Nga bashkitë që kishte PD, e Shkodrës ka mbetur e fundit pa rënë. Ka lindur në fakt një rrethanë tjetër kompromentuese. Përpos 5-përqindëshit mjeran, po del se kandidati i Ramës paska probleme me dekriminalizimin. Pra mungesës së legjitimitetit, i shtohet një argument i fortë legal. Nëse kjo del e vërtetë, fort të diskutueshmet votime të 30 qershorit, marrin një goditje vdekjeprurëse
Voltana Ademi, kryetarja demokrate e Shkodrës, ngjan se do të dorëzohet e fundit në dorëzimin e zyrës, pas procesit të çuditshëm të 30 qershorit, nga ku u emëruan 61 shefa bashkish. Siç bëri dje, me gjasë edhe sot, ajo do të vazhdojë të dërgojë në adresat e gazetarëve, emaile për një punë që po bëhet atje. Një rrugë apo një rikonstruksion. Si për të dhënë me një përpjekje finale idenë se ajo vazhdon punën, dhe se rilindasit ende nuk e kanë marrë kalanë e Shkodrës.
Krahasimet mund të çalojnë shumë në këtë rast, por Rozafa qëndroi më shumë nga të tjerat edhe përballë turqve, po ashtu komunistët Shkodrën e morën të fundit, dhe e dorëzuan të parën.
Ai është një truall demokratësh dhe kjo është në Shkodër tashmë një stil jetesë. Anti-konformistë në gen, shkodranët i kanë tëhuajtur gjithnjë pasardhësit e komunistëve. Shifra e 30 qershorit është ulëritëse në këtë Bashki. 5 përqind pjesëmarrja.
E megjithatë, Edi Rama kërkon ta marrë këtë qytet, se fiksim të fortë e ka Shkodrën. Sigurisht bëhet fjalë për një lloj të ri pushtimi. Sepse nuk mund të quhet ndryshe, kur nuk gëzon konsensusin e 95 përqind të votuesve të një zone.
Në gjithë këtë atmosferë makro në gjithë vendin, ka pjesën e vet edhe Voltana Ademi.
Ajo prej 4 vitesh është në një betejë të vazhdueshme politike. Zor se mund të besosh se lufta me kryeministrin ka qenë zgjedhja e saj. Ajo nuk i ka as mundësitë, as mjetet, as potencialin të bëjë beteja me shefin e madh të qeverisë, që ka një mijë e një instrumente në dispozicion.
Voltana besohet se ka dashur të jetë një menaxhere lokale. Nuk e ka kërkuar vetë sherrin. Por Edi Rama ia ka ofruar vazhdimisht. Duke e denoncuar, tallur dhe fyer shpesh publikisht. Mesa duket kryetarja e Shkodrës nuk ka bërë dëme të tjera, pasi kryeministri patjetër që do të kishte futur në lojë edhe specialitetet e tij të preferuara, që i ka zbatuar jo pak me të tjerë, siç janë shantazhi me polici, prokurori e gjykata.
Në këto rrethana, edhe pse ka gjakuar të bëjë disa punë në qytet, Ademi me siguri ka qenë e detyruar të bëjë edhe përplasjen politike me qeverinë dhe me kryeministrin. Dhe nuk ke zgjedhje tjetër, kur Edi Rama i jep qytetit më të madh të veriut më pak fonde se Roskovecit. Një hakmarrje në fakt ndaj një populli që e ka refuzuar, se sa ndaj një zyrtareje të zgjedhur. Pra, i ka hequr ujin, ushqimin, me idenë për ta pasur më të lehtë marrjen e saj, siç na tregon Kadare që bënë turqit me kastriotët, tek Kështjella.
Nga bashkitë që kishte PD, e Shkodrës ka mbetur e fundit pa rënë. Ka lindur në fakt një rrethanë tjetër që ka kompromentuar akoma edhe më shumë revanshin rilindas.
Përpos 5-përqindëshit mjeran, po del se i emëruari i Ramës paska probleme me dekriminalizimin. Pra, mungesës së legjitimitetit, i shtohet një problem i fortë legal. Bëhet me dije se pas denoncimit të PD, të Sekretarit të Përgjithshëm Bardhi, Prokuroria ka nisur verifikimin. Flitet se Valdrin Pjetri ka mohuar, nuk ka raportuar, një fakt nga e kaluara, që lidhet me një dëbim në Itali, për shkak të implikimit në një aktivitet jo fort të këndshëm.
Nëse kjo del e vërtetë, fort të diskutueshmet dhe të papranueshmet votime te 30 qershorit, marrin një goditje vdekjeprurëse. Del se Edi Rama jo vetëm nuk gëzon pëlqimin e më shumë se 5, 10 ose 15 përqind të votuesve, po edhe kaq vite pas debatit të fortë dhe kalimit të ligjit për dekriminalizimin, ai sërish ka afër njerëz me të shkuar problematike.
Pra edhe ky që duket si prurje tjetër, i ndryshëm nga cubat që e kanë shoqëruar Ramën në 6 vite, me pamje të paqortueshme e të folur të shtruar, qenka po prapë me cen. Dhe kjo të çon tek një konkluzion i trishtë, se qenka gjenetike për Ramën. Kur ka mundësi të zgjedhë pa fund, edhe tek socialistët e Shkodrës ka njerëz qytetarë, të shkolluar dhe me integritet, shefit të Rilindjes sërish i kap dora dikë me precedent.
Afërmendsh, kjo më shumë se rënie e Valdrinit, do të ishte një humbje për Ramën, të cilit ende nuk i është tharë damka e krimit në politikë, në parlament, në qeverisje e nëpër bashki.
Kjo fashë e zezë që po i mbështillet 30 qershorit të Shkodrës, e nxjerr në fakt më në dritë dhe e bën akoma më interesant profilin e Voltana Ademit. Ajo ka krijuar mjaft probleme me PD-në atje, me strukturat e partisë, që në krye të mandatit. Ka krijuar jo pak pakënaqësi mes demokratëve, pasi tentoi të ndante dhe të forconte pushtetin personal. Por kur ishte puna për të qendruar në ballë të rezistencës ndaj mazhorancës dhe Edi Ramës, nuk mungoi asnjë ditë.
Ende janë të freskëta pamjet e protestës gjatë një mitingu të kryeministrit, ku Voltana nga njëra anë po udhëhiqte njerëzit drejt sheshit, nga ana tjetër drejtoi gardhin mbrojtës që të mos prekeshin policët, të cilët, patjetër të urdhëruar, e tepruan jo pak me gaz lotsjellës.
Po të ndodhë që Rama të dështojë të marrë Shkodrën, për shkak të problemeve shtesë tashmë me kandidatin e tij, gjasat janë që në atë qytet të lindë një energji që mund të shpërndahet përtej urës së Bunës. Historia e vonë e ka treguar. Busti i Stalinit, i pari ra në Shkodër. Më tej, në gjithë vendin u rrëzuan shtatoret dhe simbolikat e pushtetit komunist.