Editorial

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve shpalos potencialin e PD si parti qeverisëse në 2021!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:15 - 05/08/20 |
Myqerem Tafaj

Një force politike qeverisëse i duhen lidershipi vizionar, idetë (programi qeverisës) dhe ekipi qeverisës. Basha deklaroi dje se PD finalizon, brenda gushtit, programin qeverisës, të cilin ai do ta paraqesë para shqiptarëve, për t’u kërkuar atyre besimin për të qeverisur Shqipërinë fillimisht në katër vitet e ardhshme 2021-2025. Pritet që ky program të jetë një program që mbështetet në parimet themelore liberal-demokrate, dhe ka si bosht zhvillimin e Shqipërisë si një vend i zhvilluar, zhvillimin ekonomik shoqëror të mbështetur në dije, me synim integrimin e vendit tonë në familjen e BE. Unë mendoj se Basha nuk duhet të ndalet në programin qeverisës tradicional, sipas motos: sa më pak faqe dhe vetëm slogane. Një program qeverisës është i plotë vetëm nëse, që më përpara, ai do të shoqërohet me Planet e Implementimit të programit sipas fushave, madje edhe me afatet e sakta dhe buxhetet e nevojshme. Që tani PD duhet të fillojë të përgatisë draftet e ligjeve të reja ose amendamenteve që nevojiten për realizimin e programit, Strategjitë e reja, Planet e detajuara të Implementimit, si dhe të gjithë dokumentet e tjera që duhen për të qeverisur.


Qeverisja e ardhshme PD 2021–2025 duhet parë si një fazë, për të mos thënë një epokë, e re e qeverisjes, para së cilës shtrohen objektiva cilësisht të rinj dhe tejet të vështirë. Ata rrjedhin nga gjendja në të cilën gjendet vendi, me një sistem të drejtësisë të kapur politikisht dhe në kaos, pa GJK dhe GJL funksionale, një borxh afër 80 %, një varfëri të rritur që prek afro 40%, emigracion masiv të të rinjve, mungesë të investimeve të reja të huaja etj. etj. Kjo gjendje po rëndohet akoma më shumë nga pandemia dhe keqmenaxhimi i saj.


Nga ana tjetër, nuk duhet harruar, që Shqipërisë i janë hapur negociatat dhe pritet plotësimi i kushteve për zhvillimin e Konferencës së parë. Zhvillimi i negociatave është “de facto” provimi i qeverisë dhe administratës së saj. Pas vullnetit politik të mazhorancës së re dhe të Kryeministrit, shpejtësia e negociatave do të varet nga cilësia e qeverisjes (Good Governance) dhe niveli profesional i ekipeve të ekzekutivit në nivelin qendror, rajonal dhe vendor. PD në qeverisjen Berisha hartoi me sukses të plotë dhe me një nivel ndër më të lartit në Rajon, paketën e kapitujve për statusin kandidat të BE. Ai ishte një ushtrim i shkëlqyer për qeverinë dhe administratën e asaj kohe. Shumë të rinj të atyre ekipeve janë sot fatmirësisht në strukturat e PD-së. Ata kapituj tani duhet të negociohen. Kjo kërkon që qeveria e PD dhe opozitës duhet të jetë eficiente që në ditën e parë të qeverisjes.


Pas programit qeverisës, Bashës si kreu i mazhorancës së ardhshme politike parlamentare dhe si kryeministri i gjeneratës së re të Shqipërisë, i duhet një ekip për ligjbërje dhe qeverisje, i cili, duhet të përfaqësojë elitën politike dhe profesionale të vendit, të aftë për të qeverisur Shqipërinë si një shoqëri dhe ekonomi të mbështetur në Dije. Pikërisht, këtij qëllimi i shërben procesi që ka nisur PD për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore, i cili përbën një Risi shumë e rëndësishme në politikën shqiptare për shumë arsye. Edhe Komisioni i ngritur nga Këshilli Kombëtar dhe Kryesia e PD është një Risi. Personalitete të spikatura të PD, themelues të saj dhe nga bota akademike do të ndihmojnë strukturat e PD në këtë proces kaq të rëndësishëm.


Unë e shikoj këtë proces shumë të dobishëm, nëse ai do të shfrytëzohet në gjithë hapësirën që ekziston.


Strukturat e PD (Grupseksionet, Degët e PD) kanë evidentuar mbi 2000 individë të spikatur për cilësitë e tyre politike dhe profesionale, anëtarë ose jo të PD. Por PD mund të ftojë dhe të evidentojë edhe po kaq vajza dhe djem të tjerë të talentuar dhe me nivel të lartë profesional nga universitetet, shoqëria civile, sektori privat, profesionistë të lirë, madje edhe të rinj të talentuar që janë larguar nga vendi për shkollim dhe sot punojnë jashtë vendit. Unë jam i sigurt se Basha do të rimarrë me forcë programin “Brain Gain”, real dhe jo propagandistik, për të gjitha nivelet e qeverisjes, për universitetet dhe biznesin. Të rinjtë e talentuar shqiptarë janë një investim i jashtëzakonshëm që kanë bërë familjet shqiptare me kursimet e tyre dhe po të integrohen në vendin e tyre është një kapital njerëzor i jashtëzakonshëm i dhuruar, gati sikur “të zbret nga qielli”.

Ky është një potencial shumë i madh i kapaciteteve njerëzore të PD që kanë evidentuar vetë demokratët. Tani ky potencial i madh politik dhe profesional duhet organizuar, strukturuar dhe shfrytëzuar maksimalisht dhe në bazë të parimeve të menaxhimit modern të burimeve njerëzore. Kjo do të thotë më konkretisht, se PD përmes këtij procesi duhet të arrijë të përzgjedhë më të mirët për grupin e ardhshëm parlamentar, qeverinë Basha dhe ekipet politike, ekipin e nivelit të dytë politik, stafet e drejtimit ekzekutiv të qeverisjes së re në të gjitha nivelet, deri në ato vendore dhe rajonale. Nëse arrihet që ky potencial i evidentuar nga vetë demokratët të strukturohet dhe organizohet për të gjitha këto nivele të përmendura më lart, atëherë mund të themi që ai është shfrytëzuar maksimalisht.

Madje, puna nuk duhet të ndalet vetëm në përzgjedhjen dhe organizimin e këtij potenciali. Ajo duhej të vazhdojë më tej, me trajnimin e tyre për implementimin e politikave të programit të PD sipas niveleve dhe fushave. Mund të jenë përzgjedhur individë me kontribut politik dhe formim arsimor shumë të mirë. Por kjo nuk mjafton. Ata duhet të absorbojnë objektivat dhe planet e implementimit të programit të PD, në mënyrë që “pulsi politik” i tyre të fitojë ritmin që kërkon si Kryeministri dhe lidershipi politik që në ditën e parë në qeverisje. Dukuria që vihet re shpesh në qeverisje, anëtarë të kabinetit, sekretar të përgjithshëm, drejtorë të përgjithshëm, drejtor agjencish qendrore, prefekt dhe drejtues të lartë të ekzekutivit në rajone nuk njohin objektivat e programit qeverisës, afatet e implementimit të tij, u duken të padëgjuara politikat që shpall Kryeministri, e çojnë qeverisjen në dështim. Katër vjet të një mandati janë sa hap dhe mbyll sytë. Nëse kalon viti i parë pa filluar reformat e mëdha, ai mandat është i destinuar të dështojë.

Kjo do të thotë që PD duhet të përdorë me efikasitet maksimal periudhën tetor 2020–mars 2021 për trajnimin intensiv të të gjithë ekipeve sipas niveleve dhe fushave. Fati i madh është që PD mbështetet fuqishëm nga fondacionet e partive simotra, sidomos Fondacioni Konrad Adenuaer dhe Fondacioni Hans Seidel. Me një program të mirëmenduar këto fondacione mund të ndihmojnë në trajnimin e shpejt të të gjitha ekipeve sipas fushave.

Nga përshkrimi i mësipërm për gjithë paketën e programit qeverisës të PD dhe Opozitës, kuptohet se çfarë pune e madhe duhet bërë dhe sa njerëz duhen. 2000 veta nuk mjaftojnë! Nëse organizohet me shpejtësi i gjithë ky potencial njerëzor që kanë propozuar demokratët dhe që do të ftojë PD, ekipet mund të fillojnë të kontribuojnë sipas fushave apo sektorëve që në fillim të vjeshtës, fillimisht në përbërje të departamenteve të PD.

E thënë thjesht. Basha duhet të fillojë që në shtator të punojë jo vetëm si kryetar i PD por edhe si Kryeministri në hije që po përgatitet të hyjë në Kryeministri me një program dhe plan realizimi të tij që fillon që në ditën e parë të punës. Kjo do të thotë që Selia e PD do të jetë shumë e vogël për t’u krijuar mundësi të gjitha grupeve/ekipeve sipas fushave të fillojnë punën me detajimin e programit deri në akte ligjore, nënligjore dhe plane implementimi të detajuar. Kjo kërkon që në Selinë e PD duhet të punohet ditë dhe natë.  Muajt e mbetur nuk janë shumë për t’u përgatitur seriozisht për një qeverisje ndryshe dhe plotësisht eficiente të Qeverisë Basha që në ditën e parë të hyrjes në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë.


Etiketa:

Pas