Kryesore

PROFIL/ Mandati i lumtur i një ndërkombëtari në Tiranë






               Publikuar në : 19:11 - 15/03/19 |
mapo.al

Të kanë caktuar në Albania, Tiranë. Në fillim, diplomatin e kap një huti, nga ato ngulmueset që nuk të lëshon për ca kohë. Më pas, nis kthjellimi. E nis e hulumton. Po shkon në një vend, ku ambasadorët kanë peshë, çmohen shumë, ka patur kohë që shiheshin si gjysmëperëndi, dhe shpesh e shpesh kishin gjëra të rëndësishme në dorë. Një ndërkombëtar që vjen në Tiranë, pse duhet parë fundja si një njeri i zhveshur nga çdo ves. Pse ata doemos paskan kaluar në një stufi puritanizmi, dhe vikan këtu të qashtër. Prej gjaku e mishi janë. Dhe thonë se Shqipëria, përpos kostos së ulët të jetesës, diellit, ushqimit të mirë, njerëzve mikpritës, qenka një vend ku jo vetëm mund të kursehet shumë para prej rrogës, po ndoshta e jep hera edhe për të bërë ndonjë shuk të mirë. Shih raportin e Transparency International para se të nisesh. Kjo ka më shumë rëndësi se sistemimi i valixheve. Qenka një vend me të vërtetë që e njeh thellë, në rrënjë, rëndshëm ryshfetin. Ndonjë biznes të vogël, ndonjë ndërhyrje andej-këndej. Po pse mos ta pranosh me entuziazëm të madh një punë të tillë. Për më tepër, që ta njohin si angazhim të vështirë të qenit në Shqipëri, për shkak se mund të futet ende në atë bashkësinë e vendeve me një farë risku. Puna e do që duhet të jesh prezent në disa fushata për mjedisin fjala vjen, për të drejtat e grave. Për pelikanin kaçurrel. Të zbulosh vende të bukura periferive. Kjo të ndih shumë të krijosh profilin e një njeriu të mirë. Po asnjëherë nuk duhet të harrosh më të rëndësishmen. Në Shqipëri ka një konflikt të vazhdueshëm politik. Mos hyr në detaje, qëndro gjithnjë në krah të qeverisë. Do shohësh se të mirat do të të vijnë vetë. Në fund të fundit, çfarë do rregullojë mandati yt. Ky mandat, ndoshta mjafton vetëm që të rregullohesh ti. Mos humb kohë. Fillo impresionohu nga ministri i Brendshëm. Shko me të nëpër ceremoni ku betohen oficerët e rinj. Thuaj se po punohet shumë kundër krimit e po forcohet rendi, edhe nëse vendi është mbuluar nga droga e bandat parakalojnë tërë ditën e perëndisë. Nëse ministri i Brendshëm ndryshohet, mos prit. S’ka kohë të ngushëllosh atë që iku. Hidhju në qafë tjetrit, dhe kur në ditën e tij më të keqe të përballjes me ca fakte të frikshme, ofroi dhe makinën tënde, bëj një xhiro me të në bulevard. Mundësisht, shumë kamera të jenë prezente.


Mos harro të thuash sa më shpesh, që zgjedhjet ishin më të mira se ato të fundit, ka ende punë për të bërë, po njerëzit le të pranojnë produktin, ta pranojnë atë, ta nderojnë, ta venerojnë, të mallëngjehen prore prej tij. Opozita bën gabim nëse nuk sillet kësisoj, në këtë udhë. Se ajo pastaj pengon integrimin, pengon të ardhmen europiane e me radhë.

Sa më shumë peshë fjala jote, aq më e madhe vila. Një vilë madje, u bë e famshme dhe lajm ndërkombëtar se kishte ca hije të dyshimta korrupsioni. Po ç’rëndësi ka, futi një shëtitje në një fushë futbolli ku po argaliset qeveria që kërkon të ngjajë rinore dhe energjike, dhe çdo gjë është në rregull.

Mund të dalë dhe Prokurori i Përgjithshëm të thotë se ke ndërhyrë për një çështje, që të mos bezdiset një biznes. Po gjëra të vogla. E rëndësishme është që kryeministri të të vendosë në qoshe të vendit, dhe kur kjo pastaj shkon deri aty, sa ai të thotë, se për mua dhe në emrin tim flasin ambasadorët, ky është klimaksi më i madh. Nuk ke ç’kërkon më shumë.

Më thuaj pak, ç’do bëje në një vend si Danimarka. E sheh sa mirë që erdhe në Shqipëri. Kush do të ta varte andej. Cilat zgjedhje do duhej të mbuloje, cilat skandale do duhej t’i shihje nga larg, ose të mbyllje një sy. Këtu ka lezet. Dinamizëm.

Ja, del për shembull e provuar nga drejtësia se ca banda, nga më të njohura në vend për aftësitë në krime të rënda e trafiqe, paskan futur duart në zgjedhje. E pse duhet të alarmohesh ti për këtë. Quaje rast sporadik dhe thekso se qeveria është legjitime. Aty ngjitur, asnjëherë mos harro të fajësosh opozitën se po pengon vendin. Mos bëzaj, nëse del se qeveria i jep 40 milionë euro një firme fantazmë. Ç’të duhet ty. Nuk të duhet edhe pse kjo u ndodh qytetarëve të një vendi, që duan Europën në një masë dramatike, mbi 90 për qind.

Miti i ndërkombëtarëve ka rënë në Shqipëri. A është ky një reagim i shoqërisë ndaj disa zyrtarëve që marrin kosto për shkak se rreshtohen me qeverinë. A është shenjë e një lloj emancipimi, përpjekje për të parë të vërtetën, pavarësisht se kush është përballë. Por e pranueshme është se ambasadorët e rëndësishëm që për më shumë se 2 dekada kanë qenë gati guvernatorë, sot nuk impresionojnë më. Dhe testi më domethënës për këtë, është kur njerëzit nisin masivisht të tregojnë barsoleta për ta, të bëjnë humor nëpër kafet e lagjes, e akoma më shumë të shkarkojnë meme në rrjetet sociale.

Çështja në fakt është serioze. Sepse dëmi i tyre mund të jetë jo i vogël, teksa ndihmojnë të mbajnë në këmbë një regjim shpesh të urryer nga njerëzit. Fatos Lubonja i quan ambasadorët gjysmë të korruptuar. Andi Bushati tha një ditë që ata flenë në shtëpi oligarkësh. Po gjuha është zgjidhur kudo. Dikur ishte tabu të kontestoje një diplomat të rëndësishëm. Sot njerëzit nuk janë dakord, kur dukshëm ata vihen në shërbim të një qeverie të keqe. Sigurisht, ky është progres, kjo është një sjellje europiane.


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas