Kryesore

PROFIL/ Pandeli Majko, thinjat që nxjerrin krye në çdo krizë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:20 - 02/03/19 |
mapo.al

Kur ndodhin lëkundje të forta tektonike në politikën tonë, disa gjëra shoqërojnë ditët e tensionit dhe konfliktit. Deklarata të forta, presione, akuza, denoncime. Bëhet një luftë e pamëshirshme, asgjësuese. Tokë e djegur premtohet nga të dyja palët. E fundbotshme ngjan tabloja. Zërat racionalë zhduken, ose mezi duken. Stuhia nuk i kursen të maturit. Po janë një palë thinja të urta, që shoqërojnë këto momente, që shfaqen si me droje, po pastaj insistojnë dhe kërkojnë të mbjellin një mesazh. Sidomos kur shumicat i kaplon marrëzia. Ky është Pandeli Majko, që po përsërit këto kohë që duhet dialog, duhet ulje në tryezë. Një ditë më parë, ai bëri edhe një hap më shumë, kur tha se ndërmjetësuesi, arbitri mund të ishte presidenti Meta. Pandeli Majko duket se është i vetmi që mund të thotë diçka, përtej censurës së rilindjes. Dhe Rama ia ka lejuar, se tek ai korrigjon autoritetin e tepruar nopran te të tijtë. Majko ka të drejtën shpesh të mos bjerë dakord me kryeministrin, siç ishte rasti i Teatrit, dhe jo vetëm me fjalë, po dhe me votë. Apo kur nga Uashingtoni, ndryshe nga sa po luftonte Rama me Zërin e Amerikës, ai shprehu papajtueshmërinë e tij, duke e vlerësuar maksimalisht këtë medie, edhe pse ajo kishte publikuar raportin e bombës 339.


Sa herë ka kriza të forta politike, kur në pushtet është e majta, dhe pushteti i kryeministrit vihet në rrezik, gjithnjë prozhektorët drejtohen nga ai, nga Pandeli Majko. Është nga ata socialistë me kuota të larta në publik, dhe i pranueshëm edhe nga kundërshtari. Dy herë kryeministër, Majko nuk është lidhur drejtpërdrejt me ndonjë aferë kur ka qeverisur, dhe emri i tij nuk është përmendur në skandale. I përkorë, pa protagonizëm, por prezent kur duhet. Dhe në krizën e fortë të 2017, ai u pa duke pirë një kafe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, në Rogner. Më herët po ashtu, në vitin ‘98, si kryeministër, u ul në bisedime me Sali Berishën. Dhe ja këto ditë, sërish flitet shumë për Pandeli Majkon. Nga fillimi i javës, krijoi një mjegull të shëndoshë, teksa në një intervistë në Top Channel, la disa mesazhe me dy kuptime. Të forta ishin, por çdokush, sa mund t’i marrë që i adresohen Bashës, aq mund ta kuptojë që ishin sinjale për Ramën. Edhe pse është anëtar i qeverisë, pra formalisht vartës i Kryeministrit, Majko ka folur si të jetë mbi palët. Dhe nëse merr në konsideratë faktin se ai është ministër, mendja ta do që shigjetat që ka hedhur, janë më shumë për Ramën, përndryshe, normalisht ai duhej të ishte drejtpërdrejt i qartë se e ka me Bashën. Ja si është shprehur në dy momentet më të forta, i pyetur për krizën.


“Në fund fare, dikush do të humbasë, por ndonjëherë në politikë humb duke fituar, dhe fiton duke humbur”, thotë Majko, i cili ka theksuar që në krye nevojën për uljen në tryezë të shefit të mazhorancës me shefin e opozitës. Humb duke fituar, ngjan si fitorja e Ramës në zgjedhjet e fundit, por që tashmë ka dalë jolegjitime, e ndotur dhe e damkosur nga faktet që ka zbuluar drejtësia ku grupe kriminale janë përfshirë direkt në fushatën e blerjes dhe manipulimit të votës në interes të qeverisë. Kjo është të humbësh, duke fituar. Po ashtu, fiton duke humbur, ngjan se më shumë i adresohet Ramës, sepse ideja të çon që, fiton më shumë nëse për të shtensionuar situatën dhe për të gjetur zgjidhje për krizën, pranon të humbësh, në këtë rast, karrigen, privilegjet dhe interesat. Qoftë dhe përkohësisht, për hir të vendit, që Shqipëria të shkojë më në fund në një palë zgjedhje vërtet të lira e të ndershme.


Po mesazhin e Majkos e bën jo vetëm dykuptimësh, por qartazi një thirrje për Ramën, ajo çfarë vjen më pas. “Mendoj që jemi klasë politike që po mbyll ciklin e vet dhe është e sigurt që në zgjedhjet që vijnë, dikush do të lërë jo vetëm karrigen e politikës. Prandaj është ky polarizim në këtë moment”. Me klasë politike që po mbyll ciklin, si pjesë e një tranzicioni të gjatë, kuptohet më së pari Edi Rama. Më shumë se Lulzim Basha, është pikërisht shefi i qeverisë në fund të një cikli, pasi ai gjendet në pushtet prej vitit ‘98, si ministër, si kryetar bashkie, si shef opozite e sot në krye të ekzekutivit, prej 6 vitesh. Ky mund të konsiderohet cikël. I Bashës ende nuk është mbyllur, pasi supozohet se deri tani ai ka bërë gjysmën e ciklit, dhe i mbetet që të provojë alternativën e tij si kryeministër, se çfarë do të jetë i zoti të bëjë. Basha po ashtu, ngjashëm me Ramën, ka qenë në shumë poste, ministër e kryetar bashkie, por që të quhet mbyllje e ciklit, duhej të ishte provuar në krye të qeverisë. Ky moment i Majkos, duket se shkon tërësisht për shefin e tij. Ministri për Diasporën, me gjithë kujdesin që ka bërë, ngjan se në një moment, retorika i ka rrëshqitur duke treguar ndoshta një dëshirë të pashprehur, që është largimi i Ramës, gjë që gjendet në jo pak koka socialistësh, po që nuk kanë kurajën ta thonë.


Pandeli Majko ishte personazhi i javës, jo për shkak të një eventi ku u përfshi, siç ishte Samiti i Diasporës. Po për qëndrimet dhe mesazhet që jep. Ai mund të mos dëgjohet fare nga palët, dhe të injorohet nga shefi i tij. Po të paktën, dukshëm, dallon nga grigja e rilindjes, pasi mund të thuhet pa frikë se Majko do më shumë Shqipërinë, se sa partinë.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas