të jenë të shqetësuar kanadezët e pasur dhe të mos ankohen shqiptarët e varfër? Që të pretendosh se Edi Rama është demokrat, kjo është si të thuash se një lavire është e virgjër. Pale kur ankohej në postimin e zi se mediat po shkruajnë kundër tij, kur dihet se për lirinë e medias në raportet e ndërkombëtarëve jemi afër me sivllaznit e afganëve. Por qytetarët kanë të drejtë të ankohen se e dinë se kanë një kryeministër që i bën gjërat në fshehtësi dhe gjëmat i mësojnë kryesisht nga media perëndimore. Kur i paska merak shqiptarët, pse nuk e paska diskutuar me ta këtë histori që kur e kishte propozuar në samitin e NATO-s? Apo nuk është e nevojshme të merret me shqiptarët, sepse ai është një lider kaq global, sa kishte qenë i pari që kishte ngritur shqetësimin për afganët, përpara amerikanëve, gjermanëve e francezëve??!!
Nuk e di sa të mallkuar paskemi qenë me këtë fat të zi, por diçka është e sigurt: Rama nuk e ka marrë asnjë vendim për mbërritjen e muxhahedinëve apo afganëve sepse është një shqiptar i mirë dhe vepron sipas zakoneve tona. Po të ishte shqiptar i mirë, nuk do e kishte katandisur Shqipërinë në të parin narkoshtet në Europë dhe në vendin më të varfër dhe më të rrjepur. Por ai e bën këtë vetëm për interesin e tij personal. Nuk është koincidencë që periudha kur Rama thotë se ka marrë muxhahedinët iranianë me iniciativën e tij përkon me kanabizimin e Shqipërisë si Afganistani i opiumit, teksa ndërkombëtarët qepnin gojën dhe nuk flisnin.
Të jeni të sigurt se ato qindra komente që keni lëshuar kundër Ramës në rrjetet sociale, janë printuar dhe dërguar nëpër ambasada e kancelari të huaja për të treguar se edhe Edi Rama po lufton me talibanët e tij, se edhe ai ka llumin që duhet ta zhdukë, se prandaj na duhet stabilikracia, se vetëm Rama bën shtet. Kjo nuk është një histori e re. Që kur ka nisur të sundojë si kryebashkiak, këtë gjë bënte para të huajve, u ankohej se sa e vështirë është që të zbusësh shqiptarët, se e rëndë është që të qeverisësh këtë vend, se sa të egër janë shqiptarët që nuk e duan të bukurën, artin dhe ligjin.
Kjo është arsyeja se përse do i marrë afganët, të cilët duhet thënë se e meritojnë ndihmën e shqiptarëve. Por Ramës i duhet kjo kartë në emër të stabilokracisë, mjafton që të huajt të mos flasin për zgjedhjet e vjedhura, për krimin, korrupsionin dhe drogën. I duhet për të thënë se të huajt marrin vendimet e mëdha për Shqipërinë, kurse ai u bindet. Teksa Rama pushonte dhe vendi digjej, ishte ambasadorja amerikane që kujdesj për emergjencat civile, për shërbimin e brendshëm të policisë, për vendimet politike, për jetën kulturore në vend, aq sa edhe Rama e ka ndjerë këtë teprim kur deklaroi plot zemërim të mërkurën se vendimin për afganët nuk e kanë marrë amerikanët, por ai vetë. Po pra. E kush e ha këtë gjë?! Shqiptarët e dinë se të huajt kujdesen për stabilokracinë, kurse Ramës i kanë lënë vjedhjet, korrupsionin, krimin e drogën. Bash si Ashraf Ganit!/Syri.net/