Kryesore

PROFIL/ Fatos Baxhaku, një emër që vetëm mund të pëshpëritet






               Publikuar në : 09:30 - 17/08/19 |
mapo.al

Fatos Baxhaku. Ky emër në gjithë ambientet e gazetarisë, nuk kishte nevojë të thirrej, as të thuhej. Vetëm pëshpëritej. Se i kishe thënë të gjitha. Çdo gazetar kishte parasysh atë fytyrën gjithnjë të qeshur, kokën pak të përkulur, ca flokë të dendur, dy sy fort të shndritshëm, një palë mustaqe të buta, jo të serta, dhe mbi të gjitha zërin e tij të shtuar e miqësor, që ofronte gjithnjë një këshillë të mirë për një shkrim, një ide për një reportazh, ose një nxitje për një udhëtim.


Kush e njihte Tosin, e dinte boll mirë se ai nuk do të kishte një ikje të zakonshme nga kjo botë. Se nuk do të rravgonte deri në fund duke u mbajtur me zor në jetë deri në të sosur. Por, largimi kaq i parakohshëm, që nisi dje, nuk pritej. Ajo sëmundje e pandalshme, ngalakeqe e kishte mbërthyer keqazi.

Disa miq që e kishin takuar para ca javësh, thanë se e kishte lodhur. E kish mundur sëmundja. Po jo se ia kish hequr asnjë grimë nga shndritja e syve. As humorin nuk ia kish prekur. Por si të përkohshëm e vdekatarë që jemi, kaq mund të bëjmë. Lum ai që sfidon me kurajo të keqen, siç bëri Tosi deri në orën e fundit.

Fatos Baxhaku, një nga penat më kritike të gazetarisë postkomuniste në Shqipëri, u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 55-vjeçare. Zemra e tij pushoi së rrahuri, pasi humbi betejën me një sëmundje të rëndë, nga e cila vuante prej kohësh. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga postimet e shumta nëpër rrjetet sociale të kolegëve dhe personaliteteve të njohura në vend, ku nuk ngurrojnë ta cilësojnë si një person të madh, që s’iu largua kurrë përulësisë dhe thjeshtësisë. “Nuk ishte një kalimtar i rastësishëm në botën tonë të vogël. Ndryshe nga shumë kolegë të tu, që kur të vdesin, njerëzit, lajmin e vdekjes së tyre do ta kalojnë me një shtrembërim buzësh, emri yt do t’i kujtojë profesionistin dhe njeriun ”- kështu shkruan gazetarja Briseida Mema për të.

“Iku me mirësinë që ishte vetëm e tija, për të na lënë pas mallin e dhimbjes së madhe, mungesën e pazëvendësueshme dhe emrin si referencë të njeriut të mirë, në lartësinë ku nuk mbërrin kushdo, e ku Fatos Baxhaku është në vendin e tij. Ikja e tij do të dhembë gjatë”-shprehet nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.

“Lamtumirë Fatos Baxhaku! Ti as u shite, as u dhe me qira. Miq si ti do të më mungojnë në këtë botë. Me miq si ti dua të jem pranë edhe në tjetrën”– shkruan regjisori Kastriot Çipi.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilëson Baxhakun pjesë e asaj plejade gazetarësh që kontribuuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave akute. “Gazetaria shqiptare është me fat që pati për thuajse 30 vjet shërbimet e Fatos Baxhakut. Fatkeqësisht ajo nuk do t’i ketë më, por do ta shfrytëzojë si thesar trashëgiminë e tij”.

Baxhaku lindi në Tiranë më 9 janar të 1964-ës. Shkollimin e parë e kreu në 8-vjeçaret, “Emin Duraku” dhe “20 vjetori”, ndërsa shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”. Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ku u diplomua për histori. Që nga ’86 e deri në ’92 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Fatos Baxhaku është dalluar veçanërisht në zhanrin e reportazheve të shkruara dhe televizive. Për këto të fundit ka fituar edhe disa çmime. Megjithatë, emri i gazetarit mund të renditet pa frikë ndër drejtuesit dhe kryeredaktorët nëpër mediat më të rëndësishme në vend. Në një interval 5-vjeçar, 1993-1998, Fatos Bashku ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Ndërsa në harkun 9-vjeçar 2006-2015 u zhvendos si kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”. Më tej, ka ushtruar gazetarinë në mënyrë të pavarur. Baxhaku ka qenë gjithashtu pjesë e jetës akademike, si pedagog i gazetarisë në universitetet e Tiranës dhe të Elbasanit. Ndër të tjera, ka qenë autor ose bashkëpunëtor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e Vjetër” (Digitalb), anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, si dhe bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias dhe OSBE-së.

REAGIME

Bashkim Hoxha

Ishe ndër të paktët që prekje jetën për të na njohur me të vërtetat e saj. Përse kaq shpejt e preke vdekjen? Ne nuk deshëm kurrsesi ta mësonim prej teje sa e rëndë është ikja e një njeriu të rrallë. Të qoftë i lehtë dheu, miku im Fatos Baxhak.

Artan Hoxha

Profesor, sepse që ditën e parë që e kam njohur, këtu e 23 vite më parë, nuk kam guxuar t’i drejtohem kurrë në emër. Pa asnjë diskutim ai ishte dhe do mbetet një ndër të paktët dhe të rrallët profesorë të vërtetë të gazetarisë shqiptare. Gazetarisë bio, asaj të vërtetës. Të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke, që e deshe dhe e përshkrove më mirë se askush tjetër në reportazhet e tua…

Sonila Meço

Legjendat s’duan vëmendje, as kërkojnë me çdo kusht respekt. Legjendat gjejnë shtegun e tyre të pashkelur e bëhen udha e sigurt për kë vjen pas. Gazetaria e mirë, e vërtetë dhe mjeshtërore e ka nga sot legjendën e vet. Iku një njeri i rrallë, u përjetësua një institucion unik. Pushofsh i qetë Tos!

Alfred Peza

Mëngjeset e shumë viteve të mia të para në gazetari, do të ishin më të varfra, pa ritualin gati religjioz të fillimit të ditës, me çastet e shenjta të leximit të reportazheve të Fatos Baxhakut. Ishte periudha kur shkolla e gazetarisë ende nuk kishte diplomuar studentët e saj të parë dhe shkrimet e një grupi të vogël gazetarësh, ishin të vetmet leksione që na mësonin gjërat që nuk kishim se nga t’i dinim. Ndaj, i përpinim ato, bashkë me kafenë e parë të ditës.

Agim Xhafka

Tos Baxhakun e donim të gjithë. Si ai nuk u bëmë kurrë. Të qajmë për veten sot. Ne kemi vdekur. Ai fluturoi si pëllumb i bardhë.

Ilir Demalia

Po zbrazet qytetaria e Tiranës. Po zbrazet me ikje. . . dhe largime në jetën e përtejshme. Pas Gjergj Xhuvanit, sot një tjetër qytetar, gazetar i orëve të para të frymës lirisë dhe ëndrrës për një gazetari si pushtet i katërt, gazetar i zhgënjyer nga marrja në dorë e pseudo-gazetarisë nga provincialët e ardhur me yrysh dhe shërbestarët e rinj e të vjetër të regjimeve me gazetari shërbimesh e gjobash, duke u pasuruar njësoj si mafia politike dhe duke zaptuar dhe mbytur frymën e lirisë, medias së lirë. Shko i qetë miku im se ti e ke kryer misionin tënd si gazetar, qytetar. Pusho në Paqe mik!


Etiketa: , , ,

Pas