Elisa Spiropali edhe pse e kërkon sherrin vetë, ka qenë gjithë këto ditë në ciklonin e madh të talljes së përbindshme që bëhet në rrjetin social. E etiketuar si marionetë e Ramës që dërgohet si reportere speciale e televizionit të tij për shërbime të ulëta, siç ishte rasti i Kavajës ku një dramë të madhe familjare kërkon ta kthesh në argument kundër opozitës dhe medias, Elisa, shpata që vringëllohet ndaj kundërshtarëve, ka marrë kaq shumë goditje në publik ditët e fundit, sa një njeri normal me siguri do të mendonte, e do të reflektonte, nëse ia vlen politika me kaq shumë kosto.
Kur sheh që je bërë tabelë e qitjes, e nuk të kursejnë për asgjë, kur pranon vetë të heqësh dorë nga dinjiteti e personaliteti, kur thua dhe bën gjëra që ndoshta nuk i beson, kur të përtallin e të hedhin 2 tonë baltë pikërisht prej rolit që merr, atëherë pse ia vlen ky angazhim, politika, karriera. A thua, kaq të mëdha janë më anë tjetër përfitimet, sa tërë ky breshër goditjesh, të të duket një hiçmosgjë, po një vesë e pranueshme stine. Kur Rama, faqe botës të refuzon pecetën, solidaritetin dhe gjestin mjaft human që ajo bëri dy ditë më parë në seancë kur i erdhi në ndihmë shefit të mbuluar me bojë, e kur këtë ai e bën me një tërsëllimë noprane, e ti prapë duhet të dalësh ta mbrosh para kamerave e të sulmosh kundërshtarin, a ka në fund një peshore mes kësaj hekakeqje e përfitimeve e privilegjeve?
Ja ku është një ditë jo e zakonshme pune. Pas një paraditeje të vështirë të enjten e nxehtë parlamentare, Elisa nuk mori pushim. Përkundrazi, misioni vazhdoi në darkë në debatet e rëndësishme, dhe dy ditë para protestës së lajmëruar të opozitës. Memet, talljet, shigjetat plot helm, nuk ishin asgjë në krahasim me stuhinë që provoi përballë përfaqësuesit të PD, Gazment Bardhi. Spiropali e ka kurajon dhe një teknikë të patëmetë të të folurit në publik. Ajo nuk ngurron të përmendë familjet e të tjerëve, dhe akuzojë për interesa financiarë njerëz të afërt të Bashës, se kjo është bash muzika që duan të dëgjojnë socialist. Mirë shumë. Po pastaj vjen momenti i skuqjes, i shushatjes, kur kundërshtari të nxjerr krijimin e një kompanie, në mënyrë që tenderat që bën burri yt, si drejtor i ujësjellësit, t’i marrë të gjitha vëllai yt. A kishte përgjigje për këtë? A ke përgjigje, iu hakërrua Bardhi, disa herë. Spiropali e mbylli me klishenë, shihemi në gjyq. Pasi u hepua pak, mori sërish vrull. Puna e do të jesh shpatë mbi kundërshtarin. Solli një argument nga doganat, ku ajo ka patur përvojë. Hodhi një emër në tavolinën e debatit, për të akuzuar Partinë Demokratike. Mirëpo, edhe për këtë, kundërshtari ngjan se ka ardhur i përgatitur. Bardhi i përmend një aferë konkrete, një Audi që qenka blerë sipas tij nga drejtoresha Spiropali, 150 mijë euro.
Dhe ja momenti, ku dikush që mund të bëjë një analizë për raportet, baltë, furtunë, helm, në krahasim me privilegjet dhe përfitimet, nis të mendojë seriozisht. Tenderat brenda familjes, drejtimi i Doganave për shumë kohë, makina 150 mijë euro. Pra paska shumë mjaltë qypi i madh i pushtetit.
Ndërkohë Spiropali mund të jetë në fillimet e karrierës së saj. Lavdia që po fiton mes socialistëve me luftën e fortë ndaj demokratëve, edhe pse me koston e dinjitetit dhe skrupujve të lesh e li, me siguri do t’i shërbejë si kolateral i mirë për të ardhmen. Sido të shkojnë punët në parti, ikën Rama vjen një tjetër, ajo beson se do të qëndrojë në krye. Dhe ku i dihet, e gjithë tallja, përqeshja, pranimi me dashje për t’u bërë qesharake, aksione këto me shpresën se logjika e partive tona, ku motori kryesor është militantizmi dhe jo racionaliteti, do t’i konsiderojë si një investim të vyer që një ditë mund të kthehen në post të lartë, në një ministri me portofol të vërtetë, jo kjo e sajuara, pa buxhet, që aktualisht Elisa mban.
E në qoftë kështu, nëse është ky vektori që udhëheq Elisën, atëherë me siguri peshorja e saj anon siç duhet, dhe po, politika ia vlen me gjithë koston e lartë.
Kur hyri në radhët e Partisë Socialiste, mes fluksit të të rinjve që afroi Rama, pranë mjaft e fondacionit Soros, pakkush mund të vinte bast se pas do kohësh, një vajzë e imët, e hijshme dhe me gjuhën e thiktë, do ia dilte që nga fundi i një formacioni ngjeshur me elefantë të rëndë socialistë, të kapërcente një e nga një shkallët për të qenë sot jo vetëm në Parlament, po bash në atë pjesën harkore të sallës ku rri qeveria. Me gjumin ndoshta pak të prishur prej konfliktit të pamëshirshëm politik, po një zgjedhje me dashje e saj, si kontribuuese e dorës së parë në radhën e shigjetarëve që hedhin prore ç’të mundin ndaj kundërshtarëve, për të ruajtur kështjellën e mbretit nga Surreli.