U bë kohë që Fatos Lubonja ka vënë alarmin për ngushtimin e hapësirave të lirisë, për grumbullimin e të gjithë pushteteve në një dorë, për rrezikun e rënies së demokracisë. Problemi është që, në krye, nuk e kanë marrë shumë seriozisht. Mirëpo, teksa ditët kalojnë, parashikimi i tij po del, i plotë me të gjitha përmasat.
Lubonjës në fakt i duhet besuar apriori. Ai ka nën lëkurë disa sensorë më shumë se të tjerët që tregojnë çfarë stuhie po vjen. I dënuar në kohën e diktaturës komuniste, shkrimtari dhe publicisti i njohur është më i sprovuari për të vërejtur një atmosferë që shkon kundër normave dhe standardeve demokratike.
Ai ndoshta është i pari që dallon retë e arbitraritetit të një pushteti.
E mbani mend kur në fund të 1996 dhe në fillim të 1997, ishte në krye të denoncimit të pushtetit të Sali Berishës. I pakursyer e luftarak asokohe.
Fatos Lubonja po na tregon se historia përsëritet. Sot personazh i autokracisë, i diktaturës së re, në krye të saj, është pikërisht ai që Lubonja e pati në krah në ato ditë të errëta të ’97, kur oksigjeni i lirisë dhe demokracisë po tkurrej e tkurrej vazhdimisht.
Pikërisht, Edi Rama, për dhunimin e të cilit atëbotë, Lubonja pat ngritur zërin fort.
Ka shumë publicistë, analistë e njerëz publikë që kanë rezistuar këto kohë, përballë një pushteti që të trysnon me çdo instrument, ose të ble. Shumë prej tyre nuk janë impresionuar as nga qëndrimet e ndërkombëtarëve, që janë në të vërtetë shkurajues për popullin opozitar në përgjithësi.
Në këtë korsi, spikat pikërisht Lubonja.
Me analizat e tij në News 24 dhe kolonat te Panorama, ai ka mbajtur ndezur një turbinë në oponencë të vazhdueshme me Edi Ramën.
Lubonja ka një bagazh të madh që mund ta merrte me vete në çdo debat, po ai ngjan se modestisht nuk e përdor. Janë vitet e gjata të burgut në kohën e diktaturës. Vuajtjet dhe torturat atje. Një njeri që i ka mbijetuar atij ferri, s’ka dyshim se është sipëran në çdo ambient, e kudo ku dikush mund të lajthisë e të tentojë të vendosë diktatin. Por përulësisht ai nuk e bën këtë. Në librin Ridënimi, ai rrëfen se si një i dënuar kalonte në disa faza torturash, në disa rrathë, derisa thyhej, dorëzohej.
Maks Velo, pak muaj më parë, teksa ishin ngjitur të dy në podiumin e mbrojtjes së Teatrit, rrëfente si dëshmitar, se si Fatosi nuk u nënshtrua në Spaç. Nuk pranoi të bënte punën e detyruar, edhe pse merrej zvarrë.
Tani para një sistemi të atillë, me siguri, Lubonjës, Edi Rama i ngjan me një karikaturë.
Por, në fakt, ai është më i shqetësuari.
“30 qershori, është kalimi i pragut, Edi Rama mund ta mbajë një muaj, dy, tre, ndoshta dhe 10 vite, por fundin do ta ketë si diktator” , u shpreh në një intervistë pak ditë më parë.
Revolucionar siç është, që në protestat e para, Lubonja qe shprehur se po të ishte ai, po ta kishte ai në dorë të kishte hyrë në zyrën e Edi Ramës, të paktën sa për t’i shkulur atë koshin e basketbollit, siç u shpreh.
Por shkrimtari dhe analisti, ka qenë kundër dorëzimit të mandateve nga opozita. Ai ishte për një gërshetim të oponencës në parlament me atë në rrugë. Lubonja nuk i ka kursyer aspak kritikat për PD-në që sipas tij ka ende shumë punë për t’u bërë e besueshme. Ai ka dyshime se edhe kjo forcë politike, noton në të njëjtat ujëra me oligarkë e kapës të pushtetit.
Pas daljes së përgjimeve për krimin zgjedhor, u shpreh se tashmë kjo i kishte dhënë të drejtë opozitës në aktin ekstrem që bëri.
Fatos Lubonja ka bërë një paralajmërim të frikshëm. Ai thotë se ka dalluar shenja të ngjashme të pushtetit të sotëm me atë të diktatorit Hoxha, lidhur me reagimin kur denoncohen krimet.
“Këto janë shenjat si në pushtetin e Enver Hoxhës që dënonte ata që thoshin të vërtetën. Edhe këtu po instalohet pushteti që dënon, që ndëshkon denoncuesit e krimit, dhe jo ata që kryejnë krimet”, – thotë Lubonja.
Për analistin, qytetarët janë në provë. Ai e thekson, se opozita ka bërë jo pak, sidomos në anën e denoncimit. Puna sipas tij, është se, çfarë do të bëjnë njerëzit.
“Tani çështja është çfarë do të bëjnë shqiptarët, jo ç’do bëjë opozita. Se Lulzim Basha mund të thotë një ditë, unë kaq munda të bëj, dhe e lë e ikën, sepse nuk mundet më. Shqiptarët çfarë do bëjnë? Si do ta zgjidhin? Apo duke ikur të gjithë…”, është apeli i tij.
Lubonja ka shprehur vazhdimisht habinë se si një stof socialistësh me kontribute nuk reagojnë për situatën.
Forca e madhe e Lubonjës, e fjalës së tij, qëndron te jeta që ka bërë. Ai ngjan se nuk është lëshuar në kompromis në gjithë këto vite. Nuk është joshur dhe nuk është blerë nga pushtetet. Ndaj dhe njerëzit vazhdojnë ta dëgjojnë. Ndaj dhe mesazhet e tij nuk kontestohen edhe prej atyre që godet. Sepse ende nuk i kanë gjetur një pikë të dobët, një moment komprometimi. Përndryshe, do kishte hyre dhe ai në makinerinë e baltës, që funksionon non-stop 24 orë.
Ndyresire blloku