Aktualitet

PROFIL/ Maks Velo, ikja e një intelektuali pa kompromis








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 09/05/20 |
mapo.al

“Një qytetar model, një zotëri i vërtetë!”, “mishërim i dukshëm i vuajtjes, dhimbjes, dëshpërimit dhe dështimit të shoqërisë sonë për të gjetur lirinë dhe dinjitetin njerëzor”, “parizieni i fundit i këtij vendi që i ngjan gjithnjë e më shumë Azerbajxhanit”, janë vetëm disa grimca nga lumi i figurave letrare që të njohurit e Maks Velos hodhën në rrjetet sociale vetëm pak orë pas ndarjes së arkitektit nga kjo jetë.


Një dhimbje që përcillej me admirim, respekt, vlerësim për njërin prej intelektualëve të pakët të pakompromis të këtij vendi.


Si për të treguar se vlera e madhe e të qenit vetvetja, respektohet nga të gjithë, madje edhe nga ata që konceptohen si kundërshtarë të zjarrtë në jetën e përditshme, për Maksin nuk munguan mesazhet e lamtumirës nga të gjithë aktorët e spikatur politikë të vendit. “Maks Velo la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm” shkroi në mesazhin e tij Presidenti Ilir Meta.


Për kreun e shtetit “Maks Velo do të mbetet në memorie si një njeri që luftonte pa kompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur”. Trishtim ka shprehur edhe kryeministri, ndonëse më i kursyer në fjalë: “Çfarë trishtimi! Lamtumirë Maks” shkroi Rama. Po aq i ndjerë dhe vlerësues erdhi edhe mesazhi nga kreu i opozitës që e quajti artisti shumëdimensional, kritiku dhe qytetari i madh. “Maks Velo ishte dhe do të mbetet një misionar i pakompromis me artin dhe desidencën e tij të mishëruar në telajo, arkitekturë dhe në libra” shkroi Lulzim Basha. “Maks Velo ishte një pasionant i lirisë, mbrojtës i të  vërtetës dhe luftëtar i së drejtës” shkroi Kryetari i  Kuvendit, Gramoz Ruçi. “Tirana humbi një nga qytetarët e saj më të mirë, një artist brilant, që na la si pajë vepra ikonike” përcillte në mesazhin e tij kryebashkiaku Veliaj.


Ndërkohë ish-politikani Arben Malaj e quan “simboli i sakrificave dhe shpresës”.


Sigurisht më të shumta pse jo edhe më të ndjera kanë qenë mesazhet e pafundme të shokëve dhe miqve të Velos, duke nisur nga Artan Shkreli, arkitekti Pirro Thomo që e quan “një artist shumëdimensional, arkitekt, piktor. Si shkrimtar ishte i drejtpërdrejt, të gjithë jetën dhe vuajtjet, ishin shumë bindëse. Kishte një karakter të fortë, dallohej dhe idealet e tij mund të sakrifikohej, dënohej, por i mbante deri në fund. I çiltër, i zoti dhe i direktë, pa kompromis”. Ndërsa Josif Papagjoni, Profesor në Qendrën e Studimeve Albanologjike shkruan ndër të tjera: “ …Maksi Velo ishte si fryma, shkoi në Frymë, u bë frymë. E besoj këtë sepse fryma e shpirtit të tij rebel do të mbetet një nga modelet më frymëzuese për rininë dhe krejt kombin”. I angazhuar deri në fund në jetën e qytetit Velo nuk kishte si të harrohej edhe nga intelektualë të tjerë të angazhuar si ai. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e kishte si ikonë ndaj edhe përcolli një mesazh ku thuhej “Maks Velo ishte një nga mbrojtësit e parë të Teatrit dhe një nga simbolet e protestës tonë”.

Po kush ishte ky intelektual që të gjithë i bën bashkë në cilësimin për të si i pakompromis? Arkitekti Maks Velo që u shua para dy ditësh në moshën 84-vjeçare, i lindur më 1935 në Paris ia kushtoi gjithë jetën punës për vendin e tij. Emri i tij shënohet në listën e artistëve që do të goditeshin më 1973, pas Pleniumit IV të Partisë së Punës. Një “dasmë gjaku” që filloi me “të ngremë lart frymën revolucionare dhe në art” dhe u mbyll me internime, burgime në tunele minerale, pushkatime, apo trauma të forta. Velo, arkitekt në profesion, po në të njëjtën kohë i spikatur edhe si piktor dhe artist, anëtar i ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dënohet më 1978, sepse: vepra e tij “inspirohet nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”. Pra i burgosur politik për artin dhe idetë, sepse nuk bënte art politik, nuk mendonte politikisht siç bëhej në Shqipërinë Komuniste. Tablotë i digjen. Vizatimet e arkitekturës e të portreteve, vizatimet abstrakte që fillojnë në vitin 1964, po ashtu dhe shumë punë në vaj e pastel të viteve 1960-’70 janë dëshmi e lëvrimit në fshehtësi të artit abstrakt e surrealist në Shqipëri. Lirohet nga burgu në vitin 1986. Që nga koha kur në Shqipëri përmbyset diktatura, Maks Velo i kthehet jetës. Krijoi, pikturoi dhe shkroi. Është autor i disa vëllimeve me tregime “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, i veprës autobiografike “Kohë antishenjë”, i shënimeve për arkitekturën “Paralele për arkitekturën”, i albumit “Jeta ime në figura”, “Grafika të realizmit socialist” dhe së fundmi albumi me vizatime etj.

Kështu që ikja e tij është vetëm fizike sepse ai ka lënë pas një trashëgimi të gjerë.

Por jo vetëm aq. Ai iku në një kohë të vështirë për vendin dhe njerëzit e këtij vendi.

Maksi mori me vete shumë gjëra që janë të një Shqipërie që po vdes. Në këtë vend të tharë nga brenda, Maksi ishte një njeri me shumë pasion. Kishte pasion për punën në një vend ku dhe këta që na vjedhin, na vjedhin tashmë pa ndjerë pikë emocioni, sikur i ka zënë halli me ne. Maksi fliste me pasion të pagjindshëm për të bukurën, mes këtyre njerëzve të arsimuar keq dhe parvënyve në pushtet që flasin vetëm për të bërë para e kurrë për të bërë një gjë të bukur. Maksi, kishte deri në ditën e fundit pasion për dashurinë, në një kohë kur dashuria përfaqësohet vetëm me prostituta instagrami e me kurvarë të veshur me pushtet. Maksi nuk pushoi së mbrojturi traditën, urbanistikën dhe estetikën e Tiranës, një Tiranë që po shkatërrohet.

“Në Shqipërinë ku /injoranca kthehet në vilë e veshur me frak*/, Maksi ishte nga të paktët aristokratë të vërtetë. Një aristokraci që nuk i vinte nga pronat e rimarra apo nga milionat e bëra në kohën e trafiqeve.

Aristokracia e Maksit vinte nga ajri që kishte thithur, nga librat që kish lexuar, nga njerëzit e mëdhenj që kish takuar në burgjet e Enverit, nga muzetë ku kishte hyrë, nga vlerat e familjes së vet. Maksi ishte korçar i lindur në Paris. Maksi, ishte ndoshta parizieni i fundit i këtij qyteti. Sepse, parizien nuk të bëjnë kravatat, luksi apo vitet që mund të kesh kaluar në Paris. Enveri kish jetuar në Francë. Por Shqipëria e tij ishte Shqipëri siberiane, jo pariziene. Sikurse Shqipëria e Edi Ramës është anadollake. Ky vend prej kohësh nuk ka më copëra Parisi, madje, përherë e më shumë i ngjan Azerbajxhanit. Edhe më shumë tani, me ikjen e Maksit.

I dënuar me 10 vjet burg pse pikturonte si “modernist” dhe se fliste për Pikason; me ekspertizën që ia bënë gati drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve me në krye Kujtim Buzën; me veprat që ia morën me kamion dhe ia dogjën në kaldajën e gjykatës; tradhtuar e spiunuar te Sigurimi nga shokët e ngushtë, nga e vjehrra dhe e shoqja; jeta e Maksit është analiza më e mirë e kohës së Enverit.

Në një vend ku shumica preferojnë të mbajnë gojën mbyllur, ku shumë nga ata që janë në pozitë që duhet të flasin kanë zgjedhur të heshtin e t’i shërbejnë të dorëzuar pushtetit të një njeriu të vetëm, Maksi, mbeti deri në fund një shpirt i lirë.  Shqipëria është kjo që është, për shkak të disa njerëzve të mëdhenj që kanë marrë frymë në të. Për mua, Maks Velo ishte një prej tyre”, shkruhej në njërin prej mesazheve të ndjera për arkitektin, piktorin, shkrimtarin që përmblidhet më së miri në përcaktimin “intelektuali pa kompromis”.


Etiketa: ,

Pas