Aktualitet

“Procedimi policor” tërësisht antikushtetues





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 09:27 - 13/02/20 |
Ledio Braho

Nga Ledio Braho


Kushtetuta në nenin 148 të saj e ka konceptuar organin e Prokurorisë si të vetmin organ përgjegjës për ushtrimin e ndjekjes penale, pjesë përbërëse e të cilës është edhe hetimi i çështjeve penale. Ndonëse Prokuroria është organ i centralizuar, veprimtaria hetimore është e decentralizuar. Ajo ushtrohet si kryesisht nga vetë prokurori, ashtu edhe nga Policia Gjyqësore. Kjo e fundit funksionon pranë organeve të ndryshme që kryejnë edhe funksione me karakter policor, të tilla si strukturat pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave etj. Pavarësisht strukturave ku ushtron funksionin Policia Gjyqësore, çfarë e karakterizon atë është se veprimtaria e saj hetimore kryhet nën mbikëqyrjen, drejtimin dhe kontrollin e drejtpërdrejtë të prokurorit. Ajo se çka rezulton nga ky projektligj është një term i ri me emrin “procedim policor” që është tërësisht antikushtetues. Pikërisht me anë të këtij termi të ri tentohet që t’i jepen Policisë së Shtetit kompetenca që sipas K.Pr.Penale janë të Prokurorit me autorizim nga gjykata. Siç duket qartë janë kompetenca të një pushteti tjetër dhe madje që autorizohen nga gjykata në çdo rast. Me anë të ndryshimeve të propozuara nga qeveria, një kompetencë e tillë do i jepet edhe Policisë së Shtetit për të kryer “procedimin policor”.



Përveç sa më sipër, krijimi i një komiteti me drejtues ministrin e Brendshëm dhe në përbërjen e të cilit do të jenë drejtuesi i SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, krijon premisa varësie të këtyre përfaqësuesve te prokurorisë nga pushteti ekzekutiv. Kjo varësi duke përfshirë dhe kompetencat për përgjime jo sipas K.Pr.Penale, gjithashtu, do të nënkuptonte një influencë/ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në fazën fillestare të ndjekjes penale, atë të hetimeve paraprake, çka do të ndikonte në krijimin e raporteve të pabalancuara ndërmjet pushtetit ekzekutiv, nga njëra anë, dhe organit të Prokurorisë, nga ana tjetër (tagër ekskluzive e të cilit është ndjekja penale). Një parashikim i tillë bie ndesh me parimin e shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.


Parashikimet e këtij projektligji bien ndesh me parimin e shtetit të së drejtës dhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të sanksionuara përkatësisht në nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës

Jurisprudenca e GJEDNJ-së (shih çështjet Von Hoffen kundër Litenshtejnit, 2 korrik 2006 §.35; Hozee kundër Holandës, 22 maj 1998 § 43), ka theksuar se procesi i rregullt ligjor dhe gjykimi brenda një afati të arsyeshëm shtrihet edhe gjatë fazës së hetimeve paraprake. Kjo do të thotë se garancitë e parashikuara në nenin 42 të Kushtetutës, si dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) zbatohen jo vetëm ndaj proceseve gjyqësore, por edhe në fazat që e paraprijnë, sikurse në ato që e vijojnë. Në çështjet penale këto garanci përfshijnë para së gjithash hetimet e kryera nga Policia.

Gjykimi nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj, është një nga elementet e rëndësishme të procesit të rregullt ligjor, i garantuar nga neni 42 i Kushtetutës. Për rrjedhojë edhe organet e tjera, që nuk janë gjykata, por që ushtrojnë funksione që janë përcaktuese në sferën e të drejtave dhe lirive themelore të individit, duhet të jenë të pavarura dhe të paanshme në veprimtarinë e tyre. Çdo individ ka të drejtë të hetohet nga një organ i pavarur dhe i paanshëm i caktuar me ligj, në mënyrë që ai (organi) të jetë i aftë të veprojë pa asnjë influencë nga kushdo dhe për çfarëdolloj arsye. Me fjalë të tjera këto organe duhet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur nga çdo organ tjetër, si dhe të veprojnë vetëm në zbatim të normave të së drejtës.

Sipas ndryshimeve që propozohen në këtë projektligj, përveç problemeve të trajtuara më lart, bashkimi në një “dorë” i veprimtarisë gjurmuese me atë hetimore, është një zgjedhje e papërshtatshme dhe e papranueshme në një sistem juridiko-penal të bazuar në modelin akuzator, në të cilin kërkohet një ndarje e saktë midis funksioneve të gjurmimit, hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të çështjes. Një bashkim i tillë krijon premisa potenciale për arbitraritet, me pasojë cenimin e të drejtave dhe interesave të ligjshme të pjesëmarrësve në proces, si dhe cenimin e parimit të ligjshmërisë, si parim bazë i procesit penal.

Përderisa një projektligj i tillë paraqet probleme të natyrës së lartpërmendur, të cilat përmbajnë në vetvete rrezikun e cenimit të të drejtave dhe lirive të individit për një proces të rregullt ligjor, ai bie ndesh edhe me nenin 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata Kushtetuese është shprehur më shumë se një herë se parimi i sigurisë juridike kërkon, para së gjithash, që rregullimet ligjore, të cilat, kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve të kenë qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre. Si rregull, nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë ndryshimin e një situate të rregulluar më parë vetëm nëse ndryshimi përmirëson të drejtat e fituara. Sanksionimi i të drejtave dhe lirive të njeriut të pranuara në Kushtetutë dhe shoqërimi i tyre me masat për vënien në jetë të tyre duhet të synojnë përmirësimin dhe rritjen e standardeve të të drejtave në kuadër të forcimit të shtetit ligjor. Nëse masat e marra çojnë në përkeqësimin, në mënyrë të paarsyeshme, të gjendjes ligjore të personave të tjerë, mohojnë të drejtat e fituara ose injorojnë interesat legjitime të këtyre, atëherë do të dhunohet parimi kushtetues i barazisë së të drejtave dhe, në përgjithësi, do të rrezikohet arritja e qëllimit madhor të ndërtimit të shtetit të së drejtës.

I gjithë ky projektligj, cenon rëndë një sërë parimesh kushtetuese dhe me fjalë të tjera tenton që të rikthejë kompetenca që kjo shumicë parlamentare i ka pasur për qëllim t’i përfshinte brenda strukturës së “BKH” në versionin fillestar të këtij ligji, por ky version, pas miratimit të tij, është konsideruar si antikushtetues me vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015 dhe është shfuqizuar pikërisht për sa cituam më sipër. Përfshirja e të tilla kompetencave në varësi të Policisë së Shtetit në një kohë që shumica parlamentare është e garantuar e po ashtu në një kohë që mungon Gjykata Kushtetuese, tregon se qëllimi i kësaj mazhorance nuk është aq ortodoks sa për të parandaluar dhe hetuar krimin e organizuar, por ka qëllim kryesor cenimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas