Erion Veliaj nuk duhet të jetë ndjerë mirë në vitin 2004, kur si një djalosh i ri dhe aktiv i shoqërisë civile, shihte që qeveria e asaj kohe e Fatos Nanos, vendosi të shpallte si ditë pushimi kombëtar një festë pagane. Pasi ia ‘vodhi’ Elbasanit, Nano e solli festën e Ditës së Verës në Tiranë për t’ia kundërvënë një vale protestash të fuqishme të opozitës shqiptare. Kurse Veliaj ishte ai i shkolluari jashtë, që merrte fonde nga të huajt dhe që më së shumti kishte në syrin e shënjestrës vetë Nanon. Ky i fundit nuk e honepste, sidomos pas një proteste për bashkëshorten e tij. Veliaj i neveriste të tilla gjëra të politikës së vjetër dhe ishte i zëshëm edhe në Kongresin Amerikan kundër qeverisjes së korruptuar të Fatos Nanos.
15 vjet më vonë, Veliaj nuk është më ai djaloshi që protestonte (disa thonë se ishte një marionetë në duart e Edi Ramës) në mënyrë kreative. Ai ka provuar disa poste të rëndësishme në politikën shqiptare, duke u krenuar jo pak herë se është një njeri i bërë vetë, që e ka nisur duke shitur fiq dhe më pas i hyri karrierës për të ndryshuar nga brenda politikën, meqë si aktivist i shoqërisë civile nuk e bëri dot ndryshimin nga jashtë.
Por thonë se në Shqipëri duket se disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë. Dhe Veliaj përfundoi duke bërë atë gjë që në rininë e tij do e kishte urryer: një antimiting ndaj opozitës në formën e festimeve. Një ditë pas protestës së opozitës së 16 marsit, Veliaj do të mbledhë qytetarët në një festë të madhe me mbi 50 aktivitete në çdo zonë të qendrës së kryeqytetit. Ajo që nuk duan të dinë qytetarët është se të gjitha këto bëhen me paratë e tyre. Por mbi të gjitha, dihet se kjo festë do përdoret rëndshëm për propagandë.
Pyetja që lind normalisht është se përse përfundoi Veliaj duke bërë politikën e vjetër? Përse nuk ndryshoi së paku lëkurën e asaj që kishte kritikuar dhe ndoshta urryer kur ishte në rini? Vështirë të japësh një përgjigje shteruese për këtë gjë, por fakti është se vazhdimisht thuhet se Veliaj është mes dy zjarresh. Nga njëra anë duhet të punojë për të siguruar fundin e shpejtë të Edi Ramës, në mënyrë që siç e ka shitur vetë në median e huaj, të jetë pasuesi i tij në krye të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, duhet të tregojë se është gjithmonë i pari për të shërbyer përpara Edi Ramës, sidomos tani që kohërat janë bërë të vështira për të. Nëse heq paralele qoftë edhe me vitin 2004, e kupton që jeta e dytë e Edi Ramës, ajo në politikë, është drejt fundit. Rivalit të Veliajt, Saimir Tahirit, ia kanë përgatitur ‘fundin’ të tjerët.
Por a është momenti që Veliaj të jetë i lumtur se rruga drejt kreut të PS i është hapur? Nga ajo që po sheh teksa gatuhet përpara syve të tij, shanset janë që ai të mos jetë i lumtur. Ose të paktën të përpiqet ta kuptojë se nuk duhet të jetë i lumtur. Shkaku? Kur Edi Rama, idhulli i dikurshëm i tij (ndoshta edhe i tanishëm), po shkon drejt kësaj pike, sa do i mbijetojë ai politikës shqiptare? Vërtet ka bërë hapa të mëdhenj në karrierën e tij, por a do ia kishte dalë sikur të mos kishte nga pas një ‘sponsor’ të fuqishëm si Edi Rama? Ky i fundit në çdo moment mund t’ia ndërpresë karrierën politike, madje perspektiva e moskandidimit sërish në Tiranë ishte kaq e pranishme në çdo moment gjatë muajve të fundit. Historitë e përplasjeve të tij me Edi Ramën, në distancë dhe në afërsi, pushtuan mediat dhe portalet për një kohë të gjatë. Publikisht pak gjëra u thanë nga protagonistët, edhe pse në një moment Edi Rama i befasoi të gjithë kur tha se mund ta ‘varin’ Lali Erin.
Lufta e ftohtë mes Ramës e Veliajt mund të mos ketë nisur së fundmi. Vetë Erion Veliaj në jo pak raste ka tentuar që të paraqesë Tiranën që mori nën drejtim si një qytet në gjendje të tmerrshme. Por nëse e bën diçka e tillë, ai i bie ndesh direkt ‘kryebashkiakut’ Rama, që ka drejtuar Tiranën për më shumë se një dekadë.
Megjithatë Erion Veliaj nuk duhet të ketë frikë nga protestat dhe situata e krijuar për shkak se duhet të jetë sërish nën urdhrat e Edi Ramës si një ‘qen sulmi’. Ai e ka problemin e madh se e imiton Edi Ramën edhe në qeverisje. Por e bën keq pasi minimumi i mungon karizma dhe një talent i lindur i Ramës për fjalën e fjalimet. Për Erion Veliajn, më shumë rëndësi ka fasada se sa zgjidhja në thelb e gjërave. Edhe ai shumicën e kohës e shpenzon duke menduar se si të përçajë dhe të dobësojë opozitën, se si të duket sa më mirë në sytë e opinionit publik, se si të bëjë sa më shumë propagandë, duke dalë në media edhe kur mbjell një pemë. Tirana e Veliajt është një përpjekje për t’i ngjarë asaj të Edi Ramës, me shumë beton e ndërtime në çdo skutë e cep të Tiranës, mundësisht sa më afër qendrës. Veliaj është si Rama edhe në mënyrën se si e trajton median shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare. Edhe ai jeton për atë intervistën në median e huaj, ku të thotë se shqiptarët nuk e njohin të bukurën, nuk e dinë se çfarë do të thotë të kesh korsi biçikletash e autobusë elektrikë, nuk e dinë se çfarë janë ngjyrat e sheshet. Por pas kësaj propagande fshihen shumë probleme, që e rrezikojnë Veliajn po kaq sa Edi Ramën. Ai e di, ose duhet ta dijë, se këtu buron problemi. E ardhmja nuk duket aspak e lehtë po ta mendosh kështu.