Me kalimin e kohës, pas protestës së madhe të 16 shkurtit dhe më tej, pas dorëzimit të mandateve parlamentare nga opozita, e 5 marshimeve të tjera dhe ai kulminanti i 16 marsit, ngjan se mazhoranca duke vënë në eficiencë maksimale të gjitha instrumentet që ka në dorë, që duhet thënë se i ka më të shumta se opozita, po tenton që zhvillimin e paprecedentë dhe krizën më të rëndë politike dhe institucionale në vend, ta fusë në kronikë. Ky është kurthi i madh i Edi Ramës. Që gjithçka po ndodh, të nisë të ambalazhohet si një nga ngjarjet e ditës, duke e kthyer protestën në normalitet. Dhe nis raportimi, në mëngjes një aksident, më tej një shpërthim, ndoshta dhe një ekzekutim, dhe brenda edicionit të lajmeve ka dhe një hapësirë për rezistencën e opozitës.
Kryeministri është më shumë në nevojë nga gjithë aktorët e tjerë për të fituar kohë. Orë, ditë, javë, ç’të mundet. Kohë fitohet duke kthyer në rutinë lëngatat. Me shumë gjasë, edhe trupi më i sulmuar, kësisoj, nis dhe gëzon imunitet. Në ndihmë i erdhi sigurisht edhe reagimi i parë i ndërkombëtarëve që nuk pritej t’i thoshte mashalla daljes së opozitës nga sistemi. Sigurisht, zjarrfikësit në shërbim non stop, media e kontrolluar prej tij, është aty për të hedhur sa më shumë ujë mbi revoltën dhe pakënaqësinë. Edhe më shumë se sa hedh ujë dhe gaz lotsjellës ministri Lleshaj.
Pikërisht në këtë moment, shfaqet Ilir Meta. Ai doli që herët në skenë në fakt duke bërë thirrje për dialog, dhe i gatshëm të nisë ndërmjetësimin. Ky rol, u pa se nuk po e nominonte askund. Deklaratat e tij përfunduan në listën cinike të redaktorëve të lajmeve. Në këto kushte, Presidenti bëri edhe një hap më shumë, një përpjekje për të trazuar rutinën që po mundohej të impononte mazhoranca. Rutina, përditshmëria, është në fakt kanosja dhe rreziku më i madh i lëvizjes së opozitës, një kërcënim i njëmendët për të zbehur një gjë në të vërtetë fare të pazakontë e të paprecedentë. Në një situatë ekstreme politike, Meta ofroi një lëvizje ekstreme. Dorëzimin e mandatit. Jo më kot ai zgjodhi këtë shprehje. Duke thënë jam gati të dorëzoj mandatin, ai evokoi dhe tërhoqi vëmendjen te kriza. Mund të kishte përdorur fjalën dorëheqje, por me sa duket, qëllimi ishte përmendja e mandatit. Përmendja e litarit.
Të tjerat, sjellja ndërmend e Allendes së Kilit, ngjarjes tragjike atje, ishin me siguri një truk, për të mbajtur gjallë mesazhin kryesor. Lënien e mandatit.
Duket se Presidenti, një politikan me më shumë përvojë se sa aktorët kryesorë aktualë në politikë, përjashto Berishën, e ka ndjerë me instinkt, direkt në lëkurë se çfarë po ndodh. Ai ka parë se frika është se ndeshja po shkonte barazim, dhe kalimi i kohës do ta çonte gjithçka te penalltitë. Ndaj përpara se të dëgjohej fishkëllima e arbitrit, një fishkëllimë që do të vijë patjetër, vendosi të futej në lojë në minutat shtesë, për t’i dhënë sipas tij drejtim, pa pritur atë momentin e fundit para 11-metërshit që në të shumtën e rasteve është fat, dhe jo logjikë apo produkt i aksionit e strategjisë.
Gjithkush sot e ka të qartë se Ilir Meta nuk është as në miqësi, as në raporte korrekte institucionale me Edi Ramën. Presidenti është investuar kundër kryeministrit me hapësirën që i lë Kushtetuta duke i kthyer mbrapsht ministra dhe ligje. Gjë që nuk e pati bërë as Bujar Nishani i PD-së. Dekretet e tij kanë qenë sigurisht të mirargumentuara juridikisht, të qëndisura me logjikë.
Edhe pse retorika e tij është pa të meta, për stabilitetin, për dialog, për bisedime mes palëve, për integrimin, për të ardhmen, dihet mirë se Ilir Meta nuk ka hequr dorë nga politika për ta mbyllur karrierën si predikues.
Për shumëkënd është ende i freskët momenti kur teksa dorëzoi teserën e LSI, ai tha se i kishte lënë porosi sekretarit Luan Rama që t’ia ruante mirë, duke nënkuptuar se do ta rimerrte atë shpejt.
Përtej rivalitetit dhe protagonizmit të tij politik, nuk mund të mos thuhet se, Ilir Meta me qëndrimet që mbajti këtë javë po jep një kontribut për daljen nga kriza. Nga kriza sigurisht nuk dilet me kozmetikë, me korrigjime, me deklarata, apo sidomos me përpjekjet për ta fshehur atë. Është e thellë, kapilare dhe në shumë drejtime. Presidenti po zgjedh të bëhet zëdhënës i asaj se diçka nuk shkon, dhe çështja duhet të merret seriozisht. Nëse nuk qenka institucionale dhe politike kriza, pa opozitë në parlament, pa gjykatë kushtetuese, pa gjykatë të lartë, po pa President, a është vallë?
Mënyra më e mirë, dhe me më pak kosto për të dalë nga ky udhëkryq nuk është më ruajtja e status quo-së, ose bërja sikur s’po ndodh gjë. Shtyrja, fitimi i ditëve, mospërballja reale me problemin, thjesht e zmadhon plagën, e shtrin infeksionin. Është bash prekja e fundit, vetëm kjo do ta përshpejtonte ndërhyrjen kirurgjikale për të shkuar te një zgjidhje e mundshme. Nëse akoma nuk është vënë re nga ndërkombëtarët, nga aktorë të tjerë brenda PS-së, ende indiferentë, apo nga mediat këtu, se, ne kemi prekur fundin dhe jemi në krizë të thellë, lëvizja e fundit e presidentit është me siguri kambana që do të zgjojë ata që kishin vendosur të mbyllnin sytë dhe veshët para furtunës.