Çamëria, ka patur, ka e do të ketë shumë valltare e valltarë të mirë, të talentuar, disa prej tyre të rrallë, sepse është djep i këngës e i valles. Aktiviteti e emrat e tyre janë evidentuar e përmendur të paktën për këto 250 vitet e fundit. Por si Taip Madani, kanë qenë të rrallë, për të mos thënë, se ai ka qenë i pashoq. Pa e tepruar, mund të themi se ishte një Osman Taka i dytë, valltar që historia i nxjerr në skenë njëherë në 200 vjet. Jo më kot shpesh atij i flisnin edhe Taip Taka. Për Osman Takën, valltar i rrallë i Çamërisë e krejt perandorisë turke të viteve 1820-1880, janë thurur shumë këngë, janë thënë shumë gojëdhëna, janë shkruar shumë vjersha e tregime.
Ja dy vargje të një poezie shumë të bukur për komitin e valltarin Osman Taka…
… Djal që për trupin tënd të bukur
Kudo këndohej në Çamëri …
Këto vargje na evidentojnë faktin, se vallja çame flet me trup, me lëvizje, me mimikën e fytyrës, me muzikën që e shoqëron, me veshjen, me çdo element e lëvizje të atij që e interpreton atë. Po Taipit…? Taipit i këndonte e i vallëzonte trupi, i këndonte e i vallëzonte fytyra engjëllore, i këndonte e i vallëzonte zemra, i këndonte e i vallëzonte shpirti, i këndonte e i vallëzonte rrobja e trupit, kur ish në valle. Ai i gjithi ishte një këngë e valle e pambarimtë, një krijesë e jashtëzakonshme njerëzore, e burrërore. Vetë vallja e tingujt e muzikës dashuroheshin me të, siç humbiste e dashurohej ai me to.
Me Taipin dashuroheshin e gurët e sokakut ku shkonte e jo më skenat që shkeli e hodhi vallen çame, mbasi këmba e tij ishte e lehtë si krah zogu në fluturim, dheu nga prekja e tij çelte lule dhe përkëdhelej.
Me Taipin dashuroheshin drurët e pemët kur i përkëdhelte para se t’i mbillte aq bukur, para se t’i krasiste mjeshtërisht, si agronom me nam po aq sa edhe valltar. Po njerëzit në salla e sheshe, si bëheshin e si ndiheshin kur ai dilte në valle?!…
Vallëzonin nga vendi më të, hovnin me të e me fustanellën çame në qiell e bëheshin atje re e bardhë, qanin me të, qeshnin me të, gëzonin me të, lumturoheshin me të, bëheshin hark ylberi e binin në urë me të me kurmin mbështetur fort tek dheu i të parëve, psherëtinin me të kur mbaronte vallja, stepeshin një çast, pastaj shpërthenin në duartrokitje e thirrje, përsëri, përsëri, përsëri… Kështu në Shalës, Konispol, Sarandë, festivalet e Gjirokastrës ku rrëmbeu edhe çmimin laurat i festivalit, në Tiranë, në Greqi, Itali, Turqi…
Me vallet e papara të grupit çam të Konispolit me Taipin në krye e me këngët brilante të grupit çam të Rrogozhinës në festivalet kombëtare të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, do të rilindte dinjiteti, historia, tradita e kultura e një krahine të madhe e martire, e Çamërisë, e cila ishte nëpërkëmbur nga regjimi komunist në vitet gjashtëdhjetë.Vallja e Taipit dhe kënga e Refatit në ato kohëra e tejkaluan kufirin e të qënurit thjesht folklor, zbavitje, koncert, festival.
Ato u bënë histori, traditë, kulturë, u bënë zë i fuqishëm me të cilën foli Çamëria e çamët për padrejtësitë që u ishin bërë, për dënimet e padrejta, për persekutimin deri në harrim të tyre, u bënë shpresë, jetë, krenari, mobilizim për arritje më të mëdha. Ato u bënë gjithçka e me to nuk u krenuam vetëm ne çamët, por e gjithë Shqipëria, i gjithë kombi, si perla mbarëkombëtare…Ndaj edhe për këtë, ato marrin rëndësi e vlerësim të veçantë.
I dinte këto vlera Taipi, ndaj nuk rreshti së punuari për dhjetëra vite me djem e vajza çamë nga Shalsi, Konispoli, Saranda, Vlora, në ansamblin e këngëve e valleve me të cilin u përfshi shpesh në koncertet e tij, për t’ua mësuar e dhënë edhe atyre vallet e pashoqe çame. Janë të shumta vlerësimet, titujt, dekorimet e marra nga ai, brenda e jashtë vendit, si një valltar i rrallë i skenës shqiptare e më tej…
Për të gjitha këto e deshëm shumë Taipin tonë, artist, agronom, familjar, mik e shok i rrallë, por… fatkeqësisht e deshi edhe vdekja mizore dhe e mori para kohe në gjirin e vet, duke na lënë në një dhembje të madhe…Që orën e parë të ikjes, filloi përjetësimi i jetës e veprës së tij, që nga dita në ditë do vijë duke u shtuar…
Ti ike,
Ndërsa ne na le pa fjalë në gojë.
Ç’valle vallë le pa kërcyer,
Ç’pemë le pa mbjellë në oborr?…
Mos ndoshta u bëre hark ylberi,
Apo me fustanellën çame në qiell re e bardhë?
Pse ike o Taip Madani, pse ike,
Apo të takoje shpejt Osman Taknë?…
… Ti ike o miku ynë, ike
Ndaj sot gjithçka qanë...
Me humbjen e Taipit, Çamëria humbi një pjesë të shpirtit të saj, atë më të bukurin, që përbën thelbin e ekzistencës së saj dhe që është vallja. Taip Madani si askush tjetër na bëri ta shihnim dhe ta preknim nga afër shpirtin e Çamërisë, nëpërmjet valles. Humbje e madhe…
Por ne, krahina e Konispolit, rrethi i Sarandës, Çamëria , e gjithë Shqipëria , do ta kemi atë përherë në mendjen tonë, në festat tona, në vallet tona, në arritjet tona…
Vallëzoftë përherë mes nesh shpirti i tij!