Aktualitet

Profil/ Marko Bello, homazh për mikun e gazetarëve!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:04 - 04/12/20 |
Blerina Gjoka

Biseda e fundit me Markon Bellon mbante datën 11 nëntor, kur fill pas një vendimi të qeverisë holandeze për t’i thënë “jo” çeljes së negociatave me Shqipërinë, i kërkova një opinion për forumin e gazetës Mapo. Nuk hezitoi t’u përgjigjej pyetjeve, ashtu siç kishte bërë gjithmonë. Në vitet 2000, kur gazetaria e terrenit kishte shumë më tepër peshë, në mungesë të zyrave të shtypit dhe lidhjeve live apo kasetave të gatshme, kontakti i drejpërdrejtë me zyrtarët dhe politikanët ishtë i rëndësishëm. Sapo kisha nisur të punoja gazetare politike dhe mbuloja të majtën kur njoha Marko Bellon, në atë kohë deputet i ri i PS-së, një nga prurjet e Fatos Nanos.






Krejt natyrshëm ai preferonte të rrinte më shumë me gazetarët se sa me kolegët e tij deputetë dhe shumë shpejt u bë burimi ynë kryesor i informacionit për çfarë ndodhte në mbledhjet e famshme të kryesisë së PS-së me dyer të mbyllura, ku gëlonte debati, apo më vonë për çështjen e integrimit, një temë e re me të cilën gazetarët e politikës do të fillonin të merreshin.


Kur mësova se Bello kishte punuar si korespodent i Reuters në rininë e tij mendova se kjo lidhje vinte ndoshta prej pasionit të hershëm për këtë profesion, apo sepse mes nesh e ndjente veten rehat me batutat që nuk i mungonin në asnjë moment. Dhe e vërteta është se politikanë të ngjashëm ishin të rrallë.







Kur ai u largua nga PS-ja dhe politika kishte një lloj zhgënjimi për të gjithë ne, por shumë shpejt e kuptuam që kishim humbur vetëm burimin, por jo miqësinë që lindi në ato biseda për politikën. Por, që prej këtij dhjetori në telefonin e tij nuk do të ketë më telefonata nga gazetarët, pasi Marko Bello humbi sot betejën me covid-19, duke u ndarë para kohe nga jeta.



Politikani që mbeti njeri



Flokët e bardhë që nuk i përkonin me moshën e identifikonin personalitetin e Marko Bellos që zgjodhi të ishte i bardhë deri në fund dhe pse notoi në ujërat e errëta të politikës. Sot, në ditën e tij kur u nda nga jeta, vetëm fjalë të bardha u thanë nga miqtë dhe ata që patën mundësinë ta njihnin nga afër.  Në rrugëtimin e tij të gjatë në diplomaci dhe politikë testamenti i tij më madh do të ishte “njeriu”. Ai rrëzonte prototipin e politikanit të pasur, ose siç mund ta perifrazonte me një fjali gazetari Erl Murati “ishte i vetmi ministër me “Opel” që kam njohur në 20 vite”.  Në mandatin e dytë të PS-së ai u emërua ministri i parë i Integrimit, një dikaster që u hap për t’iu përkushtuar këtij vokacioni të ri për vendin.

Ashtu si në karrigen e deputetit Bello nuk e humbi modestinë pasi kaloi në karrigen e ministrit duke ruajtur të njëjtën marrëdhënie me gazetarët dhe mbeti i thjeshti që ishte për të gjithë ata që e njihnin, gjë e rrallë kjo në skenën e politikës shqiptare ku e kundërta është zakon, politikanët veshin një tis arrogance dhe largësie.  Po ndoshta kjo e ndihmoi për të mos e përjetuar si një tragjedi largimin nga politika dhe për ta gjetur veten shumë natyrshëm në profesionin e pedagogut të Shkencave Politike, duke zgjedhur të udhëtonte me më shumë se 100 kilometra disa herë në javë për studentët e tij të Universitetit të Strugës.

Lexo edhe :  I vaksinuar me dy doza Pfizer, COVID i merr jetën mjekut të Kombëtares

Bello e nisi karrierën në diplomaci në kapërcyell të rënies së regjimit komunist si sekretar në ambasadën shqiptare në Rumani dhe më pas në zyrën e shtypit të ministrisë së Jashtme. Nga 1997-2000, ai shërbeu si Ambasador në Rumani  dhe më tej u zgjodh anëtar i parlamentit për 3 mandate gjatë viteve 2001-2013.

Pas ardhjes së Edi Ramës në krye të PS-së, Bello dhe një pjesë e armatës së vjetër të politikanëve që njiheshin si të afërm me ish-kryetarin Nano, nuk e gjetën veten në drejtimin e ri të kësaj partie. Për pak kohë ai do të përfshihej në Lëvizjen për Mendim Ndryshe  bashkë me Arben Malajn, Ben Blushin e të tjerë për t’u distancuar më vonë nga Rama, i cili e zëvendësoi armatën e politikanëve me eksperiencë të PS-së me prurjet e tij nga organizata Mjaft apo nga Bashkia e Tiranës.

Me natyrën e tij të qetë e plot humor Bello do të shkëputej nga politika pa zhurmë dhe pa pasuri duke iu përkushtuar mësimdhënies për të jetuar. Por, ai vijoi ta ruante marrëdhënien e sinqertë që kishte vendosur me gazetarët dhe kjo e mbajti në publik me opinionet dhe ekspertizën e tij për çështjet e integrimit.

Në intervistën e fundit që i dha gazetës Mapo në nëntor të këtij viti Bello do të shprehej se vendimet e vendeve anëtare të BE-së për të shtyrë negociatat me Shqipërinë duheshin parë, jo si problem i tyre, por si një penalizim për vendin tonë që nuk kishte plotësuar standardet që kërkohen për të qenë pjesë e familjes europiane. “Duhet kuptuar se duke fajësuar të tjerët nuk shfajësohet vetja. Është e pafalshme të mos plotësohen ato kushte, të cilat një klasë politike më e përgjegjshme dhe një Qeveri që vendos interesat e vendit në plan të parë, do t’i kishte realizuar me kohë”- do të shprehej Bello.

Ikja e tij e papritur do t’i dhembë shumë familjes, por pa dyshim do të lërë një boshllëk dhe në opinionin publik, ku do ndihet mungesa e mendimit kritik që ai përfaqësonte, që kulisat e errëta të partisë së tij mundën ta mënjanonin nga vija e parë e politikës, por nuk e deformuan dot karakterin e njeriut.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas