Ai ka interesat e tij të biznesit, por Mark Crawford është një zë i rëndësishëm në mbrojtje të sipërmarrjeve, të sulmuara dhe të kritikuara në pak raste
Në Shqipëri nuk ka një bursë, por shumëkujt i ka rastisur që të dëgjojë ose shikojë se si ndryshojnë aksionet në bursa vetëm për shkak të një lajmi. Madje mund të jenë habitur se si trembet kaq kollaj biznesi.
Duke pasur këtë gjë në mendje, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford doli kundër denoncimit të Partisë Demokratike në bllok të prishjes së kontratave koncesionare dhe sekuestrimit të pasurive të bizneseve nga ana e qeverisë. Ai tha se platforma antimafia e prezantuar disa ditë më parë nga demokratët frikëson investitorët e huaj. “Është mirë që çështja të denoncohet dhe të gjykohet nga drejtësia, por kurrsesi ndëshkimi nuk duhet të jetë në grup për të gjithë. Nëse ka raste specifike është normale që të hetohet ky rast, nëse është politike, kur përkthehet në anglisht investitorët frikësohen sepse mendojnë se do të heqin të koncesionet në kohën kur i kanë bërë parti të caktuara që janë në pushtet. Kjo është një gjë e keqe”.
Dhoma Amerikane ka biznese të lidhura e që punojnë me listën e biznesmenëve të publikuar nga Partia Demokratike, por sipas amerikanit Crawford, kjo gjë nuk ndihmon në klimën e investimeve. Por a beson Dhoma Amerikane në aksionin e Partisë Demokratike në rastin që ajo do të vijë në pushtet, apo janë thjesht deklarata politike? “Normalisht është një përzierje, mbase kanë detaje që nuk i dimë, por duhet të vijnë në pushtet dhe të hetojnë problemet”.
Të hënën, Partia Demokratike listoi një sërë emrash biznesmenësh dhe kontrata koncesionare të marra nga kompanitë e tyre si të jashtëligjshme e në dëm të buxhetit të shtetit duke paralajmëruar prishjen dhe konfiskimin e tyre kur të vijë në pushtet.
Nëse do shohësh deklaratat e fundit të Crawford, do mendosh se ai e ka me PD-në. Por ai bën punën e tij në mbrojtje të biznesit dhe ka qenë shumë i ashpër sidomos me kryeministrin Edi Rama.
Gjatë një interviste në ‘Opinion’ në prill, kryeministri Edi Rama iu drejtua jo pa ironi disa herë kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford. “Është një Mark, Mark Crawford që kërkon ulje taksash”, tha Rama disa herë.
Por përse ishte acaruar kaq shumë kryeministri?
Marrëdhëniet e tij me Mark Crawford nuk kanë qenë të mira që në fillim të qeverisjes së tij. Kur erdhi në pushtet, Rama nisi një aksion anti-informalitet, por Crawford tha se në SHBA nuk futet në burg askush për kuponin. Në vijim, Crawford e ka kritikuar shpesh qeverinë për ndryshimet fiskale dhe për barrën e rëndë të taksave.
“Ne kemi publikuar indeksin e Dhomës Amerikanë të Tregtisë dhe shqetësim mbetet niveli i taksës. Për ne të huajt është më e thjeshtë sepse ne nuk votojmë dhe nëse nuk jemi të kënaqur ne ikim. Ne po ndjekim me kujdes situatën dhe jemi duke krahasuar nivelin e taksave me rajonin. Unë kam pasur takim me përfaqësues në Shkup dhe ata janë më të stabilizuar në krahasim me Shqipërinë sa i përket nivelit të taksave. Nuk po krahasohemi me shtete të tjera si Norvegjia etj. Taksat nuk duhet të ndryshojnë shpesh, por duhet të jenë stabël”, tha ai para pak kohësh.
Crawford është amerikan, por jeton në Shqipëri ku mbikëqyr një seri biznesesh. Ai ka marrë një diplomë në Universitetin e Majemit dhe ka një master nga “University College London”. Ai flet mirë shqip, ndërsa pak më dobët njeh serbishten dhe greqishten.