Rreth 50% e gjithë rasteve me humbje të dëgjimit mund të shmangen nëpërmjet parandalimit parësor. Shkaqet e humbjes së dëgjimit mund të ndahen në shkaqe të lindura dhe të fituara
360 milionë njerëz në mbarë botën kanë humbje të dëgjimit, prej të cilëve 32 milionë janë fëmijë, që në 50 % të rasteve mund të parandalohet. Humbja e dëgjimit mund të rezultojë nga shkaqe gjenetike, komplikacione gjatë lindjes, disa sëmundje infektive, infeksione kronike të veshit, përdorimi i disa mjekimeve specifike, si dhe ekspozimi në një ambient të zhurmshëm. Rreth 50% e gjithë rasteve me humbje të dëgjimit mund të shmangen nëpërmjet parandalimit parësor. Shkaqet e humbjes së dëgjimit mund të ndahen në shkaqe të lindura dhe të fituara.
Shkaqe të lindura
Shkaqet e lindura çojnë në humbje të dëgjimit që në lindje. Ato mund të jenë gjenetike ose si pasojë e komplikacioneve që nëna mund të ketë gjatë shtatzënisë dhe lindjes, të tilla si: infeksionet gjatë shtatzënisë si rubeola dhe sifilizi; lindja me peshë të vogël; asfiksia në lindje; përdorimi gjatë shtatzënisë i disa medikamenteve të ndaluara si aminoglukosidet, citostatikët, preparatet kundër malaries dhe diuretikët si dhe ikteri i shprehur (verdhëza) në periudhën neonatale, e cila mund të dëmtojë nervin e dëgjimit në një të porsalindur.
Shkaqe të fituara
Si shkaqe të fituara të cilat mund të çojnë në humbje të dëgjimit mund të përmendim; sëmundjet infektive si meningjiti, fruthi dhe parotiti (shytat); infeksionet kronike të veshit (otitis media me efusion); përdorimi i disa antibiotikëve dhe barnave antimalarike; dëmtimet traumatike të kokës dhe të veshit; zhurmat ekstreme, përfshirë zhurmat në ambientin e punës nga makineritë apo shpërthimet, zhurmat në ambientet ku jetojmë dhe frekuentojmë ( bare, klube nate etj.); mosha; bllokimi i kanalit të veshit me dyll apo me trupa të huaj si dhe te fëmijët, otiti media kronik mbetet shkaku kryesor i humbjes së dëgjimit.
Parandalimi
Rreth 50 % e rasteve me humbje të dëgjimit mund të parandalohen. Strategjitë efektive që ndihmojnë në parandalimin e humbjes së dëgjimit janë; vaksinimi i fëmijëve ndaj sëmundjeve të fëmijërisë si fruthi, rubeola, meningiti dhe parotiti; vaksinimi i vajzave adoleshente dhe në moshën riprodhuese ndaj rubeolës, përpara shtatzënisë; testet depistuese për sifilizin dhe sëmundje të tjera infektive gjatë shtatzënisë; përmirësimi i kujdesit ante dhe perinatal, duke përfshirë praktika të testit të dëgjimit që në lindje; diagnostikimi i hershëm i fëmijëve me otit media, dhe marrja e trajtimit të duhur për këtë diagnozë; shmangia e përdorimit të disa medikamenteve që shkaktojnë humbje të dëgjimit, me përjashtim të rasteve të dhëna nga specialisti, i cili monitoron gjendjen dhe ecurinë e mjekimit; referimi i hershëm i foshnjave me rrezik të lartë për shurdhësi te specialisti. Foshnjat me rrezik të lartë janë ato që kanë në historinë familjare raste me shurdhësi, që kanë lindur me peshë të vogël, me asfiksi në lindje, ikter ose meningjit; reduktimi i ekspozimit ndaj zhurmave të larta nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit ndaj këtyre rreziqeve, forcimi i legjislacionit lidhur me emetimin e zhurmave të forta dhe kushtet në vendin e punës, inkurajimi dhe nxitja e individëve për të përdorur pajisje mbrojtëse për zhurmat si tapa veshësh apo kufje që i reduktojnë zhurmat etj.