Aktualitet

Profil/ Ilir Allkja, kur mjeku që shërben shkarkohet nga propaganda








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:47 - 15/03/20 |
mapo.al

Të gjithë i kemi sytë nga mjekët këto ditë. U kemi mesuar atyre më të spikaturve, emrat, fytyrën, zërin. Qysh se nisi kriza e koronavirusit në Shqipëri, një javë më parë, me zbulimin e dy rasteve të para, bluzat e bardha janë bërë perendia jonë. Mes tyre, spikati jo me shumë bujë, një mjek, Ilir Allkja. Ai nxori në faqen e tij në Facebook, një video ku denoncoi faktin se, nuk kishin mbrojtjen speciale në të gjitha vizitat që kryenin.


Ai tha se paisja u jepej vetëm kur pacientët ishin të konfirmuar. Pak ditë më pas, Allkja njoftoi vetë se shefi i shërbimit të urgjencave, i ka thënë të largohet nga puna.


Ende nuk ka një vendim zyrtar. Por ajo cka dihet është se, përpara se bosi i urgjencave ti komunikonte mjekut largimin nga puna, bash në kohën kur po kërkohen sa më shumë si ai dhe infermierë, ishte Kryeministri që e sulmoi publikisht Allkjan.


Në ekranin e madh live, i tregoi atij fotot ku si qytetar merrrte pjesë ne protestat e opozitës. Edhe pse Rama tha me elegancë, se kur nuk është në detyrë, është e drejta e tij ta bëjë, deri më sot, nuk ka asnjë provë tjetër të bërë publike, si arsye për largimin nga shërbimi të këtij mjeku. Pra vetëm pozimi me dy gishtat lart.


Shefi i Allkjas, e ka marrë mesazhin. Shpejt e shpejt i komunikoi largimin.


Fabula është e thjeshtë. Nuk merret njeri me thelbin e denoncimit qe bëri doktori i urgjencave, që është në vrik me ambulancë pranë njerëzve prej 27 vitesh. Ai tha qartë, nuk kishin veshjet mbrojtëse për të gjitha rastet, sic në fakt duhej ti kenë. Ata skanë nga ta dinë apriori, nëse një person që kërkon ndihmë, ka ose jo koronavirus. Mjekët, duhet patjetër të jenë 24 orë imunë. Dhe këtë, po e vërtëton kronika e ditës. Në Berat, në Durrës, dhe më e fundit tek Sanatorimi, dolën dy prej tyre të prekur.

Kjo mjafton për ti dhënë të drejtë Ilir Allkjas.

Arsyeja e vërtetë e largimit të tij, nëse kjo do të bëhet vërtetë zyrtare edhe me shkresë, është guximi që pati për të folur, dhe kjo është një përplasje fatale me armën kryesore të qeverisë, me propagandën.

Allkja guxoi të sfidonte më shumë se sistemin, masat e marra, qeverisjen. Ai shkoi shumë larg. Goditi rëndë dukjen, fasadën, PR-in e qeverisë. Ky është një sakrilegj që rilindja nuk ta fal.
Sak, sot kërkohet besim, optimizëm. Por asnjë mashtrim nuk i sherben punës dhe qytetarëve. Shihni cpo ndodh në Itali. Mediat atje, dhe këtu tek ne, po nxjerrim cdo ditë intervista të doktorëve dhe infermierëve që tregojnë si janë punët në të vërtetë. Sepse atje, ata kanë prioritet njerëzit, publikun, vendin e tyre, dhe nuk kanë merak nëse mërzitet Ogerta apo shefi i madh nga fjalët që thonë.

Ilir Allkja, me modestinë dhe mundësinë e vogël që ka, në krahasim me ekranin e madh dhe infrastrukturën mediatike të qeverisë, të Ramës në vecanti, po vijon ta fitojë betejën e tij.

Ndryshe nga sa mund të bënte normalisht një profesionist i zakonshëm, që sulmohet nga kryeministri në tv, që i thotë shefi, (me siguri ndonjë nga ata barkëmëdhenjtë që brohoret rroftë parti) ik në shtëpi, ai nuk po dekurajohet. Nuk po e lëshon bluzën e bardhë në këto ditë të vështira.

Allkja deklaron se do të dalë cdo ditë e cdo natë në punë derisa ti vijë zyrtarisht urdhëri i shkarkimit.

Doktor Iliri po shkon në vijën e parë të luftës, teksa ai që e largoi, e ka lënë zyrën me vakt dhe shfaqet me video nga Surreli.

Këto janë dramat e një vendi që qeveriset keq, që sundohet me arrogancë e propagandë.

Ilir Allkja me siguri mund ta humbë punën, por ai ka fituar nje vend në qoshen e njerëzve me dinjitet, që nuk friken, dhe tregojnë të vërtetën.

Këta i duhen sot vendit më shumë se asnjëherë tjetër.

/MAPO.AL/


Etiketa: , ,

Pas