Aktualitet

Profil/ Futbolli shqiptar në zi, ndërron jetë legjenda e Tiranës







               Publikuar në : 17:27 - 19/07/19 |
mapo.al

Futbolli shqiptar në zi/


Sot është ndarë nga jeta ikona e klubit të Tiranës, Fatmir Frashëri. I lindur në 3 prill të vitit 1941, Frashëri arriti të shkruante historinë me bardheblutë duke fituar 4 herë kampionatin si futbollist dhe një herë si trajner i Tiranës. Ish-mbrojtësi është vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”.

***

Profil/

Fatmir Frashëri u rrit te të rinjtë e Tiranës dhe veshi fanellën bardheblu nga viti 1958 deri në 1972-shin.

Sa i përket karrierës si trajner, Fatmir Frashëri ka drejtuar për shumë vite, në 4 periudha të ndryshme Tiranën, por edhe skuadra si Naftëtari, Besa e Dinamo. Me fanellën kuqezi të Kombëtares, Fatmir Frashëri zhvilloi 12 takime.

50 vite të jetës i ka shpenzuar për futbollin. Kampion i madh në fushë, në pankinë, por kampion edhe jashtë ambjenteve sportive, nga ata që ia vlente ta pyesje sa herë që ishe i paqartë.

Nuk ishte futbolli që e bëri të madh, por pikërisht ai i dha kuptim këtij sporti si rrallëkush, aq sa imponoi të kundërtën e mendimit, se ishte e pamundur të kaloje më shumë se gjysmën e ditës i veshur vetëm me të mbathura dhe të njëjtën kohë të ishte intelektual.

***

Lidhur me ndarjen nga jeta të futbollistit ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta i cili shprehet se i paharruar do jetë kujtimi i profesor Frashërit.

“Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Frashëri, miqve e bashkëpunëtorëve të afërt, si edhe të gjithë sportdashësve shqiptarë.

I paharruar kujtimi yt Profesor!”-shkruan Meta në Facebook teksa përbri ka postuar një foto me legjendën e futbollit.

Reagimi i plotë i Metës

Me hidhërim të madh mësova lajmin e trishtë të ndarjes sot nga jeta të kampionit tonë të madh e të papërsëritshëm tiranas, si në fushë e në pankinë, por edhe jashtë ambienteve sportive, një prej legjendave të futbollit shqiptar, Fatmir Frashëri!

Familja Frashëri, që i dha aq shumë personalitete kombit tonë në të gjitha fushat, natyrisht që do t’i jepte një gjigand edhe në fushën e blertë por edhe si trajner.

Si lojtar, trajner e President dinjitoz i Tiranës, Fatmiri ynë i dashur do të mbahet mend përjetë për virtuozitetin dhe talentin e rrallë, aq sa me të drejtë për të thuhet se nuk ishte futbolli që e bëri të madh, por ishte pikërisht ai që i dha kuptim këtij sporti si rrallëkush, duke qenë njëherësh sportist i dalluar dhe intelektual i spikatur!

I ruaj me nostalgji emocionet e takimit tonë të fundit dhe bisedën e ngrohtë që patëm, duke uruar së bashku për rezultate më të mira e më të larta për sportin tonë! Ndaj uroj që amaneti i tij të përmbushet nga brezat e rinj të sportistëve tanë!

Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Frashëri, miqve e bashkëpunëtorëve të afërt, si edhe të gjithë sportdashësve shqiptarë.

I paharruar kujtimi yt Profesor!”, shkruan Meta në mesazhin e tij.

Fatmir Frasheri

Përveç Presidentit Meta ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nëpërmjet një statusi në rrjete sociale Basha shkruan: “Fatmir Frashëri, një njeri i madh i sportit shqiptar u largua sot nga jeta, por na la përgjithmonë si trashëgimi historinë e veprës së tij dhe legjendën që s’do pushojë së ndriçuari asnjëherë.”

Reagimi i plotë i Bashës

Fatmir Frashëri, një njeri i madh i sportit shqiptar u largua sot nga jeta, por na la përgjithmonë si trashëgimi historinë e veprës së tij dhe legjendën që s’do pushojë së ndriçuari asnjëherë.

Një kampion i madh në fushën e futbollit dhe në pankinë, me të tre ekipet e kryeqytetit, Fatmir Frashëri, si pakkush tjetër i mblodhi sportdashësit e të gjithë Shqipërisë nën aureolën e mbrojtësit të Përfaqësueses së Shqipërisë, ndoshta i pari mbrojtës në vend që për nga popullariteti konkurronte edhe me golshënuesit.

Në një kohë të zymtë, pak yje mundnin ta ruanin shkëlqimin e tyre dhe Fatmir Frashëri ishte një yll i sportit shqiptar, që shkëlqeu për shumë dekada, edhe në periudhën pasi e la futbollin aktiv, pasi ai shkëlqeu si trajner, shkëlqeu si mësimdhënës dhe si ambasador i shkëlqyer i vlerave që përcjell sporti.

Mjeshtri i Madh i Sportit Fatmir Frashëri tashmë e mbylli edhe kontributin e tij jetësor si mësimdhënës e zbulues i talenteve të reja, por për brezat që do të vijnë, gjenialiteti i sportit të tij, intervistat për ruajtjen e vlerave të olimpizmit dhe leksioni i mbijetesës në një regjim që qëmtonte armiq edhe tek familjet e mëdha, siç ishte familja Frashëri, do të vijojnë të frymëzojnë të rinj dhe të shërbejnë si maja që duhen arritur nga brezat e ardhshëm të futbollistëve.

I paharruar do të mbetet vepra dhe kujtimi i Fatmir Frashërit të madh të Tiranës, të Partizanit, të Dinamos dhe të të gjithë Shqipërisë.

U prehtë në paqe!-përfundon Basha.

;


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas