Për Ramush Haradinajn betejat me sa duket janë tashmë thjesht jeta e tij. Kjo e ditëve tona, nuk duket aspak më e lehtë se sa ajo me armë, maleve, kodrave e pyjeve ndaj ushtrisë serbe në Kosovë, deri sa në vitin 1999 ndërhyri NATO për të çliruar popullin e fundit që dhunohej nga Millosheviçi.
Është një përplasje ku kërkohet vullnet, forcë, moslëkundje, rezistencë dhe qëndresë deri në fund. Edhe vetësakrifikim, edhe pse jo ai sublimi, por ai politik, që mund t’i kushtojë karrierën. Çka ai e ka marrë parasysh. Me stilin lakonik, me një zë të trashë e bindës, u shpreh do kohë më parë, kur u hap debati, se ai do të luftonte për ruajtjen e territorit të Kosovës, deri në fund, kudo që të ishte. Në politikë, në karrierë, në post, në rrugë, apo edhe në burg, siç tha.
Lufta kësaj radhe është për të ruajtur atë që solli lufta e vërtetë, me armë, me gjak e me shumë sakrifica.
Kur u çlirua Kosova, edhe më optimistët, e dinin fort mirë se andrallat nuk kishin mbaruar. Ndërtimi i paqes, do të ishte po njësoj i vështirë.
Ramushi i hyri politikës herët duke krijuar atë që njihet si AAK. Aleanca për Ardhmëri e Kosovës. Legjitimiteti i luftëtarëve ishte në ato vite i mjaftueshëm për t’i mbajtur jo pak vite në krye udhëheqësit e UÇK. Mirëpo, me kalimin e kohës, kosovarët nisën të kërkojnë më të drejtë qeverisje të mirë, transparencë, ligj, ndershmëri, ekonomi, vende pune.
Problemet e mëdha me të cilat u përball vendi, dhe sidomos rendja e ish-luftëtarëve për të bërë plaçkë e pasuri, e zbehën nga pak e përditë shkëlqimin që ata kishin marrë nga lufta.
Ramushi pa ngritjet dhe uljet e veta. Ai la karrigen e kryeministrit, dhe shkoi me vullnetin e tij në Hagë për t’u ballafaquar me akuzat për krime lufte. Beteja qe e vështirë, por doli nga Gjykata i pafajshëm, me legjitimitet të ri, dhe u rikthye sërish në Kosovë dhe në politikë.
AAK ndërkohë që Haradinaj ishte në Hagë, kishte pësuar rënie të madhe. Ajo ishte vërtet një parti me ndikim të fortë krahinor, në zonën e Deçanit ku janë rrënjët e Haradinajt, aty ku ai ka bërë betejat e luftimet më të mëdha, ku ka humbur dhe vëllanë, por gjithsesi me Ramushin pati një shtrirje kombëtare pas luftës.
Por ditët e mira kishin ikur, dhe AAK dukej se kishte ngelur e fortë vetëm te rrënjët e saj dhe ngjante më shumë me një strukturë fisnore, me një klan besnikësh. Ramushi luftoi për ringritjen, gjallërimin dhe afrimin e njerëzve në këtë forcë politike, dhe arriti të mbijetojë, e falë një marrëveshjeje politike, edhe pse kishte diku 10 për qind të votave, ai arriti të rikthehej si kryeministër.
Kush e njeh Ramushin për stilin spartan, të drejtpërdrejtë, pa korrektësi politike, mund të habitet se si ai po ia del të mbijetojë edhe në sallonet e politikës së madhe. Siç ishte ai i Samitit të Berlinit. Shumë politikanë shqiptarë pati në atë mbledhje, po vëmendjen më të madhe e mori ai.
Në fakt, politika e tij e vendosur. Vendosmëria është cilësi e vyer në politikë.
Dhe nëse ideja e ndryshimit të kufijve u varros në Berlin, ai padyshim është një nga aktorët kryesorë të këtij akti.
Ramushi nuk po tërhiqet nga taksa 100 për qind që u ka vënë mallrave serbe që kalojnë në kufi, duke bërë kështu një lëvizje sulmi dhe presioni ndaj tyre. Vendosja e taksës, është vendosja e një muri të ri, sikur kërkon të thotë, harrojeni një herë e mirë çështjen e kufirit.
Nëse lufta e re është për tregje dhe ekonomi, Haradinaj po del se edhe këtu, qenka një strateg i zoti. Sipas raportimeve në media, dëmet e ekonomisë serbe nga kjo taksë, janë në qindra milionë euro. Ndërkohë që ka ekspertë në Tiranë që thonë se kjo masë ka gjallëruar shkëmbimet e Shqipërisë me Kosovën. Ngjan se Ramushi kërkon t’i thotë Beogradit, që jo vetëm nuk mund të ketë më pretendime territoriale, por mund ta humbasë Kosovën edhe si treg, edhe si mundësi për biznes.
Nëse është ashtu siç del në media, se ai ka kundërshtuar edhe sugjerimet e Merkel dhe Macron, dhe nxitjet nga Tirana, që të pezullojë qoftë dhe përkohësisht taksën për t’i ridhënë edhe një shans dialogut me Beogradin, atëherë Ramushi ka dizenjuar një standard të ri të vendosmërisë.
Historia do të tregojë më vonë nëse ka patur të drejtë. Por çka duket qartazi, është se lëvizja e tij ngjan gjenuine, në mbrojtje të interesit kombëtar, pa shumë strategji e kalkulime që lidhen me leverdinë, karrierën, apo të ardhmen e tij personale. E thënë thjesht, siç e artikulon ai, taksa hiqet kur Serbia të njohë Kosovën.
Kjo është beteja e epërme, edhe në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, me aq sa raportohet në media, çdokush kupton se Ramushi shfaqet i përkushtuar për punët e përditshme të Kosovës. Ai negocion me mjekët për pagat, merret me pensionistët, ndalet para çdo protestuesi, dhe duket se ulet e bisedon me këdo që ka një kërkesë, një ankesë.
Sigurisht, mundësitë e një qeverie të një vendi të vogël si Kosova janë të pakta. Ndërsa, mundësitë dhe hapësirat për të treguar vullnet për qeverisje të mirë, janë të pafundme. Qytetarët e Kosovës kanë pakënaqësitë e tyre në rritje ndaj politikës, si në gjithë Ballkanin. Mirëpo këto kohë ku është shfaqur patriotizmi edhe një herë me dozat e veta të forta, Ramushi patjetër që është në terrenin e tij. Dhe me siguri, pikët e tij, dhe të forcës politike që drejton do të jenë rritur. Por kjo do të duket në testin më të afërt elektoral.