fbpx

Aktualitet

PROFIL/ Arba e Kokalarëve në krye të Europës






               Publikuar në : 10:10 - 21/09/19 |
Blerina Gjoka

Eurodeputetja e parë shqiptare do të ketë një rol drejtues në Parlamentin Europian kundër dhunës ndaj grave. Ajo është zgjedhur zv.drejtuese e Komitetit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazinë Gjinore, një fushë ku Kokalari kishte investuar gjatë gjithë karrierës së saj të mëparshme si aktiviste civile dhe politikane


Katër shkronjat e emrit të saj duket sikur e thërrasin me zë të lartë kombësinë shqiptare, por Arba Kokalari sot është një shtetase suedeze dhe përfaqëson vendin nordik në Parlamentin Europian. Me një pamjen e nje europiane veriore, bionde me sy blu, vajza nga Gjirokastra që rrjedh nga familja Kokalari, një familje me tradita atdhetare, që i ka dhënë Shqipërisë Musine Kokalarin, një simbol i rezistencës antikomuniste, Arba po ngjit shkallët e karrierës së saj politike në institucionet e Bashkimit Europian.



Në dy kohë të ndryshme po shkruhen kështu fatet e dy grave Kokalari, të dyja politikane, njëra socialdemokrate e cila me gjithë mendjen e ndritur ishte e destinuar të vdesë në vetmi e përbuzur dhe përndjekur nga regjimi komunist, e tjetra, konservatore e rritur në një kohë tjetër e vend tjetër që jeton ëndrrën e saj më të bukur.

Edhe pse është në muajt e parë si deputete e re në sallën e madhe ku ulen 751 deputetë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian, përfaqësuesja e re e Partisë Moderatore suedeze, një parti e djathtë, ka arritur të marr një rol udhëheqës në Komitetin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazinë Gjinore.

“Unë do të udhëheq punën në BE për të ndaluar dhunën ndaj grave. Në komitet, unë do të jem përgjegjëse dhe do të drejtoj punën për pranimin e BE-së në Konventën e Stambollit, e cila është një konventë që synon ndalimin e dhunës ndaj grave. Dhuna ndaj grave është një problem serioz që kërkon veprim të fuqishëm. Suedia tashmë e ka nënshkruar Konventën. Tani është koha që e gjithë BE-ja ta bëjë këtë. Kjo është një çështje që është e rëndësishme për Moderatët dhe që tani pres me padurim të punoj për realizimin e kësaj”, shkruan Kokalari në statusin e saj në Facebook në foto me drejtuesen e këtij komiteti, Frances Fitzgerald, e cila është gjithashtu ashtu si ajo, e zgjedhur nga grupi i Partive Popullore Europiane.

Kokalari ka marrë përsipër të bindë të gjithë ato vende të BE-së që nuk e kanë ratifikuar akoma këtë konventë të miratuar nga Këshilli i Europës në vitin 2011 dhe që parashikon detyrime ndaj shteteve për adresimin e problemeve me dhunën dhe barazinë gjinore.

Ndoshta në këtë kauzë, Kokalari do të adresojë dhe Shqipërinë, një vend ku pothuaj çdo muaj vritet një grua, por në fakt ajo që vendi i saj i origjinës pret prej saj është më e madhe dhe ndoshta më simbolike. Që në momentin që një emër shqiptar u artikulua si eurodeputete, pati një ngazëllim në Tiranë, e sidomos në partitë e djathta që shohin një lloj afërsie me të për shkak të bindjeve politike që ajo përfaqëson.

Ajo vetë e ka shprehur në një shqipe të rrjedhshme kur i është dhënë mundësia, se do të lobojë për Shqipërinë në çështjen e integrimit europian.

Me kujtimin e vetëm që ka prej atdheut të saj si një vend me shume kufizime, Arba ka premtuar se do të bëhet në një farë mënyre ambasadore e lirisë.

“Kur njeriu është lindur në diktaturë dhe merr shansin që të banojë në një shtet tjetër që është i lirë dhe është pjesë e BE-së ka më shumë dëshirë të luftojë për lirinë. E ndjeva që kur isha e vogël se kam përgjegjësi që të luftoj për njerëzit që nuk janë të lirë. Ka qenë gjithmonë ëndrra dhe synimi im që të luftoj për ata njerëz që duan të jenë të lirë, në Europë, po edhe në Ballkan që të vijnë më afër Bashkimit Europian, që të kenë mundësinë dhe kushtet që BE jep”, shprehet ajo. Në një intervistë dhënë në një media shqiptare në Suedi vetëm një ditë para zgjedhjeve që u mbajtën njëkohësisht në të gjithë vendet e BE-së më 26 Maj.

Ajo është vetëm 32 vjeç dhe jeton që prej moshës 5 vjeç në Suedi, ku babai i saj Bardhyl Kokalari u emërua ambasador për Suedinë dhe vendet baltike. Pas mbarimit të mandatit ai vendosi të qëndrojë përgjithmonë atje duke ndërprerë karrierën diplomatike, por duke i dhënë mundësinë së bijës të rritet dhe shkollohet në Stokholm.

Karriera e Kokalarit i atribuohet pasionit dhe meritokracisë.

Arba ka studiuar për shkenca politike e më tej për politika europiane. E lindur në një diktaturë komuniste ëndrra e saj fëminore ishte liria dhe të luftonte për lirinë e të drejtat e njeriut. Politika, sipas saj, ishte instrumenti për ta bërë këtë luftë.

Ajo është një njeri i rritur me politikë. Sigurisht duke pasur babanë diplomat dhe duke ardhur nga një vend ku politika e izolimit u kishte mohuar lirinë rreth milionë shqiptarëve kjo ka qënë një shtysë për vajzën 16-vjeçare që të afrohej për herë të parë pranë forumeve të partisë Moderatore në Stokholm.

“Kam qenë e angazhuar politikisht më shumë se 15 vjet dhe kam luftuar shumë për këto arritje që kam sot. Ky ka qenë synimi im që e vogël” shprehet ajo duke e parë tashmë ëndrrën e saj që t’i bëhet realitet.

Po sa e vështirë ka qenë për të triumfojë në një vend tjetër?

“Jeta dhe politika janë të vështira, është një luftë. Njeriu duhet të luftojë për ëndrrat dhe gjërat që dëshiron të realizojë. Është e vështirë kur je e re, kur je grua e sidomos kur je nga një shtet tjetër, por unë kam luftuar më shumë e më fort që të arrij atje ku jam sot”, shprehet Kokalari, e cila shkon drejt Brukselit si një suedeze, por në rekordet shqiptare do të jetë gjithmonë shqiptarja e parë që hyri në Parlamentin Europian.

Arba flet shumë rrjedhshëm shqip dhe pse preferon ta përcaktojnë nacionalitetin e saj si “europiane”.

Teza e saj për zgjerimin e BE-së dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë një projekt ku ka besuar prej kohësh dhe me këtë tezë ajo ka fituar votat suedeze duke sjellë një qasje të re ndaj skepticizmit të lartë që mbizotëron aktualisht në Bruksel për zgjerimin e mundshëm.

Arba sapo e ka nisur karrierën politike në institucionet e BE-së, ku nuk është çudi që nesër ta shohim në role shumë më të rëndësishme se ai që ka marrë tani. E ne shqiptarët do vijojmë të kemi një dridhërimë të bukur në stomak kur përmendim emrin e saj, sikur bashkë me këtë emër do të ngrihet lart dhe emri i Shqipërisë, apo do të na duket sikur është e jona, dhe pse e dimë fare mirë që nëse do të jetonte këtu nuk do të kish mundur të arrinte atë që arriti si qytetare suedeze.

Do na mundojë gjithmonë kjo pikëpyetje, nëse mbesa e Musinesë do t’ia dilte dot të mbijetonte në një shoqëri postkomuniste ku nuk funksionon meritokracia dhe ku trumbetohen antivlerat, apo do të merrte valixhet drejt perëndimit siç po bën një pjesë e madhe e të rinjve të talentuar.


Etiketa: , , ,

Pas