fbpx

Kryesore

PROFIL/ Arben Malaj, mesazhi i pakoduar që jep Rama





               Publikuar në : 16:41 - 20/07/19 |
mapo.al

Pak ditë më parë, një dëshmitar ka parë një skenë të tillë. Arben Malaj po kthehej në shtëpi, aty ku banon në një pallat pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Atë çast, dallon një tabelë bashkiake që sapo ishte vendosur. Ajo e ndalonte të parkonte, ose të kalonte aty, siç bënte çdo ditë tjetër. Arsyeja, sepse rruga i duhej e lirë një ndërtuesi mik i Ramës që po mbjell aty një kullë. Malaj nervozohet jashtë mase dhe proteston. U bën thirrje dhe banorëve të tjerë të ngrenë zërin. Revolta e tij tashmë ka tërhequr vëmendjen e gjithë zonës.


Prej kohësh, ish-ministri i Financave po ngre zërin pikërisht për këto lloj kundërvajtjesh që ai denoncon që kanë të bëjnë me qeverisjen që u shërben një grushti njerëzish dhe ngushton hapësirat e njerëzve e shpërfill nevojat e tyre.



Ajo tabelë në rrugë është simbolika e ushtrimit të pushtetit të më të fortëve.


Një zë si i Arben Malajt nuk është një thirrje e zakonshme. Deputet, ministër, anëtar kryesie në Partinë Socialiste për shumë vite, dhe aktualisht anëtar i bordit drejtues të Bankës së Shqipërisë, ai ka gjithë staturën dhe cilësinë për të tërhequr vëmendjen dhe për të qenë bindës në atë që thotë.

Sigurisht, Edi Rama nuk po e shkarkon Malajn nga ai post, për shkak se ka shkelur etikën dhe ka dëmtuar bankën qendrore. Malaj duhet bërë shembull, që të dëgjojnë e ta shohin gjithë të tjerët, çdokush brenda PS që mund të guxojë të ketë një mendim, kontestim apo kritikë.

Me Malajn, Rama kërkon të tregojë se i ka të gjithë në dorë, dhe se pushteti i tij nuk ka pësuar lëkundje, dhe ai ka fuqinë të vendosë fatin e njerëzve, me gjithë krizat e njëpasnjëshme që ka kaluar.

Arben Malaj ka dhënë shenjat e një minipranvere brenda të majtës, duke stimuluar edhe reagime të tjera edhe pse të vogla e jo me shumë ndikim, si ato të Irena Beqirajt, Edlira Haxhiymerit etj.

Rama, që po cilësohet nga shumëkush si intolerant ndaj mendimit ndryshe apo kritikës, nuk mund ta linte gjatë këtë syth kryengritjeje dhe bëri atë që bën çdo lider autoritar, goditi kokën e tij.

Kryeministri ka lëshuar kështu një mesazh fare të pakoduar, po të drejtpërdrejtë për këdo brenda radhëve të tij, që po bluante në mendje të mos binte dakord me shumë gjëra që nuk shkojnë në qeverisje.

Në denoncimet që i ka bërë qeverisjes, asaj qendrore dhe asaj të Bashkisë së Tiranës, Malaj ka qenë padyshim nga zërat më cilësorë.

Vazhdimisht ai ka thënë se një qeveri e mirë, i merr vendimet me zemër. Ai ka denoncuar kursin e gjobave dhe të penaliteteve, një nga tiparet më të spikatura të rilindasve.

Pasi të njëjtët që e propozuan për anëtar bordi në Bankën e Shqipërisë, mblodhën firmat për ta shkarkuar, si për të thënë që partia të vë, partia të heq, Malaj u shpreh se para se të jetë funksionar është qytetar i këtij vendi dhe se denoncimi i të këqijave e ndihmon Shqipërinë, jo heshtja dhe fshehja e tyre. Profesori i ekonomisë e thekson se vetëm institucionet e forta do ta shpëtojnë vendin do ta nxjerrin nga tranzicioni i gjatë, dhe jo personalizimi i tyre. Kapjen e pushteteve në një dorë e ka cilësuar herët si rrezikun e madh për ekonominë, politikën dhe të ardhmen.

Malaj është i shqetësuar shumë për largimin e të rinjve e sidomos të specialistëve dhe profesionistëve duke i cilësuar ata si kapitalin kryesor që kemi.

Në listën e kritikave dhe denoncimeve, Malaj ka përmendur së fundmi në një intervistë te VOA, atë që ai e quan nënshtrim të shoqërisë, çka sipas tij nuk sjell zhvillim, përkundrazi.

Po në krye të kontestimeve të tij publike, qëndrojnë ato për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Duke e cilësuar të pashpirt, dhe krejt të panevojshme, përpjekjen për të nxjerrë banorët e Astirit nga shtëpitë në mes të dimrit, Malaj e ka denoncuar ashpër Lali Erin si modelin e gabuar, të sponsorizimit të një karriere nga oligarkë, të cilët pastaj e kapin postin dhe e vënë në shërbim të tyre, aq më keq, ku sipas tij, ai po e projekton veten për shefin e socialistëve dhe kryeministrin e ardhshëm, çka do të thotë se dëmi do të jetë edhe më i madh.

Malaj e ka krahasuar Veliajn me personazhin e famshëm të filmit Kandidati Manchurian, ku protagonisti që po ngjitet lart në skenën politike amerikane, është pilotuar nga të tjerë dhe drejtohet prej tyre me anë të një mekanizmi që i kanë instaluar në kokë.

Me gjithë këto, në një ambient ku nuk pipëtin miza, ku Rama krahasohet me Skënderbeun, Arben Malaj vërtet e ka mbushur kupën dhe meriton ndëshkimin e fortë të partisë. Po ndoshta kjo, do të hapë një rrugë të re për ish-ministrin e Financave dhe ekspertin e njohur të ekonomisë, për të ngjizur ndoshta një lëvizje që mund ta nxirrte PS-në nga gjendja e kënetës ku ndodhet.


Etiketa: , , , , , ,

Pas