Xhevdet Ferri, presjexhi si qenie njerëzore dhe aktor. Ikja e tij mund të cilësohet pa frikë si tronditëse dhe befasuese, jo vetëm për miqtë dhe dashamirësit e artit, por për të gjithë shqiptarët anembanë. Pikëlluese e trishtë dhe gozhduese për këdo ishte kjo lamtumirë. Ndaj, reagimet e publikut vazhdojnë të jenë ende masive.
“Në ajër, toka më dukej e qelbur, nuk doja të zbrisja më”. Këto ishin fjalët e Xhevdet Ferrit më 21 maj të tre viteve më parë, në një intervistë televizive. Kështu mund të zbutet paksa edhe largimi i tij nga kjo jetë, po të mendosh se kaltërsia e qiellit ishte një habitat i preferuar për të. Portreti jo ulëritës i aktorit 59-vjeçar, do t’i shkëputej kësaj toke të mraztë të enjten, prej një sëmundjeje të pashërueshme. Mimika që nuk premtonte kurrsesi bërtitje, u pikas për të parën herë në “Vëllezër dhe Shokë”, rreth 40 vite më parë. Asokohe, një djalë tejet i zakonshëm, me plot ëndrra për jetën që vërviteshin shumë larg botës kinematografike. Por, rastësia u tregua përcaktuese, dhe këtë gjë do ta pohonte edhe vet ai, përballë moderatorit të njohur Adi Krasta. Çardaku me parmakun propagandistik të kinematografisë shqiptare, u shkel nga një individ që nuk e konsideronte aspak bukurinë e tij mashkullore si armë të fortë. “Isha absolutisht një djalosh që kisha mjaft pasiguri...”- shprehej Xhevdet Ferri. Qesharake, po të mendosh impaktin e jashtëzakonshëm të shikimit të tij të thellë.
Odiseja e Ferrit, për t’u shndërruar në një simbol të artit shqiptar, sapo kishte filluar. “Skëterrë ’43” , filmi i tij i radhës, me prapaskena dramatike dhe ngjarje që bazohen në Luftën e Dytë Botërore. Me një thyerje të papritur në karakterin e rolit, Xhevdet Ferri do të vinte për publikun filmdashës si Arjani. 5 vite më vonë, në 1985-ën, u bë edhe më i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në “Hije që Mbetën Pas”, por pa iu ndarë kurrsesi cilësive interpretive si natyrshmëria, qetësia dhe thjeshtësia. Në total, ka luajtur mjeshtërisht 30 role në kinematografi dhe teatër, ndër të cilat është spikatur; Pali tek “Besa e Kuqe” (1982), Sandri te “Vendimi” (1984), Trimi në “Përrallë nga e Kaluara” ( 1987), Martini tek “Treni niset në 7 pa 5” (1988), Gjon Kadri në “Vitet e Pritjes” (1990), si dhe me rolin e Sakos në filmin “Dasma e Sakos” (1998).
Në këtë galeri personazhesh, gjithkush mund të gjente copëza nga vetja, si edhe shpresën se nga qendresa mund të vijë gjithnjë një e nesërme më e mirë. Kur shpirti nuk i shkëputej kurrsesi nga sekuencat filmike, në vitet 1995-1999, Ferri ndërmori postin e drejtuesit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Ndërsa në vitet 1999-2001, iu përkushtua drejtimit të Teatrit Kombëtar. Rrugëtimi i tij artistik dukej se do të ndalej në vitin 1996, kur u përfshi në politikë si pjesë e Partisë Demokratike.
Mirëpo, në vitin 2004, Ferri bashkëthemeloi Shoqatën e Kineastëve Shqiptarë, si për t’i treguar kujtdo se shikimi rikthehet gjithnjë tek dashuritë e mëdha.