Aktualitet

Profil/Arta Marku, jo shumë e përkohshme, por shumë politike






               Publikuar në : 10:00 - 24/08/19 |
mapo.al

Kur tha, betohem, në dhjetor të vitit 2017, në një seancë të zjarrtë parlamentare ku opozita e mbuloi sallën në tym e revoltë, edhe pse me një numër modest votash, Arta Marku nisi një prej detyrave më delikate të shtetit, në këto 29 vite demokraci, atë të Prokurorit të Përgjithshëm. Një prej zyrave më të kontestuara, të lakmuara po ashtu, dhe të mallkuara gjithsesi.


Prokurori i Përgjithshëm ka pasur vazhdimisht një pushtet okult, dhe në bazë të zgjedhjeve të tij, ka ditur të jetë ose frika më e madhe e politikanëve, biznesmenëve të lidhur me qeverinë dhe e dinjitarëve të lartë, ose gjumi i tyre i sigurt. Përvoja ka treguar, se kjo e dyta, ka ndodhur më shumë në këto vite të tranzicionit.

Qysh në krye, dikush mund të ketë pyetur me të drejtë. Për çfarë arsye, pranon një grua e panjohur, e pamësuar me tallazin e politikës, një post të këtillë, përballë gjithë prozhektorëve të botës, dhe pa bekimin e opozitës.

Pse vjen nga periferia, në krye të zhurmës dhe në mes të fushës së betejës së ashpër politike.

A mund të ishte një karrierë e sigurt, një ngjitje e madhe profesionale, kur kjo vjen si produkt i prapaskenave politike? Çfarë do t’i shtonte një prokuroreje të zakonshme ky katapultim kaq i madh, nëse nuk do të tregonte më vonë pavarësi, integritet dhe arritje profesionale në luftën kundër krimit e korrupsionit.

Kur tha betohem, me gjysmë zëri në krah tëGramoz Ruçit, nën ovacionet e socialistëve dhe britmat e demokratëve, ndoshta Arta Marku nuk e dinte se, historisë mjaft problematike të Prokurorit të Përgjithshëm, nga 91 e këndej e duke përfshirë sigurisht edhe paraardhësin e saj, nuk do t’i shtonte aspak kredibilitet, lavdi dhe autoritet, apo më shumë, simpati popullore. Përkundrazi, sot mund të thuhet pa frikë, se Prokurori i Përgjithshëm i ka notat ndoshta më të ulëta se edhe vetë Llalla.

Sepse nuk ka pasur asnjë befasi në këtë trajektore të përkohshme, por që po zgjat.

Në këto 2 vite të Arta Markut, edhe pse ka ndodhur batërdia më e madhe në financat e shtetit me skemat e PPP-së, ku 1 kilometër katror vlen 10 milionë euro, edhe pse kanë ndodhur skandale si ajo e dhënies së 40 milionë eurove një firme fantazmë, nuk kemi parë asnjë akt të Prokurorisë që t’u përgjigjet këtyre përmasave skandaloze, dhe asnjë akt që të shkojë në lartësinë e mbrojtjes së ligjit apo të përfaqësimit të interesit publik, apo të revoltës së popullit ndaj hajdutërisë dhe padrejtësisë.

Përkundrazi, kemi qenë të gjithë dëshmitarë, të gatishmërisë së Prokurorisë për të thirrur një nga një, zyrtarë e përfaqësues të opozitës, qoftë edhe duke u nisur nga materiale të mediave, apo shkrime të gazetave, pa pasur argumente të forta, apo bazë ligjore.

Kjo njëanshmëri kaq banale, vjen në kohën kur po trumbetohet shumë rëndësia e drejtësisë së pavarur, dhe kur opinioni publik është mbarsur me idenë dhe pritshmërinë se tashmë prokurorët do t’i pinë gjak në vetull politikanëve, duke nisur nga çdo nivel zyrtari e deri te kryeministri.

Pikërisht, në kohën kur shqiptarët po presin mrekullinë e drejtësisë, Arta Marku del dhe shpjegon arsyet pse e degdisi në Dibër, pse e çoi praktikisht drejt mbylljes, një prej dosjeve më të nxehta sot, atë 184, ku janë të përfshirë deputetë e ministra në mekanizmin e manipulimit dhe blerjes së votës.

Nëse një Prokuror i Përgjithshëm, do të kishte prioritet interesin publik, stabilitetin e vendit, paqen sociale, përtej sigurisht ligjit dhe Kushtetutës, nuk do të kishte bërë atë që u mor vesh para tre ditësh në media, dhe që ka prodhuar një revoltë të madhe.

Revoltë, sepse Arta Marku, në kohën kur pritet forca e drejtësisë, kur pritet që askush të mos jetë mbi ligjin, pohoi me të madhe, se disa njerëz, ata të rëndësishmit, ata në krye të qeverisë, janë të pandëshkueshëm.

Çdo jurist me integritet, dhe i pakapur, do ta kishte shumë të vështirë të firmoste një vendim të tillë. Mundet që ajo të mos ketë asgjë në dorë, dhe të mos e pyesë njeri. Mundet që pushteti në Prokurori ushtrohet në kanale të errëta, nga forca të tjera sigurisht pranë pushtetit.

Po në këto kushte, me siguri dikush në vend të saj, do të kishte menduar edhe dorëheqjen, sepse me një akt të tillë do t’i shërbente shumë më tepër vendit. Por këto vramendje, këto brejtje të ndërgjegjes, nuk duket se kanë ndodhur tek Arta Marku. Sepse ajo doli dhe e mbrojti aktin, vendimin për dërgimin në periferi, në asgjë, në humnerë, të dosjes 184. Nuk ka dyshim se kjo grua, kjo zonjë, ka kaluar ditë shumë të vështira në këto dy vite. Askush nuk i di mirë brengat e saj, vuajtjet, prishjen përfundimtare të qetësisë, ndoshta edhe netët pa gjumë për shkak të klimës së ashpër politike.

Po atëherë, për çfarë qëndron? Pse duhet kjo karrierë, kur duhet të shërbesh jo ligjin, jo kushtetutën, jo interesin publik, por urdhrat e partisë dhe orekset e qeverisë? Nuk është justifikim nëse je i detyruar. Por më e rënda është, nëse kjo është zgjedhja e dikujt, nëse kjo është zgjedhja që ka bërë vetë zonja Marku.

Besnik Mustafaj, dy ditë më parë kishte analizën e tij për çka ndodhi. Ai tha se kjo është taksa që Arta Marku duhet të paguajë për të mbajtur postin, për t’u rizgjedhur edhe një herë në krye të organit të akuzës. Fatos Lubonja e quajti të turpshme. Ai prej kohësh e konsideron Arta Markun levë të Edi Ramës. Rrjeti social ka zierë nga kjo ndodhi.

Një akt i rëndë, një amnistim i njerëzve të pushtetshëm, edhe pse të kapur si zuzarë të pacipë në biseda telefonike, të zhytur kryengulthi në një manipulim skandaloz të votave në Dibër, në ato përmasa, sa u habitën dhe vetë kur panë se kishin marrë më shumë se sa u duheshin. E prapë, çdo ditë kemi diskutime për organet e reja të drejtësisë, për mrekullitë që vijnë së andejmi./Mapo.al


Etiketa: , ,

Pas