PD fitoi sot një tjetër betejë publike me qeverinë, duke i rrëzuar kryebashkiakun e Vorës, të kapur në rrjetën e dekriminalizimit. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për fatin e një personi apo karrigen e tij. Janë në lojë kredencialet e opozitës dhe të qeverisë.
E gjitha nis me një dalje në publik të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
Ai jep disa të dhëna të tërthorta. Bën denoncimin. I përmenduri reagon me zjarr dhe thotë ky është mashtrim. Subjekti merret në mbrojtje nga qeveria, sidomos nga Taulant Balla. E gjitha kalon pastaj në deklarata dhe kundërdeklarata. Dhe ngjan se argumenti përfundon në politikën e zakonshme të ditës.
Më pas, numri 2 i PD, shton të dhëna të tjera, dhe bën një pyetje fatale? Ku ka qënë x kryebashkiak në y datë të filan viti?
Këtu nis e zbehet apologjia e mazhorancës. Njeriu i qeverisë, i përzgjedhuri prej rilindjes për kryebashkiak, lihet si të thuash vetëm. Ai përplaset me forcë, mohon çdo gjë, dhe zakonisht kalon në sulme personale ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PD. I përmendin atij dhe syzet.
Koha kalon. Edhe pse me vonesë e në kufinjtë e afateve ligjore, mbërrin përgjigja zyrtare nga Prokuroria. Disa fakte nuk fshihen dhe nuk manipulohen dot, kryesisht sepse dërgohen nga vendet e BE, nga institucionet partnere.
Kjo ndodhi më herët me Valdrin Pjetrin në Shkodër.
Kajmaku i Vorës, një person që kur e prezantoi në fushatë, Rama tha se kishte shumë të përbashkëta me të, replikoi ashpër ndaj Bardhit. Mohoi gjithçka, dhe nuk i kurseu epitetet fyese ndaj zyrtarit të lartë të PD.
Por sot, zyrtarisht, organi i akuzës ka vërtetuar se kryebashkiaku i 30 qershorit, është i njëjti person, me atë që ai kishte fshehur dhe vijoi ta mohonte, me Jorgo Toton, që kishte kryer një krim në Greqi.
Tani ngelet vetëm procedura e shkarkimit nga kryeministri. E pashmangshme. Një tjetër rast ky, një tjetër fitore e PD dhe sekretarit Gazment Bardhi. Një tjetër damkë mbi zgjedhjet mjaft të kontestuara, një partiake, të 30 qershorit. Një tjetër hije mbi të përzgjedhurit e Edi Ramës, që nuk dihet pse, kanë shpesh një cen nga e kaluara.
Gazment Bardhi është një jurist i mprehtë, që ka arritur të zbulojë zyrtarë që shkojnë në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit, një korpus i ashpër juridik ky, që hyri në fuqi pak vite më parë, pasi dendur u dallua se institucionet më të rëndësishme në vend, nga parlamenti tek bashkitë, e tek zyrat e rëndësishme shtetërore, po populloheshin me persona me të shkuar kriminale.
Bardhi, më parë, këshilltar ligjor i grupit parlamentar ka punuar me ligjin e dekriminalizimit, të cilin e kundërshtoi qeveria në krye të herës, por me presionin ndërkombëtar dhe me trysninë me bojkot të opozitës, u detyrua ta votojë. Për shkak se e njeh mirë, ai ka një nuhatje të sprovuar për të dalluar të inkriminuarit.
33 vjeçari u bë sekretar i Përgjithshëm i PD në janar të këtij viti, pasi shërbeu si Ministër i Drejtësisë në qeverinë teknike të zgjedhjeve të vitit 2017. Ai është një nga thyerjet e mëdha që bëri kryetari i PD, me ekipin që solli në krye këtë vit. Kishtë në fillim skepticizëm për këtë zgjedhje, dhe jo pak kritika e sulme. Por 10 protestat kombëtare, aksione të tjera politike, performanca në debate, dhe sidomos denoncimet e këtij lloji, e kanë forcuar pozitën e tij si numri 2 i Partisë Demokratike.
Deri tani i ka larguar Ramës dy kryebashkiakë. Në proces është i treti, ai i Vaut të Dejës.
Lulzim Basha nuk flet asnjëherë me emra kur pyetet për ekipin e tij kur të vijë qeverisje. Po dukshëm, disa e zënë vetë vendin. Dhe Gazment Bardhi është njëri nga ata.
Mapo.al
LEXO EDHE:
Prokuroria: Agim Kajmaku është Jorgo Toto. Bardhi: Rama ta shkarkojë