Editorial

Profeti i pamundur i grigjës së Facebook








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:50 - 15/05/20 |
Mapo.al

Prej dy muajsh të paktën, teksa koha ka ngrirë bashkë me shumë aktivitete, janë kufizuar lëvizje dhe vënë sinore të rrepta për popullin për shkak të një armiku që ngeli jo vetëm i padukshëm por edhe i papranishëm për fat të mirë, kur u mpiksen i madh e i vogël, tezxhahët, kovaçët e çdo zanatci, kur u ndalën edhe bizneset, korporatat dhe baret e vogla të lagjeve, dhe u frenuan predikimet, e grumbullimet fetare, siç i quan qeveria, kur krejt bota u vithis në një kaleidoskop njëngjyrësh, u krijua sakaq tek disa një iluzion se tek tabula-rasa sosëm, dhe e prekëm, madhështorin, të ëndërruarin vit, zero. Ndoca, edhe më kurajozë, thanë se do rindërtohet bota. Vakumi i krijuar ishte një humus i mirë për jo pak të çartur. Demiurgë kërkoheshin orë e çast. Por më të guximshmit, ishin ata që menduan se erdhi ora, për të qënë, përveçse të gjithëpushtetshëm, edhe profetë.


Të dërguarit e perendisë në tokë, që do të mallëngjenin dynjanë me eukaristikë të paqortueshme. Më i dallueshmi në këto anët tona, Edi Rama.


Pandemia me gjasë e ndërdyshi në një moment, teksa pa që gjithë pushteti anekand në vend, më shumë se për çka qe votuar, krejt hapësira që zotëronte nga ekzekutivi, financat, ushtria, gjyqësori, mediat, biznesi, mund të zhbëhej në çast e ti thyhej në duar si një vazo e qelqtë, pasi populli i frikur, i tretur, i mrrolur, në një fobi irracionale, mund të harronte kur e kur, secilën instancë e hirearki që kish mbi krye.


Mund të kalonte në një amnezi që mshort zbehte ndriçimin e zotit mbret, dhe sado ta tundte ai skeptrin me kërcëllime, kur gjindja nuk do t’ia dijë, gjetkë e ka mendjen, e të zënë e ka frikën, dhe kjo në fund të fundit është lëkundje pushteti. Populli duhet ti trembet veçse atij. Nëse diçka, njësosh më i egër, shfaqet në horizont, i kalamend fronin.


U duk pra se, prej fillimit të Masit, kish ardhur dekika e një tjetër fuqie mbi dhe, e një droje e pështjellimi, që nuk ishte më Edi Rama me gjithë skalionet e tij të taksidarëve, policëve, shefave dhe inspektorëve të korruptuar e të ashpër po ashtu.

Andaj, ky nuk qe momenti që një shtetar të mund të ruante pozitat dhe tagrat, edhe pse shtypëse, të pandjeshme e cinike. Të gjitha masat e Ramës qenë siç pritej, aspak elegante, ndëshkuese, represive. Ndalim, kufizim, gjoba. Sirena policie dhe shevroletësh ushtrie. Një eko e kohëve të qoftëlargut kur thirreshin njerëzit për të përballur me dyfekë me gjalmë imperializmin nëpër tunele e bunkerë të paranojës.

E prapë, nuk qe e mjaftë. Qytetarët shfaqeshin prore indiferentë, dhe me një qendrim si të thuash metafizik, duke shpërfillur këmishën administrative të forcës.

Ndoshta në këtë e sipër i lindi ideja, se kjo qe hera për të marrë një tjetër formë, tjetër përmasë, tjetër profil.

Vendit tashmë i duhej një profet.

Ku kish çast më të mirë se sa ditët kur kishat, xhamitë, teqetë dhe çdo konkurencë e kësillojtë, qenë mbyllur.

Dhe ja ku e ngriti tempullin e tij. Facebookun. Asgjë më pak se në librat e shenjtë ku predikuesit shpëtojnë jetë e bëjnë mrekulli. Doli aty dhe tha se prej tij, janë ende gjallë të paktën 18 mijë frymë. Dhe u tha, më dëgjoni, ndiqni mësimet e mia, ndryshe nuk ju ndihmoj dot. Dhe u tha, më besoni, se unë po vuaj më shumë se çdokush. Dhe u tha jam gati të sakrifikohem, nëse kjo e keqe do të ikte prej nesh. Dhe u tha, nuk kam takuar dot mamanë time. Dhe u tha, po duroj dhimbjet e një dhëmbi, se nuk ka shërbim dentar.

Dhe u tha, më shani sa të doni, unë do kthej faqen tjetër.

Disa pretendojnë se edhe u nxeh e humbi durimin, siç ndodhi me më të madhin profet të kohëve. Nuk i kontrolloi pa fund nervat, iu gjegj ashpër e shpesh u përplas me gjindjen e tij. Por, tek e mbramja, u tha, unë jam drita, unë jam e ardhmja. Ecni në rrugën time.

Një vezullim i pashoq ky. Një ndezulli e pahasur më parë. Ndoshta, gjithçka do të kishte funksionuar, nëse ndjekësit e tij prej koronavirusit, do të kishin humbur kujtesën. Të mos mbanin mend, se profeti i dy muajve, është po ai që ka 7 vite në krye të pushtetit, ku mirëqënia ska mbërritur te askush, pos miqve më të kamur, pos atyre që po i quajnë oligarkë. Ka 7 vite që nuk ka asnjë ecje domethënëse drejt BE-së, po vetëm shtim kushtesh. Ka të paktën 7 vite, që nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme në vend. Dhe po kaq, që Shqipëria shihet si një vend i trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave të krimit. Vendi ku i forti bëhet shef, ku trafikanti e vrasësi bëhet deputet, ku edhe përdhunuesi bëhet kryetar bashkie.

Profeti i Facebook, që kërkon të udhëheqë edhe shpirtërisht grigjën, ka qënë ndërtuesi i këtij realiteti të trishtë dhe dramatik, bash udhëheqësi i truallit ku duan të ikin të gjithë. Profeti i përunjur i këtyre ditëve, është në majat e një sistemi shkatërrues dhe deprimues për njerëzit, prej 22 vitesh, qysh se u bë Ministër Kulture, ku mori urdhëra e vendime e firmosi akte.

Ja pse Golgota e tij sot është e rreme, e pabesueshme, dhe me pak ndjekës. Nuk mund të jesh njëherësh, edhe xhelati, edhe shëlbuesi i popullit.

Mapo.al

 


Etiketa: , , ,

Pas