Aktualitet

Profesionet më të kërkuara, është momenti i shkencave kompjuterike






               Publikuar në : 10:40 - 16/09/19 |
mapo.al

Cilat janë profesionet më të kërkuara dhe si arrijnë universitetet që të përgatisin studentët për të qenë të suksesshëm në tregun e punës? Flet dr. Mustafa Shimshek, Përgjegjës i Departamentit të Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin Metropolitan Tirana.


Teknologjia është pjesë e pandashme e jetës sonë dhe ky tashmë është një fakt i pamohueshëm. Për këdo nga ne, dita nis dhe mbaron të rrethuar me pajisje teknologjike, nga aparatët e thjeshtë celularë e deri te sistemet e mëdha të automatizimit në mjediset e punës. Aspekti më i rëndësishëm i shkencave kompjuterike është zgjidhja e një game të gjerë problemesh, një aftësi thelbësore për jetën. Pikërisht për faktin se teknologjia zgjidh problemet për t’u shërbyer njerëzve, ekziston edhe një anë e rëndësishme njerëzore në shkencat kompjuterike, ku nevojitet përkushtimi, kreativiteti dhe njohuritë e nevojshme teknike dhe shkencore.



Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri e kanë kuptuar rolin që duhet të luajnë në këtë proces, duke ofruar programe studimi në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe trendet globale. Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe IT në Universitetin Metropolitan Tirana prej kohësh është kthyer në një pol për zhvillimin e profesionistëve të rinj në fushat e Inxhinierisë Kompjuterike, Inxhinierisë Software apo Inxhinierisë Elektrike, programe këto të preferuara nga të rinjtë pikërisht për mundësitë e shumta që ofrojnë.

“Studentët e diplomuar në programin e Inxhinierisë Kompjuterike apo në programin e Inxhinierisë Software, mund të integrohen me sukses në shumë sektorë të tregut të punës, që nga bota akademike dhe shkencore, tek industria, institucionet qeveritare dhe organizatat që kanë në fokus zhvillimin dhe testimin e pajisjeve dhe programeve të ndryshme. Të diplomuarit në këto programe kanë njohuri teknike dhe shkencore mbi inteligjencën artificiale, arkitekturën e kompjuterëve, robotikën, sistemet e operimit apo rrjetat”, thotë Dr. Mustafa Shimshek, Përgjegjës i Departamentit të Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin Metropolitan Tirana.

Ai sqaron edhe më konkretisht se çfarë studiojnë studentët në këto programe, duke treguar se pika më e fortë është bashkërendimi i teorisë që merret në auditor me praktikat në laboratorë. “Studentët zhvillojnë lëndë në fushën e programimit, të teknologjisë së informacionit, aplikacioneve, databazave dhe zhvillimin e programeve mobile. Nëse do të flasim më specifikisht, do të thoja se këto kurse përfshijnë gjuhën e programimit C++, Python, Java etj., të cilat zhvillohen në laboratorët me pajisjet e fundit teknologjike. Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe IT bën bashkë shkencat kompjuterike dhe inxhinierinë elektrike, për të zhvilluar më tej njohuritë dhe aftësitë në teknologjitë digjitale.”

Një program i veçantë dhe për të cilin tregu i punës ka shumë nevojë, është Inxhinieria Elektrike. “Bota ka nevojë për inxhinierë elektrikë. Sektorët teknologjikë po rriten me hapa të shpejtë, duke bërë që ekspertiza e profesionistëve që krijojnë, kuptojmë dhe zhvillojnë sistemet elektrike të jetë më e nevojshme se kurrë. Kjo përkthehet në mundësi shumë të mira punësimi”, thotë profesor Shimshek, i cili nuk harron të përmendë edhe pesë profilet e studimit në Inxhinieri Elektrike, që përfshijnë specializimin në sistemet e fuqisë, makineritë elektrike, kontrollin inxhinierik, komunikimin dixhital dhe elektronikën.

Në studimet dhe anketat e ndryshme që janë bërë me aktorët e tregut të punës, profesionet më të kërkuara mbeten ato në profilet e teknologjisë së informacionit, zhvillimit të programeve dhe inxhinierive, të cilët mund të përshtaten fare mirë edhe në kompanitë ndërkombëtare, duke shtuar mundësitë e punësimit jashtë vendit. Këto kërkesa kanë bërë që universiteti të përkthejë nevojat e sipërmarrjes për burime njerëzore të kualifikuara në programe studimi, duke ofruar jo vetëm ekspertizën akademike, por edhe laboratorët dhe praktikat gjatë periudhës së studimit.


Etiketa: ,

Pas